16.09.2026.

Aktgjykimi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së

Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtorë për krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet, duke iu llogaritur koha e kaluar në paraburgim. Aktgjykimi nuk është i formës së prerë.

Trupi Gjykues konstatoi se të paktën 385 persona ishin arrestuar dhe privuar nga liria në mënyrë të paligjshme, të paktën 49 persona i ishin nënshtruar trajtimit mizor, të paktën 303 ishin torturuar, ndërsa 96 persona ishin vrarë. Në të njëjtën kohë, të katër të akuzuarit u liruan nga gjashtë pika të aktakuzës për krime kundër njerëzimit.

Përgjegjësia penale e të katër të akuzuarve u vërtetua në bazë të kontributit të tyre të rëndësishëm në ndërmarrjen e përbashkët kriminale. Trupi Gjykues konstatoi se të akuzuarit dhe drejtues të tjerë të UÇK-së kishin një qëllim të përbashkët kriminal: arrestimin sistematik, privimin nga liria, keqtrajtimin dhe vrasjen e personave të cilët i konsideronin ose i etiketonin si kundërshtarë.

Ndër provat kyçe ishin komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ato nuk ishin vetëm propagandë: përçonin qëndrimet dhe vendimet e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm për personat e etiketuar si “spiunë”, “tradhtarë” dhe “bashkëpunëtorë”, ndërsa në terren kuptoheshin dhe zbatoheshin si urdhra për arrestime, ndëshkime dhe vrasje. Disa komunikata shprehimisht deklaronin se ndëshkimet dhe ekzekutimet ishin kryer në bazë të vendimeve të Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa draftet e gjetura tregojnë se formulime si “sulme të armatosura” dhe “u likuiduan” në versionet e publikuara ishin zëvendësuar me “masa ndëshkuese” dhe “u ndërmorën masa”.

Aktgjykimi dokumenton vende ndalimi në 14 komuna në Kosovë dhe dy në veri të Shqipërisë. Në mesin e personave të ndaluar, torturuar, vrarë ose të zhdukur nuk kishte vetëm serbë dhe romë, por edhe shqiptarë të Kosovës – anëtarë të LDK-së, persona pa angazhim politik, si dhe pjesëtarë dhe përkrahës të UÇK-së.

Trupi Gjykues konstatoi gjithashtu se të akuzuarit kishin dijeni për arrestimet dhe ndalimet e paligjshme, keqtrajtimet dhe vrasjet, por nuk ndërmorën masa efektive për t’i parandaluar ose ndalur krimet, për t’i hetuar ato apo për t’i ndëshkuar përgjegjësit. Trupi Gjykues arriti në përfundimin se ata kontribuan në një klimë pandëshkueshmërie dhe, në disa raste, mbrojtën ose avancuan persona të përfshirë në krime.

Në proces morën pjesë 156 viktima. Dëshmitë e tyre rikthyen në qendër të procesit përvojat e njerëzve që ishin ndaluar pa asnjë procedurë të mirëfilltë ligjore, ishin rrahur rëndë dhe torturuar, si dhe përvojat e familjeve të cilat, më shumë se dy dekada më vonë, ende nuk e dinë fatin e më të dashurve të tyre.

Elitat politike në Kosovë e kanë rrënjosur narrativën për luftën heroike të UÇK-së për liri kundër forcave serbe si pothuajse të vetmin interpretim të lejueshëm të luftës. Kjo narrativë nuk mund t’i ndryshojë faktet e vërtetuara me aktgjykim: se kanë ekzistuar vende ndalimi, se në to njerëzit janë keqtrajtuar dhe se shumë prej tyre janë vrarë ose janë zhdukur. Etiketimi i dikujt si “bashkëpunëtor” nuk mund të zëvendësojë provat, procesin e rregullt ligjor dhe përcaktimin e përgjegjësisë individuale, dhe as nuk mund të justifikojë rrëmbimin, torturën, zhdukjen apo vrasjen.

Në të njëjtën kohë, pakënaqësia në Kosovë për shkak të mungesës pothuajse të plotë të ndjekjes penale të oficerëve të lartë të Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) para gjykatave në Serbi është e arsyeshme. Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare dhe Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë, forcat serbe vranë 6.872 civilë shqiptarë në Kosovë nga 20 marsi deri më 14 qershor 1999. Edhe 27 vjet më vonë, në Serbi nuk është ndjekur penalisht asnjë komandant i lartë i UJ-së ose MPB-it për operacionet në të cilat u vranë mijëra civilë, pavarësisht mijëra fakteve të vërtetuara në aktgjykimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) për veprimet e njësive të UJ-së dhe MPB-it dhe lidhjet e tyre me strukturat komanduese të drejtuara nga gjeneralë të dënuar me vendime të formës së prerë.

Një mosveprim i tillë institucional tregon se Serbia vazhdon të qëndrojë në anën e të dënuarve dhe të mbrojë oficerët e UJ-së dhe MPB-it të lidhur me strukturat përgjegjëse për krimet më të rënda kundër shqiptarëve të Kosovës, në vend që të qëndrojë në anën e viktimave dhe të kërkojë përcaktimin e përgjegjësisë individuale.

Por viktimat e krimeve për të cilat, sipas aktgjykimit të shkallës së parë, mbajnë përgjegjësi ish-drejtuesit e UÇK-së nuk ishin vetëm serbë dhe romë, dhe as vetëm kundërshtarë politikë të UÇK-së. Në mesin e tyre kishte shqiptarë të Kosovës, anëtarë të LDK-së, persona pa angazhim politik, si dhe pjesëtarë dhe përkrahës të UÇK-së. Për ta duhet të flitet me emrat e tyre, përmes dokumenteve dhe provave – dhe jo përmes etiketave që u janë vënë për të justifikuar ndëshkimin e tyre.

Të mbështetur nga:

Shiko më shumë...