Informacioni për një varr të mundshëm masiv në fshatin Kalludër e Vogël/Mala Kaludra, në komunën e Zubin Potokut në Kosovë, është publik që nga 7 janari i vitit 2013, kur gazeta e përditshme në gjuhën shqipe Zëri botoi një shkrim dhe deklaratën e serbit Ranko Tepavac për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe varrosjen e fshehtë të trupave të tyre në luginën e fshatit Kalludër e Vogël/Mala Kaludra. Deklaratën ua dha hetuesve të UNMIK-ut dhe Policisë së Kosovës më 7 shkurt të vitit 2003.
Në deklaratën në gjuhën serbe, Tepavac e përshkroi hollësisht ngjarjen e 19 prillit të vitit 1999: gjatë luftës kishte qëndruar në Velika Kaludra; kishte parë një grup civilësh shqiptarë, të cilin e kishte ndaluar grupi i Jovica Utvićit nga Kalludra e Vogël; Jovica ua kishte marrë paratë dhe sendet me vlerë, duke u premtuar se do t’i linte të vazhdonin drejt Ulqinit; më pas i kishte urdhëruar të ktheheshin dhe, kur e kishin bërë këtë, kishte shtënë mbi ta dhe i kishte vrarë; dikush nga të pranishmit e kishte njoftuar menjëherë policinë, e cila kishte ardhur në fshat dhe kishte urdhëruar: “Varrosni ata që i vratë.”
Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë nuk kanë të dhëna se si kanë vepruar UNMIK-u dhe Policia e Kosovës pasi kanë marrë dijeni për vrasjen e 23 shqiptarëve dhe për varrin masiv në fshatin Kalludër e Vogël/Mala Kaludra.
Megjithatë, në vitin 2024, FDH dhe FDHK botuan një hulumtim të hollësishëm për ngjarjen në librin e dytë të Librit të Kujtimit të Kosovës, me titull Dinjiteti për të zhdukurit.
Në fillim të muajit prill të vitit 1999, mes aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Mitrovicë/Kosovska Mitrovica flitej se policia serbe kishte filluar t’i arrestonte anëtarët e shquar të kësaj partie. Për këtë arsye, një grup aktivistësh, mes të cilëve ishin Faruk Spahiu [kryetar i Mitrovicës së Jugut nga viti 2000 deri në vitin 2005], Adem Beqiri, Adem Ademi, Sahit Berani, Hasan Dërvari dhe Demir Ahmeti, vendosi të strehohej në fshatin Kotorr/Kotore.
Në fshat e takuan Xhafer Behramin, me të cilin biseduan që ai, si njohës i mirë i terrenit, t’i çonte përmes maleve në Mal të Zi. Atyre iu bashkuan edhe Shaip Ujkani, Tahir Mëziu, Xhevdet Mëziu, Salih Mëziu, Naser Mëziu, Zymer Mëziu, Selim Mëziu, Shaqir Mëziu, Samir Mëziu, Bekim Mëziu, Xhemail Mëziu, Mahit Ujkani, Faton Ujkani, Shkëlzen Ujkani dhe Nazim Ujkani.
Nga Kotori/Kotore u nisën më 19 prill të vitit 1999 në drejtim të Malit të Zi. Ecën nëpër male për disa orë. Rreth mesnatës panë disa drita. Disa pjesëtarë të grupit u frikësuan dhe filluan të iknin. Në deklaratën që Faruk Spahiu [kryetar i Mitrovicës së Jugut nga viti 2000 deri në vitin 2005] i dha FDH-së në vitin 2001, është shënuar se ai, kur i pa dritat, u shtri përtokë dhe nuk lëvizi. U shtrinë edhe Ismet Ferizi dhe Xhevat Llausha. Mbretëronte qetësi dhe nuk dëgjohej asgjë. Nuk e dinin se ku ndodheshin. Ai nuk e mban mend sa kohë qëndruan pa lëvizur në atë vend. Kur u ngritën, u nisën drejt perëndimit. Nuk panë askënd nga grupi. Ecën disa orë derisa arritën në një fshat. Hynë në një shtëpi ku nuk kishte njeri dhe e kaluan natën aty. Të nesërmen u nisën sërish drejt perëndimit. Ecën disa orë dhe hasën përsëri në një fshat. Në fshat takuan një banor vendës. Ai ishte serb. E pyetën se ku ndodheshin dhe ai u tha se ishin në Zubin Potok. Faruku e pyeti nëse njihte dikë që, kundrejt pagesës, mund t’i çonte me makinë në Mal të Zi. Ai u tha se nuk njihte askënd dhe se ishte më mirë të paraqiteshin në stacionin policor.
Vazhduan rrugën. Atyre iu afrua një automjet. Prej tij doli një civil i armatosur dhe, nën kërcënimin e armës, i çoi në stacionin policor. Pas disa orësh marrjeje në pyetje, u liruan.
Një polic i çoi me makinë deri në Mitrovicë/Kosovska Mitrovica.
Në deklaratën që i dha një hulumtuesi të FDH Kosovë në vitin 2021, Xhafer Behrami thotë se një grup burrash nga Mitrovica/Kosovska Mitrovica erdhi në Kotorr/Kotore në mes të muajit prill të vitit 1999 dhe kërkoi ndihmën e tij për të kaluar në Mal të Zi. Ai e njihte mirë terrenin, sepse edhe para luftës kishte prerë dru në pyjet e asaj zone. E dinte se mund të shkohej deri në fshatin Kërligatë/Krligate, por se më tutje nuk ishte e sigurt. Ishte i armatosur me pushkë automatike. Me të u nis edhe Shaban Abazi, po ashtu pjesëtar i UÇK-së, i armatosur me bomba.
Behrami thotë se e kishte paralajmëruar grupin se ishte shumë e rrezikshme të shkohej asaj rruge, por të gjithë kishin këmbëngulur të niseshin me çdo kusht. E njihte doktor Ademin. Kur u nisën, më 19 prill të vitit 1999, rreth orës 15:00, ndërsa po kalonin pranë lumit të fshatit, filluan t’u bashkoheshin edhe grupe të tjera, nga tre-katër veta. Në dalje të fshatit iu bashkua edhe Idriz Rrecaj, të cilin gjithashtu e njihte.
U nisën nëpër pyllin përreth fshatit dhe ecën tërë natën, duke kaluar nëpër pyjet e fshatit Prevllak/Prevlak. Ndërsa po ecnin, në largësi vunë re një dritë dhe, nga paniku se mund të ishin forcat serbe, u ndanë.
Sipas fjalëve të Xhaferit, ata e thërrisnin njëri-tjetrin, por nuk dëgjoheshin për shkak të erës. U mblodhën rreth njëzet minuta më vonë. Panë se mungonin Xhevat Llausha, Faruk Spahiu dhe Ismet Ferizi. Vazhduan pa ta në drejtim të fshatit Kalludër e Vogël/Mala Kaludra. Idriz Rrecaj ishte i fundit në kolonë, sepse nuk mund të ecte, ndërsa Demir Ahmeti dhe Shaban Abazi arritën në majë të pyllit. Prej andej panë se në kodrën përballë kishte serbë. Dikush bërtiti: “Ikni!”, pastaj u dëgjua një e shtënë pushke dhe urdhri: “Ndal!” Xhaferi pa Demir Ahmetin dhe Shaban Abazin duke ikur. Të tjerët u kthyen në drejtim të përroit, ndërsa ai vrapoi pas Demirit dhe Shabanit. Kur arritën pranë fshatit Dren, Demiri këmbënguli që të dorëzoheshin. Xhaferi thotë se ai dhe Shabani e kundërshtuan këtë, sepse ishin të armatosur. Vunë re një makinë civile që po lëvizte në rrugën e asfaltuar. Demiri vendosi të dorëzohej dhe u nis drejt shtëpisë së një pylltari serb, i cili kishte punuar me të atin. Xhaferi thotë se e pa dhe e dëgjoi Demirin duke e thirrur pylltarin me emrin “Lane”. Nuk dëgjuan të shtëna. Në largësi panë disa burra duke kositur barin dhe dëgjuan këmborët e lopëve. Të nesërmen Xhaferi arriti në Kotorr/Kotore, ndërsa pas tij arriti edhe Shaban Abazi.
Pas luftës mësoi se Xhevati, Faruku dhe Ismeti, të cilët atë natë ishin ndarë nga grupi, kishin mbijetuar.
Njerëzit i kujtojnë njerëzit
Idriz Rrecaj e kishte mbaruar Shkollën e Lartë Normale dhe më pas Fakultetin e Bujqësisë. Deri në vitin 1990 punoi në Kooperativën Bujqësore “Produkt” në Skënderaj/Srbica, kur u largua nga puna pas vendosjes së masave të përkohshme në ndërmarrjet publike. Ishte aktivist dhe themelues i degës së LDK-së në Skënderaj/Srbica. Idrizi ishte i angazhuar edhe në UÇK, si këshilltar i Jetullah Gecit, komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti”. Ishte i martuar me Xhylën. Kishin katër vajza – Valbonën, Fatbardhën, Fatmiren dhe Florën – dhe tre djem – Gazmendin, Fidaimin dhe Shpetimin. Vajza Valbona dhe djali Gazmend jetonin në Zvicër. Në listën e KNKK-së, zhdukja e Idrizit është evidentuar me numrin BLG-801490-01.
Adem Ademi ishte kirurg abdominal. Punoi si drejtor i Repartit të Kirurgjisë në spitalin e Mitrovicës/Kosovska Mitrovica deri në vitin 1990, kur u largua nga puna pas vendosjes së masave të përkohshme në ndërmarrjet publike. Hapi ordinancën private “Avicena”. Përveç kësaj, punoi pro bono në ambulancën “Nëna Terezë” në Mitrovicë/Kosovska Mitrovica. Jetonte në Rrugën Sutjeska, në pjesën veriore të Mitrovicës/Kosovska Mitrovica, me bashkëshorten Zyhra dhe djalin e vogël Erblin, ndërsa djali Ilir dhe vajza Ilirijana jetonin në Londër. Ademi ishte aktivist i LDK-së. Erblini, i cili ishte nëntë vjeç kur e pa për herë të fundit të atin, kujton se babai doli nga banesa më 23 mars të vitit 1999, ndërsa ai dhe e ëma mbetën në banesë. Pas luftës, bashkëshortja e tij e hetoi zhdukjen e Ademit dhe të të tjerëve dhe vizitoi vendet nëpër të cilat kishte kaluar grupi, por nuk arriti të siguronte informacione për atë që kishte ndodhur. Në listën e KNKK-së, zhdukja e Ademit është evidentuar me numrin BLG-801704-01.
Adem Beqiri e kishte mbaruar Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe punoi si sekretar i Shkollës Fillore “Skenderbeu” në fshatin Pantinë/Pantina. Ishte aktivist i LDK-së. Ishte i martuar me Halimen. Kishin dy djem – Mentorin dhe Arianin – dhe vajzën Lindita. Djali Albert jetonte në Gjermani. Jetonin në lagjen Ferat Dragaj në Mitrovicë/Kosovska Mitrovica. Doktor Ademi ishte fqinj i tyre. Në listën e KNKK-së, zhdukja e Ademit është evidentuar me numrin BLG-800871-01.
Ali Halitaj e kishte mbaruar Fakultetin Juridik. Punoi në Entin për Ndihmë Sociale në Skënderaj/Srbica deri në fillim të vitit 1999, kur e la punën për shkak të presionit të shqiptarëve, ngaqë punonte në një institucion shtetëror. Ishte i martuar me Hylën. Kishin tri vajza – Qerimen, Albulenën dhe Shkurtën – dhe dy djem – Remziun dhe Liridonin. Jetonin në fshatin Kostërc/Kostrc. Bashkëshortja e pa për herë të fundit më 12 prill të vitit 1999, kur forcat serbe granatuan fshatin. Ai shkoi me Fatmirin dhe burra të tjerë në drejtim të pyjeve. Motra e Aliut ishte e martuar me Fatmir Fazliun. Në listën e KNKK-së, zhdukja e Aliut është evidentuar me numrin BLG-802252-01.
Hasan Dërvari e kishte mbaruar Fakultetin Teknik dhe punoi si profesor i kimisë në shkollën e mesme teknike në Mitrovicë/Kosovska Mitrovica. Ishte aktivist i LDK-së që nga viti 1989. Ishte i martuar me Vahiden. Kishin dy vajza – Jehonën dhe Vjosën – dhe dy djem – Bajrushin dhe Rinorin. Në listën e KNKK-së, zhdukja e Hasanit është evidentuar me numrin BLG-800968-01. Bashkëshortja e Hasanit, Vahidja, ishte motra e Sahit Beranit.
Sahit Berani e kishte mbaruar shkollën e mesme teknike. Punoi në minierën Trepça deri në vitin 1990, kur u largua nga puna pas vendosjes së masave të përkohshme në ndërmarrjet publike. Për një kohë të shkurtër punoi si taksist. Jetonte në lagjen Tavnik me bashkëshorten Bukurije, djemtë Endrit, Astrit dhe Petrit, nënën dhe motrën Sebahate. Babai Rushit kishte vdekur para luftës në Kosovë. Në listën e KNKK-së, zhdukja e Sahitit është evidentuar me numrin BLG-801413-01.
Demir Ahmeti e kishte mbaruar Fakultetin Filozofik dhe dha mësim histori në Shkollën e Mesme “Anton Çeta” në Skënderaj/Srbica deri në vitin 1998, kur e la punën dhe iu bashkua UÇK-së. Kur u formuan brigadat, ishte pjesëtar i Brigadës 112 “Arben Haliti”. Ishte i martuar me Qerimen. Kishin dy djem – Arianin dhe Arlindin. Jetonin në një bashkësi familjare me prindërit e tij dhe vëllezërit Sabit dhe Jahar, i cili në kohën e luftës ishte i martuar. Në listën e KNKK-së, zhdukja e Demirit është evidentuar me numrin BLG-803591-01.
Fatmir Fazlia e kishte mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë/Priština. Si mjek i praktikës së përgjithshme punoi në ambulancën “Nëna Terezë” në Skënderaj/Srbica. Njëkohësisht dha mësim në paralelen e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në fshatin Polac/Poljance. Fatmiri ishte i angazhuar edhe në UÇK si mjek. Ishte i martuar me Sanijen, motrën e Aliut. Kishin djalin Lorik dhe dy vajza – Aulonën dhe Flakën. Jetonin në fshatin Turiqec/Turićevac, me prindërit e Fatmirit dhe motrat Aferdita dhe Lindita. Në listën e KNKK-së, zhdukja e Fatmirit është evidentuar me numrin BLG-800893-01.
Shaip Ujkani, pasi e mbaroi shkollën e mesme ekonomike, u punësua në ndërmarrjen shoqërore “Lux”. Punoi si shitës në fshatin Vinarc i Poshtëm/Donje Vinarce deri në mbylljen e ndërmarrjes, para fillimit të luftës. Më pas hapi një dyqan privat, në të cilin punoi deri në fillim të vitit 1999, kur e mbylli për shkak të gjendjes së luftës. Jetonte në fshatin Vinarc i Poshtëm/Donje Vinarce me prindërit, vëllain Mahit dhe motrën Sadete.
Mahit Ujkani e kishte mbaruar shkollën e mesme ekonomike në kuadër të sistemit paralel të arsimit.
Nazim Ujkani ndiqte klasën e parë të shkollës së mesme ekonomike në kuadër të sistemit paralel të arsimit. Jetonte me prindërit dhe motrat Jehona dhe Lindita. Babai i Shaipit dhe Mahitit, Halili, kujton se djemtë dhe nipat e tij, më 16 prill, shkuan në fshatin Kotorr/Kotore së bashku me Adem Beqirin, Sahit Beranin, Hasan Dërvarin dhe Demir Ahmetin.
Faton Ujkani ishte student i vitit të parë në Fakultetin Teknik në Mitrovicë/Kosovska Mitrovica. Jetonte me prindërit, vëllain Shkëlzen dhe motrën Albulena.
Shkëlzen Ujkani ndiqte klasën e parë të Shkollës së Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina”. Mësimi zhvillohej në shtëpi private dhe në objektet e shkollave fillore. Në listën e KNKK-së, zhdukja e Shaipit është evidentuar me numrin BLG-803590-01, e Mahitit me numrin BLG-803590-02, e Nazimit me numrin BLG-803589-01, e Fatonit me numrin BLG-803588-02, ndërsa e Shkëlzenit me numrin BLG-803588-01.
Vëllezërit Shaqir, Samir dhe Xhemail Mëziu jetonin me prindërit në fshatin Marinë/Marina. Shaqiri filloi studimet, por i ndërpreu dhe punoi disa vjet jashtë Kosovës. Pas kthimit në vitin 1997, nuk punonte. As Samiri nuk punonte. Xhemaili ndiqte shkollën e mesme në kuadër të sistemit paralel të arsimit. Në listën e KNKK-së, zhdukja e Shaqirit është evidentuar me numrin BLG-802196-01, e Samirit me numrin BLG-802196-02, ndërsa e Xhemailit me numrin BLG-802196-03.
Salih Mëziu ishte i martuar me Nailen. Kishin tre djem – Mentorin, Kushtrimin dhe Tomorin – dhe dy vajza – Liridonën dhe Shqiponjen, e cila lindi më 20 mars të vitit 1999, ndërsa Nailja me fëmijët qëndronte te motra e Salihut, Feridja, në Mitrovicë/Kosovska Mitrovica. Salihu nuk e pa kurrë.
Naser dhe Zymer Mëziu, vëllezërit e Salihut, jetonin me babanë Osman. Nëna Hava kishte vdekur para luftës. Naseri punonte herë pas here si punëtor ndërtimi. Ishte i martuar me Zahiden. Kishin dy djem – Muhametin dhe Drilonin. Zymeri filloi studimet, pastaj i ndërpreu dhe shkoi në Gjermani për të punuar. U kthye në vitin 1998 dhe u martua me Hasimen. Djali i tyre Osman lindi pas zhdukjes së tij, në muajin shtator të vitit 1999. Babai i Salihut, Naserit dhe Zymerit, Osmani, u vra në fshat më 2 prill të vitit 1999. Në listën e KNKK-së, zhdukja e Salihut është evidentuar me numrin BLG-802197-01, e Naserit me numrin BLG-802197-02, ndërsa e Zymerit me numrin BLG-802197-03.
Tahir Mëziu punoi në ndërmarrjen “Energoprojekt” në Beograd deri kur doli në pension në vitin 1998. Ishte i martuar me Fatimen. Kishin katër djem – Zenelin, Besimin, Ajetin dhe Xhevdetin – dhe dy vajza – Luljetën dhe Elhemen. Vajza Elheme ishte e martuar, ndërsa djali Besim jetonte në Gjermani. Në listën e KNKK-së, zhdukja e Tahirit është evidentuar me numrin BLG-802198-01.
Xhevdet Mëziu ndiqte klasën e katërt të shkollës së mesme të mjekësisë në Mitrovicë/Kosovska Mitrovica. Djali i Tahirit, Zeneli, i cili ishte pjesëtar i UÇK-së, ra në muajin gusht të vitit 1998, ndërsa djali Ajet u vra më 2 prill të vitit 1999 gjatë përpjekjes për të ikur nga Marinë/Marina. Në listën e KNKK-së, zhdukja e Xhevdetit është evidentuar me numrin BLG-802198-02.
Selim Mëziu e kishte mbaruar Fakultetin Pedagogjik dhe punoi si mësues në Shkollën Fillore “Drenica” në fshatin Polac/Poljance. Jetonte në fshatin Marinë/Marina me bashkëshorten Rifete, prindërit, vëllain Xhavit, i cili ishte i martuar, dhe motrat Zebihane dhe Florie. Forcat serbe ia vranë babanë Kamer dhe vëllain Xhavit më 2 prill të vitit 1999, gjatë përpjekjes së tyre për të ikur nga fshati. Në listën e KNKK-së, zhdukja e Selimit është evidentuar me numrin BLG-802199-01.
Bekim Mëziu e kishte mbaruar gjimnazin në kuadër të sistemit paralel të arsimit, ndërsa mësimi zhvillohej në fshatin Polac/Poljance. Jetonte me prindërit dhe motrat Sadije, Ganimete, Remzije, Miradije dhe Lumtrije. Vëllezërit Avdullah dhe Musa gjatë luftës jetonin në Gjermani. Në listën e KNKK-së, zhdukja e Bekimit është evidentuar me numrin BLG-802200-01.
“Varrosni ata që i vratë”
Sipas deklaratës së Ranko Tepavacit, dikush nga banorët e Kalludrës së Vogël/Mala Kaludra e njoftoi menjëherë policinë [Sekretariati i Punëve të Brendshme (SUP) në Mitrovicë/Kosovska Mitrovica dhe Stacioni Policor në Zubin Potok] për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë. Policia erdhi në fshat dhe urdhëroi: “Varrosni ata që i vratë.”
Dehumanizimi i viktimave
Policia serbe e dinte për krimin që nga dita e vrasjes dhe, në vend që ta hetonte dhe t’i arrestonte kryerësit, urdhëroi që trupat të varroseshin. Në këtë mënyrë, të vrarët u reduktuan në mbetje mortore që duheshin larguar, ndërsa krimi duhej fshehur.
UNMIK-u dhe Policia e Kosovës, që nga muaji shkurt i vitit 2003, kishin informacione për krimin dhe vendin e varrimit, por nuk ka të dhëna se kanë zhvilluar një hetim efektiv dhe se e kanë verifikuar lokacionin.
Një veprim i tillë dhe mosveprimi për më shumë se dy dekada përbëjnë vazhdim të dehumanizimit të viktimave: atyre iu mohua e drejta për identitet dhe varrim dinjitoz, ndërsa familjeve të tyre e drejta për të vërtetën, për një varr dhe për një vend kujtimi.
Nataša Kandić, Rrjeti i Pajtimit KOMRA, FDH dhe FDHK