Dhoma e Përfaqësuesve thirrje Serbisë të gjejë vrasësit e shqiptaro-amerikanëve

Dhoma e Përfaqësuesve thirrje Serbisë të gjejë vrasësit e shqiptaro-amerikanëve

BalkanInsight_logo

Dhoma e Përfaqësuesve të martën unanimisht miratoi rezolutën që i bën thirrje autoriteteve serbe që të hetojnë dhe gjykojnë sa më shpejt të jetë e mundur “ata zyrtarë aktualë ose të mëparshëm që besohet se janë përgjegjës” për vrasjen e Ylli, Agron, dhe Mehmet Bytyqit në Serbi në korrik 1999.

Tre vëllezërit Bytyqi, shtetas amerikanë me origjinë shqiptare, shkuan për të luftuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave të Beogradit në vitin 1999, por u arrestuan nga policia serbe pas përfundimit të luftës ndërsa kaluan një vijë kufitare të pashënuar midis Serbisë dhe Kosovës.

Pasi vuajtën dënimet për kalim të paligjshëm të kufirit, ata u arrestuan përsëri ndërsa po largoheshin nga burgu i qarkut në qytetin Prokuplje në jug të Serbisë, u dërguan në një qendër stërvitore në Petrovo Selo dhe u mbajtën në një depo atje.

Ata më pas u çuan në një gropë mbeturinash, ku u ekzekutuan me plumb pas qafe më 9 korrik 1999.

Rezoluta tha se “është për t’u dënuar fakti që asnjë individ nuk është gjetur kurrë fajtor për ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi, ose për ndonjë krim tjetër të lidhur me vdekjen e tyre dhe se asnjë individ nuk po përballet me akuza për këto krime të tmerrshme”.

Ajo tha gjithashtu se “progresi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e tij, duhet të mbetet një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë”.

Rezoluta tani do të kalojë në Senatin e Shteteve të Bashkuara, duke i hapur rrugë miratimit të saj të plotë nga Kongresi.

Familja Bytyqi shpreson që të dërguarit e rinj amerikanë të emëruar për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi, Matt Palmer dhe Rich Grenell, do ta vendosin çështjen e vëllezërve në axhendën e tyre në Beograd.

“Familja ime është shumë e përulur nga veprimi i Kongresit sot. Shpresojmë që Përfaqësuesi Special Matt Palmer dhe i Dërguari Special Rich Grenell do t’i dëgjojnë këto zëra dhe do t’i japin përparësi çështjes së vëllezërve Bytyqi dhe drejtësisë për krimet e luftës në punën e tyre. Sot Kongresi tregoi se viktimat nuk mund të shpërfillen”, tha në një deklaratë Ilir Bytyqi, vëllai i burrave që u vranë.

Familja Bytyqi beson se Goran Radosavljeviç, i njohur ndryshe si Guri, ish-komandanti i një njësie speciale të policisë dhe i qendrës stërvitore në Petrovo Selo, është i dyshuari kryesor në këtë rast.

Radosavljeviç tha për Radion Europa e Lirë në Beograd se ai nuk ishte “i shqetësuar” për rezolutën.

“Jam i pastër dhe nuk kam arsye pse të druhem. Nuk kam pasur kurrë frikë. Jam gjithmonë gati t’i përgjigjem thirrjes së autoriteteve gjyqësore në Serbi”, tha ai.

Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi kufizime udhëtimi për Radosavljeviçin në dhjetor 2018 për shkak të rolit të tij të dyshuar në shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftës në Kosovë.

Radosavljeviç pretendon se ai ishte me pushime gjatë kohës së ndodhën vrasjet dhe mohon çdo shkelje nga ana e tij.

Ai tani është zyrtar i lartë i Partisë Progresive Serbe, partia qeverisëse e Aleksandër Vuçiç.

Share