Të dënuarit boshnjakë për përdhunim gjatë luftës për herë të parë kompensojnë viktimën
Dy persona të dënuar për përdhunim gjatë luftës në Bosnje kanë paguar vullnetarisht 15,400 euro në kompensim për viktimën e tyre – hera e parë që autorët e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës e kanë bërë këtë në vend.
Një avokate që përfaqëson një viktimë boshnjake përdhunimi tha për BIRN se të pandehurit e dënuar kanë paguar vullnetarisht 30,000 marka boshnjake (rreth 15.400 euro) në kompensim – hera e parë që autorët e urdhëruar t’u paguajnë dëmshpërblime viktimave të sulmeve seksuale gjatë kohës së luftës e kanë bërë këtë.
Për të mbrojtur identitetin e klientes të saj, avokatja Nedzla Sehiç nuk pranoi të zbulojë emrat e të pandehurve që paguan kompensimin.
Sehiç tha se prona e të pandehurit ishte mbajtur si garanci se paratë do të paguheshin.
Gjykata shtetërore e Bosnjës ka dhënë mbi dy duzina vendime për përdhunime dhe krime seksuale gjatë luftës.
Me dhënien e vendimeve, gjyqtarët kanë filluar së fundmi gjithashtu t’i urdhërojnë të dënuarit t’i paguajnë dëmshpërblime viktimës, duke hequr nevojën që pala e dëmtuar të paraqesë procedura të veçanta për dëmshpërblim në një padi civile.
Megjithatë, kjo është hera e parë që një kompensimi i tillë është paguar në të vërtetë.
Sehiç tha se ishte e vështirë të sigurohej që viktimat të merrnin pagesat e kompensimit të urdhëruara nga gjykata, pasi në 95 për qind të çështjeve, autorët e dënuar thonë se nuk kanë para ose se i kanë shitur tashmë pasuritë e tyre.
Nuk ka mekanizma ligjorë për të siguruar shlyerjen e borxheve të tilla.
“Vetëm në rastet kur prona është bllokuar dhe janë vendosur masa të përkohshme që ndalojnë shitjen e pronës, ne mund të shohim efektet,” tha Sehiç.
Por tani që gjykatat kanë filluar të urdhërojnë autorët të paguajnë dëmshpërblimet, “njerëzit janë të vetëdijshëm për atë rrezik dhe ata e shesin ose dhurojnë pronën e tyre paraprakisht”, shtoi ajo.
Ajo gjithashtu sugjeroi se kontrollet për pasuritë e autorëve, të cilët shpesh këmbëngulin se gjendja e tyre financiare është e dobët, nuk janë të mjaftueshme.
Bakira Haseciç, kryetare e shoqatës Gratë – Viktima të Luftës, gjithashtu tha se të dënuarit e transferojnë pronësinë e pronave të tyre tek të tjerët, në mënyrë që të shmangin pagimin e kompensimit.
“Nëse ata kanë ndonjë lloj ndërgjegjeje, nëse ka ndonjë gjë njerëzore tek ata, ata duhet të bien dakord me dëshirë që të paguajnë kompensimin në shumën e përcaktuar nga gjykata,” tha Haseciç.
“Si zgjidhje e fundit, prona e tyre duhet të konfiskohet, edhe pse ata e transferojnë pronën e tyre tek palë të treta në kohë për të mos i humbur ato si pjesë e pagesave të kompensimit,” shtoi ajo.
Lamija Tiro nga OJQ-ja TRIAL International e përshëndeti shembullin që ka dhënë kjo çështje.
“Ne e mirëpresim këtë si çështja e parë në të cilën më në fund është dhënë kompensimi për dëmin e shkaktuar,” tha Tiro.
“Ne u bëjmë thirrje prokurorëve që të vënë në zbatim masa për të siguruar pronën. Ne po edukojmë prokurorët, si dhe avokatët, në lidhje me këtë temë, në mënyrë që ata investojnë përpjekje për t’u siguruar që kompensimi i kërkuar të paguhet. I inkurajojmë prokurorët e tjerë të ndjekin këtë shembull,” shtoi ajo.