Të gjykosh të padënueshmen: Roli i prokurorëve dhe i gjyqtarëve në proceset e montuara kundër shqiptarëve në Kosovë në vitet 1998–2000
Të gjykosh të padënueshmen: Roli i prokurorëve dhe i gjyqtarëve në proceset e montuara kundër shqiptarëve në Kosovë në vitet 1998–2000
Në fund të vitit 1996 dhe në fillim të vitit 1997, prokuroritë publike të qarkut në territorin e Kosovës kishin filluar që në një numër të madh të ngritin aktakuza kundër shqiptarëve në Kosovë për shkak të veprave penale nga neni 125 LPJ (terrorizëm) dhe neni 136, paragrafët 1 dhe 2 të LPJ (bashkim me qëllim të veprimtarisë armiqësore).
Të akuzuarve kryesisht iu është vënë në barrë se, me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së RFJ-së:
- Kanë ndërmarrë veprime të përgjithshme të rrezikshme, me anë të të cilave është shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve;
- Janë bërë pjesëtarë të bandave terroriste /grupeve diverzante-terroriste
- Kanë marrë pjesë në krijimin e grupeve apo të bandave terroriste;
- Kanë kryer sulme të armatosura në pjesëtarët e policisë/Ushtrisë së Jugosllavisë/ në institucionet shtetërore/qytetarët e kombësisë serbe dhe malaziase dhe në pronën e tyre/në pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare, të cilët ishin lojal ndaj RFJ-së;
- Kanë kryer akte të dhunës me qëllim të krijimit të kushteve për shkëputje të dhunshme të Kosovës dhe Metohisë nga Republika e Serbisë dhe RFJ;
- Janë armatosur me armë automatike dhe me mjete të tjera shpërthyese;
- Kanë vepruar nga pozitat e separatizmit shqiptar;
- Kanë bërë roje të armatosura;
- I kanë përcjellë lëvizjet e pjesëtarëve të MPB-së dhe të UJ-së dhe për këto lëvizje i kanë informuar udhëheqësit e bandave terroriste;
- Kanë marrë pjesë në hapjen e llogoreve dhe
- Kanë vënë barrikada.
Procedurat gjyqësore në këto aktakuza janë zhvilluar para gjykatave të qarkut në Kosovë (Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjilan) gjatë vitit 1998 dhe 1999, përkatësisht deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës të datës 9 qershor të vitit 1999, kur ushtria dhe policia kanë filluar të tërheqjen nga territori i Kosovës.
Me tërheqjen e forcave ushtarake dhe policore, në territorin e Serbisë janë transportuar edhe të gjithë të burgosurit, të cilët janë gjendur në burgjet në Kosovë. Sipas një deklarate të ish ministrit të Drejtësisë së Republikës së Serbisë, Dragoljub Jankoviqit, në burgje në territorin e Serbisë janë vendosur 2.050 persona të privuar nga liria, prej të cilëve 176 serb, malazez dhe joshqiptarë të tjerë dhe 1.874 shqiptarë. Sipas pohimit të tij, të gjithë personat e burgosur në burgjet e Kosovës është dashur që për shkak të sigurisë së tyre si dhe të personave të punësuar në ato institucione, të jenë përkohësisht të transferuar në burgjet e tjera në territorin e Serbisë.[1]
Transferimin e të burgosurve e ka përcjellë edhe transferimi i lëndëve në gjykatat e Serbisë. Në fillim lëndët janë deleguar nëpër Serbi nga ana e Gjykatës Supreme të Serbisë, ku ajo gjykatë, në secilin rast të veçantë, ka sjellë vendimin mbi delegimin krahas arsyetimit se nuk ekzistojnë kushte që gjykimet të zhvillohen në mënyrë të papenguar në Kosovë. Më vonë, Ministria e Drejtësisë së Republikës së Serbisë ka sjellë vendimin, me të cilin ka definuar se në cilën mënyrë do të gjykohen lëndët të cilat janë transferuar nga Kosova, duke e vënë paralelen në atë mënyrë që lëndët e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i ka gjykuar Gjykata e Qarkut në Nish, lëndët e Gjykatës së Qarkut në Pejë i ka gjykuar Gjykata e Qarkut në Leskovc, lëndët e Gjykatës së Qarkut në Prizren i ka gjykuar Gjykata e Qarkut në Pozharevc, lëndët e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë (Kosovë) i ka gjykuar Gjykata e Qarkut në Kraljevë, kurse lëndët e Gjykatës së Qarkut në Gjilan i ka gjykuar Gjykata e Qarkut në Vranjë.[2]
Me lëndët penale, të cilat janë transferuar nga Kosova, janë marrë gjyqtarët nga Kosova, por edhe gjyqtarët nga Serbia, që paraprakisht kanë qenë të dërguara për ndihmë gjyqtarëve në Kosovë.
Edhe krahas faktit se misioni i përkohshëm i administratës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK) pas marrjes së administratës ka formuar gjykatat e qarkut në të njëjtat qytete në të cilat kanë ekzistuar më herët në territorin e Kosovës, gjykatat e transferuara në territorin e Serbisë kanë vazhduar që të veprojnë në lidhje me lëndët, të cilat janë transferuar së bashku me të burgosurit.
Para gjykatave të qarkut të Serbisë në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000 është zhvilluar një numër i madh i gjykimeve politike kundër shqiptarëve në Kosovë. Këto gjykime i kanë përcjellë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, që kanë angazhuar edhe avokatë me qëllim të ofrimit të mbrojtjes adekuate juridike të të akuzuarve. Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në mënyrë aktive ka marrë pjesë në përcjelljen e këtyre procedurave gjyqësore si dhe në angazhimin e avokatëve, të cilët i kanë mbrojtur interesat e të akuzuarve.
Procedurat e zhvilluara kundër shqiptarëve të Kosovës epilogun e tyre e kanë pasur me miratimin e Ligjit mbi Amnistinë,[3] të cilin me dekretin e datës 26 shkurt të vitit 2001 e ka shpallur ish kryetari i Republikës Federale të Jugosllavisë, e me të cilin, midis të tjerash, i është dhënë edhe amnistia të gjithë personave të cilët kanë kryer vepër penale, përkatësisht për të cilët ka ekzistuar dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale: pengim i luftës kundër armikut nga neni 118, kryengritje e armatosur nga neni 124, thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues nga neni 133, bashkim me qëllim të veprimtarisë armiqësore nga neni 136 dhe cenim i autoritetit të RFJ-së nga neni 157, të përcaktuara me Ligjin Penal të Republikës Federale të Jugosllavisë. Amnistia ka përfshirë edhe lirimin nga ndjekja penale, lirimin nga ekzekutimi i dënimit dhe shlyerjen e aktgjykimit. Vepra penale e terrorizmit nuk është përfshirë në amnistinë e vitit 2001, për çka edhe sot është e mundshme ndjekja penale për këtë vepër.[4]
Me Ligjin e mëvonshëm të Amnistisë,[5] të shpallur në datën 2 korrik të vitit 2002, i është dhënë amnistia personave – shtetasve jugosllav – të cilët në periudhën prej datës 1 janar të vitit 1999 e deri në datën 31 maj të vitit 2001, në territorin e komunave Preshevë, Medvegje dhe Bujanovc kanë kryer, përkatësisht për të cilët ka ekzistuar dyshimi i bazuar se kanë kryer vepra penale të terrorizmit nga neni 125 (të krahasohet me Ligjin mbi Amnistinë të vitit 2001) si dhe vepër penale të bashkimit me qëllim të veprimtarisë armiqësore nga neni 136, e përcaktuar me Ligjin Penal të Republikës Federale të Jugosllavisë. Edhe kjo amnisti e ka përfshirë lirimin nga ndjekja penale dhe lirimin nga ekzekutimi i dënimit.
Në arkivin e tij, FDH në fillim të punës në këtë raport ka poseduar 140 aktakuza, të cilat janë sjellë kundër shqiptarëve në Kosovë anë e kënd Serbisë, 97 aktgjykime të shkallës së parë të gjykatave të qarkut të Serbisë, 40 ankesa, të cilat avokatët e të dënuarve i kanë shpallur kundër aktgjykimeve të shkallës së parë, 40 vendime të gjykatave të shkallës së dytë të ish Gjykatës Supreme të Serbisë, si dhe katër vendime të Gjykatës Federale, që ka vepruar sipas kërkesave për shqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të plotfuqishëm.
FDH ka drejtuar edhe kërkesa për qasje ndaj informacioneve me rëndësi publike në Gjykatat e larta në Serbi, tek të cila ndodhet arkivi i gjykatave të dikurshme të qarkut, e të cilat kanë vepruar në lidhje me këto lëndë penale. Po ashtu i është drejtuar edhe me kërkesë Ministrisë së Mbrojtjes, e cila e ruan arkivin e ish gjykatave ushtarake dhe të prokurorive ushtarake në Serbi. Gjykatat e Larta në Kraljevë, Prokuplje, Nish, Zajeçar dhe Leskovc iu kanë mundësuar përfaqësuesve të FDH-së të skanojnë materialet komplete të këtyre procedurave, të cilat i kanë poseduar në arkivat e veta dhe të cilat kanë shërbyer si burim për raportin. FDH në këtë mënyrë ka tubuar mbi 10.000 faqe të materialeve gjyqësore, të cilat janë analizuar në këtë raport.
Raporti në mënyrë të hollësishme i vë në spikamë shkeljet e shumta themelore të të drejtave të njeriut gjatë procedurave penale, mënyrën se si kanë vepruar prokurorët dhe gjyqtarët, shpërfilljen e një numri të madh të pohimeve të të akuzuarve se i janë shtruar torturës dhe trajtimit çnjerëzor me qëllim që t’i detyrojnë të pranojnë pohimet në procedurën e mëhershme, mohimin e së drejtës për një mbrojtje adekuate, në përkthyes, në dorëzimin e kopjeve të aktgjykimit brenda afatit të paraparë me ligj, në paraqitjen dhe në vlerësimin e provave në përputhje me ligjin si dhe një varg shkelje të tjera, të cilat mund të futen në shkeljen e rëndë të së drejtës në gjykim të drejtë, të garantuar aso kohe me dispozitat vendore dhe ndërkombëtare në fuqi.
Pos shkeljeve të dokumentuara të të drejtave të garantuara, raporti tregon se numri më i madh i gjyqtarëve dhe i prokurorëve, të cilët kanë vepruar në këto lëndë, edhe sot gjenden në institucionet e sistemit. Disa prej tyre i kanë mbajtur funksionet e tyre, një numër i madh prej tyre ka përparuar dhe gjendet në funksionet më të larta të prokurorisë dhe të gjyqësorit në Serbi, derisa disa prej tyre kanë vazhduar të punojnë në agjenci të ndryshme shtetërore ose në avokatura.
Raporti „Të gjykosh të padënueshmen: Roli i prokurorëve dhe i gjyqtarëve në proceset e montuara kundër shqiptarëve në Kosovë në vitet 1998–2000“ është në dispozicion në gjuhën angleze dhe në gjuhën serbe.
[1] Deklaratë e Dragoljub Jankoviqit, ministër i Drejtësisë së Republikës së Serbisë, e datës 17 nëntor të vitit 1999, në dispozicion në http://arhiva.glas-javnosti.rs/arhiva/1999/11/18/srpski/P99111715.shtm
[2] Fahri Musliu, „Proceset e montuara kundër shqiptarëve në Kosovë (1999 – 2001)“ /2007/ Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Beograd, f. 436-437.
[3] Gazeta Zyrtare e RFJ-së, nr. 9/01 (Službeni list SRJ br. 9/01.)
[4] Le të shihet, për shembull, komunikata e FDH-së „Me rastin e gjykimit në lëndën “Kobra“, 18 shkurt i vitit 2016, e qasshme në https://www.hlc-rdc.org/?p=31236; Gordana Andriq, „Nehat Thaçi i mohon akuzat për terrorizëm “, BIRN, 10 tetor i vitit 2016, e qasshme në http://www.balkaninsight.com/rs/article/nehat-ta%C4%8Di-negira-optu%C5%BEbe-za-terorizam-10-10-2016, e qasur në datën 11 maj të vitit 2017.
[5] Gazeta zyrtare e RFJ-së, nr. 37/02. Službeni list SRJ br. 37/02.