Ministria e mbrojtjes i fsheh të dhënat mbi pjesëtarët aktiv të Ushtrisë së Serbisë të akuzuar për krime të luftës

Ministria e mbrojtjes i fsheh të dhënat mbi pjesëtarët aktiv të Ushtrisë së  Serbisë të akuzuar për krime të luftës

Ministarstvo odbrane

Në datën 18 korrik të vitit 2016, Komisionari për informata të rëndësisë publike dhe mbrojtje të të dhënave mbi personalitetin (Komisionari) i është drejtuar me kërkesë Qeverisë së Republikës së Serbisë që ta sigurojë ekzekutimin e vendimit  të saj të muajit maj të vitit 2014, me të cilin e ka urdhëruar Ministrinë e mbrojtjes (MM) që Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) t’ia dorëzojë informacionet nëse dy oficerë të Ushtrisë së Serbisë (US) – Pavle Gavriloviqi dhe Rajko Kozlina – edhe më tutje janë në shërbim aktiv [pas ngritjes së aktakuzës kundër tyre për krime të luftës). FDH konsideron se Qeveria e Serbisë duhet që në mënyrë prioritare të veprojë në lidhje me këtë kërkesë të Komisionarit, që t’i urdhërojë MM që informacionet e kërkuara t’i dorëzojë dhe me këtë qartazi ta bëjë me dije se organet shtetërore nuk guxojnë ta shkelin të drejtën e publikut për të qenë në dijeni për faktet e krimeve  të së kaluarës dhe rolin e shtetit në to, posaçërisht kur në ato krime janë të përfshirë persona, të cilët edhe më tutje janë në shërbim shtetëror.

Rreth 10% të të gjithë personave të akuzuar për krime të luftës në Serbi në momentin e akuzës kanë qenë aktiv në shërbimin shtetëror.

Prokuroria për krime të luftës (PKL) ka ngritur në muajin nëntor të vitit 2013 aktakuzën kundër oficerëve dhe nënoficerëve aktiv të Ushtrisë së Serbisë Pavle Gavriloviqit dhe Rajko Kozlinës për krime të luftës kundër popullatës civile. Me aktakuzë atyre iu vihet në barrë se, si ish anëtarë të brigadës së motorizuar 549 të Ushtrisë së Jugosllavisë (br. e mt.  549 e UJ), së bashku me pjesëtarë të tjerë të Batalionit të Logjistikës, në datën 25 mars të vitit 1999 kanë  vrarë së paku 27 civilë, banor të fshatit Tërnj të Suharekës (Therandë) në Kosovë – pleq, gra dhe fëmijë, në mesin e të cilëve edhe një djalë në moshën katër vjeçare. Procedura e shkallës së parë para Departamentit për Krime të Luftës të Gjykatës së Lartë në Beograd është në zhvillim e sipër.

Menjëherë pas ngritjes së aktakuzës, FDH i ka dërguar kërkesë MM-së për të dorëzuar informacionin nëse dy oficerët në fjalë janë në shërbim aktiv në US edhe pas ngritjes së aktakuzës nga PKL. MM e ka refuzuar  kërkesën e FDH-së, duke u shprehur se të dhënat e kërkuara janë të mbrojtura si të dhëna personale dhe si të dhëna „të rëndësishme për mbrojtjen e vendit”, dhe që, me dhënien e tyre, „do t’i shkaktonte dëm aftësisë operuese dhe funksionale të Ushtrisë për kryerjen sipas ligjit dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Serbisë të detyrave dhe të misionit të caktuar, përkatësisht se me dhënien e tyre do t’i shkaktohej dëm interesave të mbrojtjes së Republikës së Serbisë, që mbipeshojnë mbi interesat për qasjen e lirë ndaj informacioneve me interes publik”.

Duke sjellë vendimin në lidhje me ankesën e FDH-së, Komisionari, në vitin 2014 i ka refuzuar argumentet e Ministrisë dhe ka urdhëruar që të dhënat e kërkuara të dorëzohen. Komisionari në arsyetimin e tij ka vënë në spikamë se MM nuk ka treguar „se çfarë dëmi i parashikueshëm mund t’i shkaktohej aftësisë operuese dhe funksionale të Ushtrisë “, si dhe faktin se kërkesa e FDH-së ka ta bëjë me informacionet mbi persona profesional ushtarak në kryerjen e detyrës zyrtare, dhe jo me informata mbi jetën e tyre private dhe se ato, së këndejmi, nuk janë të mbrojtura.

Për shkak të refuzimit të MM-së për të vepruar në lidhje me vendimin, Komisionari  i ka sjellë edhe tri përfundime në periudhën prej muajit shtator të vitit 2015 deri në muajin qershor të vitit 2016, me anë të të cilave i ka shqiptuar dënimet me gjobë në të holla në shumën e tërësishme prej 200.000 dinarësh. Pasi që MM nuk e ka zbatuar vendimin edhe pas një vargu të dënimeve, Komisionari, siç pohohet, i është drejtuar Qeverisë së Republikës së Serbisë me qëllim që ajo ta detyronte MM-në që të veprojë në pajtim me vendimin e Komisionarit.

FDH, pas ngritjes së aktakuzës, i është drejtuar me anë të apelit shefit të Shtabit të Përgjithshëm të US-së Ljubisha  Dikoviqit, në pajtim me Ligjin mbi Ushtrinë e Serbisë (neni 77), që t’i largojë të akuzuarit Gavriloviq dhe Kozlina nga shërbimi ushtarak. FDH deri sot nuk ka marrë kurrfarë përgjigje.

Sjellja e këtillë e MM-së nuk është rast i izoluar. Me fjalë të tjera, MM këto vitet e fundit, në mënyrë të paligjshme po e pengon qasjen ndaj informacionit dhe dokumenteve të rëndësisë publike relevante për rekonstruktimin e ngjarjeve nga e kaluara, duke përfshirë edhe faktet mbi krimet e kryera dhe personat përdhunshëm të zhdukur. FDH në Raportin e vitit 2016 („Qasja ndaj dokumenteve mbi krimet kundër të drejtës ndërkombëtare në posedim të institucioneve të Serbisë: FSHEHTËSIA SHTETËRORE MË E FORTË SE SA E DREJTA NË TË VËRTETËN“) ka paraqitur praktikën shumëvjeçare dhe sistematike të organeve të shtetit në fshehjen e arkivit, që ka të bëjë me krimet e kryera në luftërat e viteve 1990-të.

FDH e përkujton faktin se Prokuroria Publike e Republikës (PPR) kohët e fundit është përpjekur për t’i dhënë legjitimitet sjelljes së paligjshme të MM-së me faktin që, duke vepruar sipas nismës së MM, në muajin prill dhe maj të vitit 2016 në Gjykatën Administrative i ka ngritur dy padi kundër vendimit, me të cilat Komisionari urdhëron që të dorëzohen të dhënat mbi angazhimin profesional të pjesëtarëve të ushtrisë gjatë konfliktit në Kosovë. Në kundërshtim me dispozitat e ligjit mbi qasjen e lirë ndaj informacioneve dhe konfidencialitetin e të dhënave si dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, po edhe të Gjykatës Administrative, PPR në paditë e saj pohon se publiku kurrë nuk ka të drejtë në qasjen ndaj informatave në posedim të organit shtetëror nëse ato janë të shënjuara si konfidenciale.

Hapat, të cilët Qeveria e ardhshme do t’i ndërmarrë në lidhje me kërkesën e Komisionarit do të jenë një tregues i rëndësishëm i qëndrimit të shtetit ndaj të drejtës së publikut në qasje ndaj informacioneve të rëndësisë publike dhe autoritetit të institucioneve të pavarura, por edhe i përkushtimit ndaj parimeve të sundimit të ligjit. Po ashtu, sjellja e Qeverisë do të përfaqësojë masën, me të cilën do të vlerësohet marrëdhënia e saj ndaj detyrimeve ndërkombëtare, posaçërisht të atyre të ndërmarra në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian (BE).

Udhëzimet e BE-së mbi të drejtën në lirinë e shprehjes të vitit 2014 e theksojnë se e drejta në lirinë e shprehjes është një komponent kyç i qeverisjes demokratike dhe se ndriçimi i të dhënave në posedim të subjekteve shtetërore mundet, në kuadër të disa rrethanave, për t’i ndihmuar zbulimit të shkeljes së të drejtave të njeriut – „Garantimi i qasjes ndaj informatave mund t’i shërbejë realizimit të drejtësisë dhe reparacioneve, posaçërisht pas periudhës së shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut.“ Në Udhëzime vihet në spikamë se liria e shprehjes është prioritet për vendet kandidate; se Komisioni Evropian do të përcjellë gjendjen në këtë fushë; se kjo çështje duhet të hapet në fazën e hershme të negociatave për Kapitullin 23 mbi sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut dhe se BE-ja do të gjykojë çdo kufizim të të drejtave në lirinë e shprehje. Me anë të Planit të Veprimit për Kapitullin 23, Serbia është obliguar se do të „përmirësojë rregullat e qasjes së lirë ndaj informacioneve me interes publik dhe zbatimin e tyre në praktikë.”

Komiteti i KB-ve për zhdukjet e përdhunshme  dhe Komiteti kundër torturës  në Konkluzionet e Raportit për Serbinë për vitin 2015 e kanë theksuar domosdoshmërinë e miratimit të rregullave, me anë të të cilave do të garantohet suspendimi i secilit pjesëtar të forcave të sigurimit ose të institucioneve civile, i cili dyshohet për vepra penale, të cilat i mbikëqyrin këto dy komitete.

Share