Urgjentisht të zbardhet sulmi ndaj serbëve në Gorazhdevc

Urgjentisht të zbardhet sulmi ndaj serbëve në Gorazhdevc

fdh_kosovo_logoFondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë) shpreh indinjatë të thellë me sulmin e fundit të armatosur në fshati Gorazhdevc/Goraždevac, komuna e Pejës/Peć. Gjithashtu, FDH Kosovë rikujton se edhe në të kaluarën pothuajse asnjëherë nuk kanë dhënë rezultate hetimet policore për sulmet ndaj serbëve lokal në këtë fshat dhe në tërë rajonin e Pejës.  Dështimi në arrestimin e autorëve të këtij krimi edhe më tutje krijon pasiguri tek qytetarët serbë të këtij fshati dhe të tërë Kosovës dhe ka ndikim negativ në vendosjen e besimit tek institucionet kosovare.

Institucionet lokale dhe ato qendrore në Kosovë vazhdimisht i bëjnë thirrje komunitetit serb që të integrohen në shoqërinë kosovare, por nga ana tjetër nuk shihet ndonjë vullnet politik në praktikë dhe nuk ka veprime të këtyre institucioneve që në të vërtetë t’u krijojnë kushte serbëve që të integrohen në shoqërinë kosovare, të lëvizin lirshëm dhe të kenë siguri të plotë në vendbanimet e tyre. Nuk mjaftojnë thirrjet verbale për integrim por ato duhet të përcillen edhe me veprime konkrete.

FDH Kosovë fton policinë e Kosovës, që në përputhje me mandatin e saj, të merr të gjitha masat e parapara ligjore që të arrestojë dhe sjell para drejtësisë aktorët e kësaj vepre kriminale dhe të parandalojë çfarëdo sulmi  ndaj qytetarëve serbë të Kosovës. FDH Kosovë, gjithashtu, kërkon nga autoritetet lokale që të bëjnë vlerësimin e dëmeve materiale që janë shkaktuar me këtë sulm dhe ti riparojnë dëmet që iu kanë shkaktuar banorëve të Gorazhdevcit.

Të hënën në mëngjes rreth orës 02:50 ka ndodhur sulmi i armatosur në fshatin Gorazhdevc me ç‘rast është djegur një veturë, një shtëpi banimi është goditur nga arma e zjarrit, kurse është dëmtuar përmendorja që përkujton serbët lokal  të vrarë gjatë dhe pas luftës.

Share