Kallëzim penal ndaj pjesëtarëve të policisë për krimin kundër 53 civilëve shqiptarë në Poklek
Fondi për të drejtën humanitare (FDH) më 17 gusht 2015 ka paraqitur kallëzimin penal për krim të luftës ndaj dy pjesëtarëve të panjohur të njësitit të 86-të të Njësive Speciale të Policisë (NjSP) të Ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë (MPB), për shkak të dyshimit të arsyeshëm se më 17 prill 1999 në fshatin Poklek (komuna e Gllogovcit) i kanë vrarë 53 civilë shqiptarë, në mes të të cilëve edhe 24 femra dhe 23 fëmijë. Gjithashtu janë kallëzuar ish-komandanti i njësitit të 86-të të NjSP-së, Dragan Obradoviqi, si dhe komandanti i çetës së cilës kryerësit i përkisnin, përkatësisht për mosparandalimin dhe mosndëshkimin e kryerësve të krimit.
Në ditën 17 prill 1999, rreth orës 16, dy pjesëtarë të njësitit të 86-të të NjSP-së hyrën në oborrin e Sinan Muqollit në Poklek, në shtëpinë e të cilit ishin fshehur 59 persona nga fqinjësia duke përfshirë edhe refugjatët, shumica e të cilëve ishin femra, fëmijë dhe pleq. Sinan Muqolli ka dalë nga shtëpia dhe anëtarëve të NjSP-së u ka thënë se në shtëpinë e tij gjendeshin kryesisht femrat dhe fëmijët, pas së cilës ata i urdhëruan atij t’i nxjerrë të gjithë jashtë me duart lart. Kur të gjithët dolën në oborr, policët i kanë bastisur, dhe pastaj u kanë urdhëruar të kthehen në shtëpi e të mbyllin derën, derisa në oborr i kanë mbajtur vetëm Sinan Muqollin dhe Ymer Elshanin. Pas disa minutash, civilët që ishin në shtëpi dëgjuan rafalët nga oborri, nga drejtimi i vendit ku patën mbetur Sinani dhe Ymeri, të cilët me këtë rast u vranë. Së shpejti pas kësaj, njëri prej policëve e theu dritaren e dhomës ku gjendeshin femrat, fëmijët dhe pleqt dhe pastaj me forcë e hapi derën dhe në dhomë e hodhi një bombë, e cila shpërtheu menjëherë, po pas një ose dy minutash edhe një bombë tjetër. Pas disa minutash, i njëjti polic hyri në dhomë duke kontrolluar a ka të mbijetuar, ndërsa ata që i pa se akoma janë gjallë menjëherë i vrau me rafalë nga pushka automatike.
Pasi që kanë vrarë pothuajse të gjithë civilët në shtëpi, policët sollën dy kova benzine dhe më pas e dogjën dhomën ku gjendeshin trupat e civilëve të vrarë. Katër persona, në mes të të cilëve edhe një fëmijë dyvjeçar, të cilët u kanë mbijetuar bombardimeve dhe rafalëve, por nuk u larguan nga dhoma në kohën e duhur, u dogjën të gjallë.
Në këtë krim u vranë gjithsej 53 civilë, në mes të të cilëve edhe 24 femra dhe 23 fëmijë. Shumica e fëmijëve ishin më pak se shtatë vjeç, ndërsa u vranë edhe dy foshnja njëvjeçare. Gjashtë persona mbijetuan.
Deri më sot askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për këtë krim.
Bashkë me kallëzimin penal, FDH i ka dorëzuar PKL-së edhe 26 dëshmi, në mes të të cilave janë edhe deklaratat e të mbijetuarve dhe dokumentet e AJ-së dhe MPB-së.
Dokumenti i MPB-së i cili ka qenë nxjerrë si dëshmi në rastin Shainoviq etj. para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë konfirmon se pikërisht njësiti i 86-të i NjSP-së ka qenë i pranishëm në Poklek në ditën e krimit, dhe kjo rrjedh nga përshkrimi i uniformave të kryerësit që e dhanë të mbijetuarit të krimit.
Në kohën e krimit, në të njëjtën kohë, në Poklek dhe në rrethinën e tij u zhvillua aksioni ushtarak-policor në të cilën morën pjesë Brigada e 15-të e Blinduar e Armatës së Jugosllavisë (AJ) dhe Brigada e 37-të e Motorizuar e AJ-së, prandaj komandantët dhe anëtarët e këtyre brigadave duhet t’i zbulojnë Prokurorisë për Krimet e Luftës të gjitha njohuritë e tyre në lidhje me krimin dhe kryerësit e tij.
Më shumë detaje në faqen Zona e (pa)përgjegjësisë.