Kryeministri serb premton drejtësi për vëllezërit shqiptaro-amerikanë
Gjatë vizitës së tij në Uashington, kryeministri Aleksandër Vuçiç premtoi se Beogradi do t’i zgjidhë vrasjet e tre vëllezërve shqiptaro-amerikan në vitin 1999, të cilët luftuan për Uhstrinë Çlirimtare të Kosovës.
Vuçiç, i cili ka qenë nën presion nga SHBA-ja për të sjellë para drejtësisë vrasësit e vëllezërve, tha të enjten se Beogradi do të “merret me atë çështje”.
“Mos u shqetësoni. Do ta zgjidhim dhe mendoj se është puna jonë ta bëjmë këtë, është detyra jonë,” tha ai në një fjalim në Uashington gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara.
Vuçiç premtoi gjithashtu se do të ketë përparim në këtë çështje “shumë shpejt, ose shumë më shpejt nga sa mund të presë dikush”.
Vëllezërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, të gjithë qytetarët amerikanë me origjinë shqiptare, udhëtuan për në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1999 për t’iu bashkuar luftës kundër forcave të Sllobodan Millosheviçit dhe u bënë pjesë të një dege vullnetare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të quajtur Brigada e Atlantikut.
Pas marrëveshjes së paqes së vitit 1999 që i dha fund luftës në Kosovë, ata pranuan të shoqëronin disa fqinjët romë në Serbi.
Por kur shkelën në një vijë të pashënuar kufitare midis Serbisë dhe Kosovës, ata u arrestuan nga policia serbe se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme atë që atëherë ishte Jugosllavia.
Pasi kryen dënimet e tyre, ata u arrestuan përsëri, u çuan në një qendër stërvitore të policisë në Petrovo Selo në Serbinë jugore, dhe më pas u ekzekutuan me plumba pas qafe. Trupat e tyre u gjetën më vonë në një varr masiv.
Zyrtarët amerikanë kanë vazhduar të ushtrojnë presion mbi Serbinë për të ndjekur penalisht autorët.
Muajin e kaluar një rezolutë u prezantua në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA duke bërë thirrje që ata që janë përgjegjës për “vrasjet në stil ekzekutimi” të nxirren para drejtësisë, dhe që vrasjet e vëllezërve Bytyqi “të mbeten një faktor i rëndësishëm” në marrëdhëniet e Uashingtonit me Beogradin.
Eliot Engel, është pjesë e Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, e takoi Vuçiçin në Uashington gjatë vizitës së tij për të biseduar për shqetësimet në lidhje me këtë çështje.
“Mezi pres të shoh drejtësi për këtë familje amerikane që ka pritur gati dy dekada që kjo çështje të mbyllej,” tha Engel për “Radio Free Europe / Radio Liberty” pas takimit me Vuçiç.
Para vizitës së Vuçiç, policia serbe pohoi të ketë prova të reja që do të mund të nxjerrin më në fund para drejtësisë vrasësit të tre vëllezërve.
Javën e kaluar u njoftua gjithashtu se do të formohet një komision i ri i posaçëm për të zgjidhur vrasjen, i udhëhequr nga redaktori dhe gazetari i njohur serb Veran Matic.
Por familja e vëllezërve të vrarë mbeten skeptikë për qëllimet e autoriteteve të Beogradit,
“Dje një komision, sot prova të reja, çfarë çmenduri do të pasojë nesër? Kryeministri Vuçiç nuk mund t’i shmanget rolin e tij qendror dhe aktiv në parandalimin e një hetim të besueshëm,” tha për BIRN Praveen Madhiraju, një avokat dhe këshilltar ‘pro bono’ i familjes Bytyqi.
Madhiraju u shpreh se të gjitha provat deri tani tregojnë për përfshirjen e një gjenerali të lartë të policisë speciale, Goran Radosavlevic, i njohur edhe me pseudonimin ‘Guri’.
Radosavljevic, tani në pension, është një anëtar i Partisë Progresive Serbe dhe Madhiraju pretendon se ai po mbrohet nga Vuçiç, i cili është nga e njëjta parti.
Vitin e kaluar, kur u pyet nga BIRN për akuzat, Radosavljevic mohoi çdo përfshirje.
“Kam besim tek institucionet serbe. Nëse duan të më ndjekin penalisht, mund ta bëjnë,” tha ai.