Në PKL nuk ka pasur vullnet të sinqertë që të hetohen krimet e brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë

Në PKL nuk ka pasur vullnet të sinqertë që të hetohen krimet e brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë

#IzSudnice - Sajt  - 4Prokuroria për krime të luftës (PKL) e ka informuar publikun të premten në datën 30 janar të vitit 2015 se ka kërkuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) „dokumentacionin e gjithmbarshëm për rastin Rudnica“. PKL pohon se në lokacionin Rudnica deri tash janë identifikuar 53 trupa, në bazë të të cilave është iniciuar procedura paraprake, kurse dokumentacionin nga FDH e kërkon me qëllim të mbledhjes së mëtejme të të dhënave mbi krimet, të cilat „sipas pohimeve të Fondit për të Drejtën Humanitare, i kanë kryer pjesëtarët e UJ dhe të MPB-së në muajin prill dhe maj të vitit 1999 “. Po ashtu, PKL rikujton se në muajin janar të vitit 2012, në bazë të verifikimit të pretendimeve të FDH-së, kanë vërtetuar se nuk ekziston kurrfarë baze për dyshim se gjenerali Ljubisha Dikoviq ka qenë përgjegjës për krimet e luftës të cekura në Dosjen „Ljubisha Dikoviq“.

FDH e thekson se kërkesa e PKL që FDH t’ia dorëzoj dokumentacionin në lidhje me Rudnicën është tregues i mosveprimit shumëvjeçar lidhur me dëshmitë për krimet e kryera në zonën e br. mt. 37, të cilat i posedon PKL ose ndaj të cilave PKL ka qasje të papenguar.

FDH me këtë rast i vë në spikamë veprimet e deritashme joprofesionale të PKL në pikëpamje të vërtetimit të fakteve mbi krimet, në të cilat janë vrarë persona, trupat e të cilave janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë, si dhe me rastin e vërtetimit të bazueshmërisë së pohimeve nga Dosja „Ljubisha Dikoviq“ të publikuar në muajin janar të vitit 2012. Këto veprime flasin se PKL në të dyja rastet është udhëhequr nga qëndrimet publikisht të shqiptuara mbi interesat nacionale dhe të pritmet e përfaqësuesve më të lartë të pushtetit, duke e injoruar obligimin ligjor të vënies para drejtësisë të përgjegjësve dhe mbrojtjen e të drejtave të viktimave.

1. FDH rikujton se zhvarrosjet në Rudnicë kanë filluar qysh në vitin  2007, kurse trupat e parë janë gjetur në vitin 2013. Megjithëkëtë, madje edhe tri vite para gjetjes së mbetjeve të para mortore, në muajin maj të vitit 2010, PKL aso kohe kishte të dhëna  mbi atë se në lokacionin Rudnicë janë varrosur mbetjet mortore të sjella “nga varrezat primare në zonën e Drenicës, në K dhe M, në fund të muajit maj ose në ditët e para të muajit qershor të vitit 1999”. Pra, PKL, qysh në muajin maj të vitit 2010 disponon me të dhëna se trupat janë sjellë nga Drenica – zonë e përgjegjësisë së brigadës së motorizuar 37. Nuk është e ditur nëse ndonjëherë qoftë edhe një pjesëtar i br. mt. 37, duke e përfshirë edhe komandantin e Repartit për spastrimin e fushëbetejave  të kësaj brigade Radeta Krsmanoviqin, zëvendësinë e tij Hasan Qorbiqin, si dhe eprorin e tij të drejtpërdrejt, komandantin e br.mt. 37 Ljubisha Dikoviqin, nëse, pra, është dëgjuar qoftë edhe një pjesëtar në lidhje me rrethanat e ekzistimit të varrezave primare në zonën e përgjegjësisë së kësaj brigade.

2. Kërkesa për dorëzimin e „dokumentacionit të gjithmbarshëm“ mbi të cilin është bazuar Dosja  „Rudnica“ pa dyshim se tregon edhe se PKL në periudhën e paraprake nuk është përpjekur në mbledhjen e dokumenteve lehtësisht të qasshme, të cilat do të qartësonin rrethanat e vrasjeve dhe të zhvendosjes së trupave në varrezën masive në Rudnicë. Përndryshe, mbi nëntëdhjetë për qind e dokumenteve, mbi të cilat është bazuar Dosja „Rudnica“, janë dokumente autentike ushtarake dhe policore, të cilat shteti ia ka dorëzuar Trubunalit Ndërkombëtar Penal për ish Jugosllavinë (TNPJ) për nevojat e zhvillimit të procedurave që kanë të bëjnë me krimet e kryera në Kosovë (dhe të cilët pastaj në formë të provave janë zbatuar në lëndët Millosheviqi, Millutinoviqi dhe të tjerët dhe V. Gjorgjeviqi). Ato, që nga viti 2009 janë në dispozicion në faqen e internetit të TNPJ të secilit individ dhe institucion. Ato mund të kërkohen sipas lokacioneve, datave, njësive ushtarake dhe policore, emrave, fjalëve kyçe dhe kritereve të tjera. Në mënyrë plotësuese, falë marrëveshjes mbi bashkëpunimin me Prokurorinë e TNPJ ka qasje edhe ndaj  dokumenteve jopublike, përkatësisht në dokumentet e ushtrisë dhe të policisë, që nuk janë paraqitur si prova, kurse në Prokurorinë e TNPJ ka edhe „një zyrtar për ndërlidhje“ të përhershëm.

3. Dhjetë për qind e dokumenteve, mbi të cilat bazohet Dosja „Rudnica“ janë deklaratat e dëshmitarëve/ dëshmitarëve okular – të anëtarëve të familjeve të të vrarëve, trupat e të cilëve janë gjetur në Rudnicë. Sikur PKL ta kishte qëllimin për të vërtetuar rrethanat, në të cilat janë vrarë viktimat, trupat e të cilave janë gjetur në Rudnicë, ka pasur sigurisht kohë të mjaftueshme që gjatë pesë muajve nga vërtetimi i identitetit të viktimave, përmes bashkëpunimit me EULEX-in (që përndryshe i udhëheq hetimet mbi krimet e përshkruara në Dosijen „Rudnica“), të arrijë deri te dëshmitarët e tillë dhe t’i dëgjojë ata në lidhje me rrethanat e vrasjeve dhe të marrjes së më të dashurve të tyre.

4. Pas publikimit të Dosjes „Ljubisha Dikoviqi“ në muajin janar të 2012, në të cilën FDH ka sjellë pohimet dhe provat mbi përfshirjen e br. mt. 37 në krimet ndaj mbi 400 civilëve të shqiptarëve të Kosovës në zonën e përgjegjësisë së br. mt.  37, PKL, për më pak se 48 orë (gjatë të cilave përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv tashmë kishin  „gjykuar“ se pretendimet e FDH-së janë „të pasakta “ dhe  „monstruoze“) e ka lëshuar komunikatën, në të cilën ka informuar se i ka verifikuar pretendimet FDH-së dhe se „nuk ekziston kurrfarë baze për dyshimin për përgjegjësinë penale të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneralit Dikoviq për krime të luftës”.

5. Në mbrojtje të Ljubisha Dikoviqit, PKL në komunikatën e saj ka përdorur madje edhe argumente politike , popullore edhe brenda publikut joprofesional, siç është: „[S]e ka ekzistuar dyshimi se gjenerali Dikoviq është përgjegjës për krimet e luftës në K dhe M në vitin 1998 dhe i 1999, Tribunali i Hagës tashmë kundër tij e kishte iniciuar procedurën në pajtim me kompetencat dhe praktikën e tij (sepse gjenerali Dikoviq aso kohe me gradën e tij ka qenë në pozitë mjaft të lartë si aso kohe i akuzuari, për shembull, në lëndën Shljivançanini dhe të tjerët.“) Siç është e njohur për PKL-në, ky argument është i paqëndrueshëm, për arsye se Prokuroria e GJPNJ për krimet në Kosovë i ka procesuar ekskluzivisht oficerët ushtarakë dhe policor të rangut më të lartë, kurse asnjë oficer në nivel të komandantëve të brigadës. Përfundimisht, PKL vetëm sa e ka rrëzuar argumentin e vet me inicimin e hetimeve kundër komandantit të brigadës së motorizuar 125 Dragan Zhivanoviqit në vitin 2014 për krime të luftës në Kosovë. Me fjalë të tjera, sikur TNPJ të ishte kompetent për të proceduar personat përgjegjës për krime  edhe në nivel të komandës së brigadës, ashtu siç e pohon këtë në mënyrë të pabazuar PKL, atëherë mbase do ta procesuonte edhe Dragan Zhivanoviqin, posaçërisht nëse kihet parasysh se GJNPJ në aktgjykimet e saj i ka analizuar krimet e kryera në zonën e përgjegjësisë së kësaj brigade.

6. Në komunikatën e muajit janar të vitit 2012, me të cilën hidhen poshtë pretendimet e FDH-së në Dosjen Ljubisha Dikoviq, PKL jo vetëm që mohon pretendimet e FDH-së, por edhe ia shton, për një institucion siç është PKL në mënyrë shumë të pazakontë, një „ode humanitetit“ për gjeneralin Dikoviq. Me fjalë të tjera, PKL vë në spikamë para publikut se në dokumentacionin e saj nuk ka të dhëna mbi përfshirjen e Dikoviqit në krime, por se i ka deklarata e fëmijëve romë, të cilëve Dikoviqi iu ka ndihmuar në Pusta Sellë (gjë që fare nuk ceket në Dosje dhe që gjendet në komunën e Rahovecit).

7. Nga përmbajtja e komunikatës dhe shpejtësia me të cilën pretendohet se janë verifikuar gjetjet e FDH-së  për Dosjen „Ljubisha Dikoviq“ është e qartë se PKL nuk i ka respektuar parimet e punës të përcaktuara me ligj, e posaçërisht obligimin e mbrojtjes së të dëmtuarve (viktimave). Me fjalë të tjera, në lidhje me Dosjen e FDH-së janë prezantuar pretendimet mbi nëntë krime të ndara të kryera gjatë viteve 1998 dhe 1999 anë e kënd Kosovës, në të cilat janë vrarë rreth 400 civilë. Duke i pasur parasysh përmasat e këtyre krimeve, zhvillimi i hetimeve të gjithmbarshme dhe të paanshme do të kërkonte marrjen e deklaratave nga një numër i madh i dëshmitarëve – dëshmitarëve okular potencial të krimeve. Përfundimi i arsyeshëm është se 48 orë jo të plota janë përfundimisht të pamjaftueshme për verifikimin e pretendimeve mbi krimet e këtyre përmasave.

Në fund, a ka shpjegim logjik për atë se në rastin e verifikimit të pretendimeve mbi vrasjen e 400 civilëve kanë qenë të nevojshme më pak se 48 orë, se gjithçka është verifikuar „me dy klikime“ në kompjuter, kurse në pikëpamje të rrethanave të vrasjes së viktimave, trupat e të cilëve janë gjetur në Rudnicë, për të cilët qysh nga viti 2010 dihet se janë vrarë në Drenicë, përgjigjen po e presim tash e pesë vite?

8. Jo vetëm se i ka mohuar në vitin 2012 pretendimet nga Dosja „Ljubisha Dikoviq“ – por PKL ka mbetur në mbrojtjen e përgjithshme të ushtrisë dhe angazhimit të saj gjatë luftës, duke e quajtur të vetmin institucion „të papërlyer“ dhe me këtë duke iu bashkuar sulmit të Ministrisë së Mbrojtjes (MM) dhe aktorëve të tjerë politik mbi sulmin e qëllimshëm dhe nga jashtë të instruktuar ndaj Ushtrisë së Serbisë. Kështu, në emisionin Se mos ndoshta jo (Da možda ne), të transmetuar në datën 26 janar të vitit 2012 në RTS (1:03) dhe kushtuar Dosjes Ljubisha  Dikoviq, zëdhënësi i asokohshëm i PKL Bruno Vekariq, në stilin e akuzave kundër FDH-së të cilat këto ditë me rastin e Dosjes „Rudnica“ po i drejtojnë përfaqësuesit e pushtetit, ka qenë në harmoni me deklaratën e përfaqësuesit të MM se FDH qëllimisht e ka zgjedhur pikërisht atë moment për të publikuar pretendime të pasakta mbi Shefin e Shtabit të Përgjithshëm me qëllim që ta dëmtojë autoritetin e shtetit dhe të ushtrisë në momentin e përparimit të Serbisë në proceset e integrimeve evropiane.

9. Mungesa e punës profesionale të PKL-së në lëndët të cilat, duke u bazuar në vlerësimet e aktorëve politik, do të mund të shkaktonin dëm politik dhe do të rrënonin autoritetin e Serbisë, shihet edhe në sjelljen në rastin e kampeve të përqendrimit për boshnjakët në Serbi. Me fjalë të tjera, pasi që FDH ka dorëzuar kallëzimin penal për krimet e luftës kundër popullatës civile kundër mbi 50 pjesëtarëve të MBP-së, UJ-së dhe Sigurimit të Shtetit për shkak të vrasjeve, keqtrajtimit dhe sjelljes çnjerëzore, PKL e ka refuzuar atë kallëzim penal pa e pas dëgjuar qoftë edhe njërin prej rreth 70 dëshmitarëve të propozuar boshnjak – viktima të keqtrajtimit dhe të sjelljes çnjerëzore. FDH, për shkak të mungesës së zhvillimit të hetimeve të pavarura dhe gjithëpërfshirëse ia ka parashtruar ankesën Gjykatës Kushtetuese në Serbi, kurse pastaj edhe përfaqësuesit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në fund, FDH e cek se deklaratat e dëshmitarëve, të cilat i ka në posedim FDH dhe FDH Kosovë, do t’ia dorëzojë PKL në pajtim me rregullat e FDH-së, përkatësisht pas marrjes së pajtimit nga vet dëshmitarët, dhe do t’i ofrojë lloj tjetër të ndihmës në mbledhjen e provave dhe në identifikimin e viktimave dhe të dëshmitarëve, si edhe në shumë lëndë të tjera në të cilat FDH dhe PKL më herët kanë bashkëpunuar (Ovçar, Suhareka, Qyshku, Tërnje, Srebrenica, Grupi i Gjilanit, Lovas, Lubeniqi, Bytyqi, Shtërpca dhe të tjera). FDH i bënë ftesë PKL që të zhvillojë hetime profesionale, të pavarura dhe gjithëpërfshirëse mbi krimet e pakundërshtueshme në zonën e përgjegjësisë së brigadës së motorizuar 37, si dhe në fshehjen e trupave në varrezën masive në Rudnicë, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin dhe në interes të drejtësisë dhe të së vërtetës.

Share