Gjykata e Apelit në Beograd: Tri vite burgosje për krim të luftës ndaj plakut të pafuqishëm
Gjykata e Apelit në Beograd e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Pozharevc, me të cilën i akuzuari Boban Petkoviqi për shkak të krimit të luftës kundër popullatës civile ishte dënuar me dënimin me burgosje në kohëzgjatje prej pesë vitesh. Me këtë aktgjykim, Gjykata e Apelit në Beograd ia zvogëlon dënimin me burgosje në kohëzgjatje prej tri vitesh. Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) konsideron se dënimi në kohëzgjatje prej tri vitesh është jashtëzakonisht i ulët, kurse rrethanat lehtësuese, të cilat Gjykata e Apelit i ka gjetur në favor të të akuzuarit janë të papranueshme nga pikëpamja e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës.
Procedura në këtë lëndë ka filluar në vitin 1999 para gjykatës së Qarkut në Pozharevc, (tash Gjykata e Lartë) dhe aktgjykimet e shkallës së parë dy herë janë refuzuar dhe lënda është kthyer në procedurë të përsëritur. Në muajin shkurt të vitit 2013, Gjykata e Lartë në Pozharevc ka sjellë aktgjykimin e tretë të shkallës së parë, me të cilin të akuzuarin e ka gjykuar me dënimin me burgosje në kohëzgjatje prej pesë vitesh, sepse ka vërtetuar se i akuzuari Boban Petkoviqi, si pjesëtar i MPB-së, në datën 9 maj të vitit 1999, në vendin e quajtur „Rija“, në dalje të Rahovecit (Kosovë), deri sa ka qenë në kryerje të shërbimit të sigurimit të rrugës, i ka vrarë tre shqiptarë kosovarë. Duke e parë plakun Ismail Durguti se si po ikte nga rajoni ku po zhvilloheshin luftimet, e ka zënë atë, e ka rrëzuar për toke dhe e ka vrarë me një plumb të revoles. Pastaj është drejtuar në shtëpinë në afërsi, në të cilën e ka vrarë çiftin bashkëshortor Sezair dhe Shefkije Miftari duke shtënë mbi ta më shumë plumba nga pushka automatike.
Duke vendosur mbi ankesat e prokurorit dhe të mbrojtësit të të akuzuarit, Gjykata e Apelit në Beograd e ka hapur shqyrtimin gjyqësor kryesor, gjatë të cilit, midis të tjerash, ka marrë në pyetje ekspertin ligjor të balistikës. Gjykata e Apelit pas përfundimit të shqyrtimit, e ka shpallur fajtor Boban Petkoviqin për vrasjen e Ismail Durgutit, kurse atë e ka liruar nga fajësia për vrasjen e Sezair dhe Shefkije Miftarit. Si rrethana lehtësuese në anën e të akuzuarit, Gjykata e Apelit e ka vlerësuar faktin se ai ka qenë i pagjykuar, kohën e kaluar nga kryerja e veprës penale, rrethanat pronësore dhe familjare, „seriozitetin e situatës, në të cilën është gjendur në rastin kritik“ dhe „statusin e tij psikik“.
FDH e thekson se trupi gjykues i Gjykatës së Apelit, duke e zvogëluar dënimin për krim të luftës nën minimumin ligjor me anë të zbatimit të një vargu të rrethanave lehtësuese joadekuate, e ka lajthitur drejtësinë për viktimat në këtë lëndë. Kalimi i kohës nga kryerja e veprës penale është rrethanë, e cila në këtë rast nuk ka guxuar të zbatohet, sepse e njëjta rrethanë është rezultat i punës joprofesionale dhe i zvarritjes së panevojshme të procedurës. Është i papranueshëm edhe qëndrimi i gjykatës se „serioziteti i situatës, në të cilën është gjendur në rastin kritik “ është rrethanë lehtësuese për të akuzuarin, kur edhe në faqen 4 të aktgjykimit thuhet „pra, siç është vërtetuar në mënyrë të pakontestueshme, i ndjeri nuk ka pasur shenja të kurrfarë organizate terroriste, nuk ka pasur armë me vete, ke qenë duke ikur nga drejtimi prej nga janë dëgjuar të shtënat, kurse ka qenë fjala për një njeri mjaft të moshuar, i cili ka qenë në gjendje të rëndë, sepse edhe ishte i plagosur “. Petkoviqi, në situatë të tillë e ka zënë dhe e ka rrëzuar për toke të ndjerin Ismail Durgutin, pastaj e ka tërhequr revolen nga dora e një pjesëtari tjetër të MPB-së dhe ka shtënë me plumb nën mjekër të të ndjerit Ismail, që flet për një pandjeshmëri dhe brutalitet të skajshëm të të akuzuarit dhe, së këndejmi, kjo rrethanë është dashur të trajtohet si rrethanë vështirësuese. Gjykata e Apelit po ashtu nuk ka dhënë arsyetim se cili është ai “status psikik” i të akuzuarit me qëllim që të arsyetohet zbutja e dënimit nën minimumin ligjor.
Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit përmban edhe një varg gjetjesh problematike, të cilat në mënyrë më të thellë do të analizohen në raportin vjetor të vitit 2014 mbi gjykimet për krimet e luftës.
FDH vë në spikamë se lënda kundër Boban Petkoviqit është një nga dhjetëra lëndët të cilat edhe pas themelimit të institucioneve të specializuara për procedimin e krimeve të luftës kanë mbetur në kompetenca të gjykatave dhe të prokurorisë me përgjegjësi të përgjithshme. Në secilën prej atyre lëndëve, të cilat i ka përcjellë FDH, duke e përfshirë edhe lëndën kundër Boban Petkoviqit, janë vërejtur shkelje flagrante të ligjit, mosinteresim dhe paragjykime të prokurorisë dhe të gjykatave ndaj kryerësve serb të krimeve si dhe një politikë shumë e butë ndëshkimore. Së këndejmi, FDH i bënë ftesë Prokurorisë Publike të Republikës dhe PKL që, në përputhje me Ligjin mbi Prokurorinë Publike, këto lëndë t’i bartë në kompetenca të PKL, në mënyrë që ato procedura të zbatohen në pajtim me parimet e ligjshmërisë dhe të drejtësisë.