Komunikatën e FDH Kosovë: “Arratisja e pjesëtarëve të grupit të Drenicës është turp për Kosovën”

Komunikatën e FDH Kosovë: “Arratisja e pjesëtarëve të grupit të Drenicës është turp për Kosovën”

fdh_kosovo_logoFondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë) shpreh zhgënjimin e thellë në institucionet e Kosovës si dhe në qëndrimin e shoqërisë civile dhe ndaj një pjese të mediave në lidhje me lejimin e largimit të të akuzuarve për krime lufte ndaj popullatës civile, Sami Lushtaku, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari, nga masa e paraburgimit.

Ky rast dëshmon se sistemi i drejtësisë dhe ai i sigurisë nuk mund të quhen institucione serioze të shtetit dhe, si shtet i tillë, Kosova nuk mund të pretendojë që të jetë palë serioze dhe të trajtohet me dinjitet dhe e barabartë nga mekanizmat ndërkombëtarë dhe shtetet e tjera. Edhe më brengosës është fakti se qytetarët e Kosovës edhe më tutje do e thellojnë mosbesimin në sistemin e drejtësisë dhe kjo do të ndikojë në mosgatishmërinë e tyre për bashkëpunim me të. Gjithashtu, heshtja e shoqërisë civile në lidhje me këtë akt si dhe arsyetimi i një akti të tillë nga media të caktuara është shumë shqetësuese. Kjo tregon se në Kosovë është duke u krijuar një klimë ku ikja nga ligji, madje, edhe e individëve që janë bartës të funksioneve publike dhe politike, nuk e shqetëson askënd dhe në mënyrë të heshtur aprovohet.

Në prononcime të shumta të Ministrit të Drejtësisë, z. Hajredin Kuçi, është thënë se institucionet kosovare kanë kapacitete për t’u ballafaquar me cilindo rast të drejtësisë. Rasti i djeshëm tërësisht e demanton ministrin Kuçi. Për më tepër, FDH Kosovë, vlerëson se organet kompetente kanë kontribuuar në një situatë të tillë sepse, edhe përkundër reagimeve të ndryshme për mbajtjen e të akuzuarve në hapësirat e QKUK-së, nuk kanë ndërmarrë masa adekuate për parandalimin e ikjes së tyre.

FDH Kosovë bën apel tek organet e rendit që sa më shpejtë që të jetë e mundur të gjejnë dhe arrestojnë të akuzuarit dhe në këtë mënyrë ta parandalojnë këtë situatë ku kërkohet që të negociohet vendimi i gjykatës. Gjithashtu, FDH Kosovë kërkon që të bëhet hetim i brendshëm në mënyrë që të zbulohen dhe sanksionohen individët apo strukturat, të cilat kanë lejuar apo nuk kanë parandaluar shmangien e të akuzuarve nga paraburgimi. Në të kundërtën vërtetohet se në Kosovë nuk është duke u zbatuar fare sundimi i ligjit.

Share