Në lidhje me aktgjykimin e Vlastimir Gjorgjeviqit e Dhomës së Apelit të GJPNJ

Në lidhje me aktgjykimin e Vlastimir Gjorgjeviqit e Dhomës së Apelit të GJPNJ

Logo FHP

Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavi (GJPNJ) sot e ka sjellë vendimin e prerë kundër ish ndihmësministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) dhe shefit të Drejtorisë së Sigurimit Publik të MPB-së (DSP) Vlastimir Gjorgjeviqit me ç ‘rast i është ulur dënimi prej 27 vjet në 18 vjet burg.

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) thekson se në konstatimet e veta ligjore dhe faktike aktgjykimi e konfirmon natyrën sistematike të krimeve kundër civilëve shqiptarë në konfliktin e armatosur në vitin 1998 dhe 1999 në Kosovë si dhe rolin kyç të përgjegjësisë së institucioneve serbe. Megjithatë, FDH mendon që empatia ndaj moshës se shtyrë është bazë e papërshtatshme për uljen e dënimit ndaj Vlastimir Gjorgjeviqit, duke marr parasysh pasojat e veprave të Gjorgjeviqit –veçanërisht numrin e të vrarëve dhe personave të zhdukur si dhe përgjegjësinë për zgjatjen e vuajtjeve të familjeve të personave të zhdukur për fshehjen e trupave të të dashurve të tyre.

Sipas gjetjeve së Dhomës së Apelit Vlastimir Gjorgjeviq ishte një nga pjesëmarrësit në ndërmarrjen e përbashkët kriminale që kishte për qëllim ndryshimin e përbërjes etnike të Kosovës dhe vendosjen e kontrollit serb mbi atë krahinë. Vlastimir Gjorgjeviq ka pasur një kontribut të veçantë në ndërmarrjen e përbashkët kriminale duke pasur parasysh rolin kyç në aksionin e koordinuar për të lëvizur trupat nga Kosova në lokacione në Serbi me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimit. Dhoma Gjyqësore në vitin 2001 ka konstatuar se në Batajnicë ishin zhvarrosur 744 trupa, në fshatin e Petrosellës 61 trupa, ndërsa në liqenin Peruçac ishin gjetur eshtrat e 84 personave që u vranë në Kosovë. Vendimin për të fshehur trupat e shqiptarëve të Kosovës e solli Sllobodan Millosheviqi, në një takim me zyrtarë të policisë ku morën pjesë ministri i atëhershëm i punëve të brendshme Vllajko Stojiljkoviq , Vlastimir Gjorgjeviq dhe kreu i sigurimit shtetëror Rade Markoviq.

Gjeneral Gjorgjeviqi kontrollonte gjithë forcën e rregullt dhe rezervë të MPB-së së Serbisë në Kosovë, duke përfshirë njësitë e veçanta të policisë dhe njësitë speciale antiterroriste, pjesëtarët e së cilave kanë kryer vrasje të shumta të civilëve, të tilla, si masakra e grave dhe fëmijëve në Suharekë dhe Podujevë apo djegia dhe ekzekutimi i 114 meshkujve dhe djemve  në Krushë të Vogël në Rahovec.

Me aktgjykimin e shkallës së parë në muajin shkurt 2011 Gjorgjeviqit i është shqiptuar dënimi me 27 vjet burg dhe është shpallur fajtor për të gjitha pesë pikat e aktakuzës me të cilat është akuzuar për krime të kryera kundër civilëve shqiptarë në Kosovë në vitin 1999. Katër pika të aktakuzës ishin në lidhje me dëbim, zhvendosje të dhunshme, vrasje dhe persekutim që si të tilla janë kualifikuar si krime kundër njerëzimit, ndërsa njëra nga pikat ishte në lidhje me vrasje si shkelje e ligjeve dhe zakoneve të luftës.

FDH fton institucionet kompetente që në bazë të materialit mbi provat e shumta në rastin Gjorgjeviq dhe Shajinoviq dhe të tjerët, fuqishëm të procedojnë ndjekjen e atyre që janë përgjegjës për ekzekutim dhe fshehjen e krimeve dhe vuri në dukje se pozitat e larta në institucione, privilegjet dhe dekoratat nuk duhen të jenë pengesë që të sillen para drejtësisë ata që janë përgjegjës për krime masive.

Share