Prezantohet Dosja „Brigada 549 e motorizuar e Ushtrisë së Jugosllavisë“

Ditën e martë, më 20 mars 2013, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) prezantoi Dosjen „Brigada 549 e motorizuar e Ushtrisë së Jugosllavisë“ – dosja e njësisë me të cilën gjatë kohës së konfliktit në Kosovë komandoi Bozhidar Deliq.

Sandra Orloviq, drejtoreshë ekzekutive e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), tha me këtë rast se qëllimi i Dosjes është të tërheq vërejtjen mbi mungesën e ndjekjeve penale për krimet në masë kundër civilëve shqiptarë në komunat e Prizrenit, Gjakovës, Suharekës dhe Rahovecit. Ajo në veçanti iu referua krimit të kryer më 26 mars 1999 në fshatin Landovicë, me ç’rast u vranë 17 civilë shqiptarë. Në këtë ditë, brigada e motorizuar 549 e granatoi Landovicën, pas së cilës pjesëtarët e saj hynë në fshat duke djegur shtëpitë dhe duke hedhur ne erë xhaminë e fshatit. Ibish Morina dhe Haxhi Qarreti, banorë të Landovicës, dëshmuan përmes video-lidhjes për ngjarjen që kishte ndodhur atë ditë në fshat, kur pjesëtarët e brigadës së motorizuar 549 vranë disa anëtarë të familjeve të tyre, mes të cilëve edhe fëmijët e tyre të mitur.

Milomir Matoviq, avokat i FDH-së që përfaqëson viktimat dhe palët e dëmtuara në rastet Qyshk dhe Tenjë 2, foli për mundësinë që të kërkohet përgjegjësia bazuar në zinxhirin komandues në Serbi, duke vlerësuar se nga kjo çështje do të varet se sa adekuate do të jetë përgjigja e institucioneve të Serbisë ndaj krimeve të rënda të kryera në të kaluarën. Ai theksoi se organet e drejtësisë në Serbi asnjëherë deri më tani nuk kanë zbatuar parimin e përgjegjësisë sipas zinxhirit komandues për rastet e krimeve të luftës të kryera gjatë viteve të nëntëdhjeta, edhe pse janë të detyruar të veprojnë kështu në bazë të Protokollit Shtesë (I) të Konventës së Gjenevës, të cilën RSFJ e ka ratifikuar në vitin 1979, Udhëzimeve për zbatimin e rregullave të së drejtës ndërkombëtare në kohë lufte nga forcat e armatosura të RSFJ-së të vitit 1988, si dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare zakonore.

Në Dosje janë përshkruar veprimet e brigadës së motorizuar 549 të Ushtrisë së Jugosllavisë në zonën e saj të përgjegjësisë, e cila përfshinte komunat Prizren, Gjakovë, Rahovec dhe Suharekë, gjatë periudhës 24 mars – 10 qershor 1999. Pjesëtarët e forcave serbe gjatë periudhës në fjalë vranë 2.174 civilë – shqiptarë të Kosovës – 459 nga të cilët u gjetën në varrezat masive në Serbi, kurse 375 akoma llogariten si të zhdukur.

Share