Padi penale për shkak të vrasjes së dy civilëve shqiptarë në Pejë në datën 26 mars të vitit 1999
Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) ka ngritur në datën 8.03.2013 padinë penale në Prokurorinë për Krime të Luftës të Republikës së Serbisë kundër shtatë personave për shkak të krimit të luftës kundër popullatës civilet të kryer në Pejë në datën 26 mars të vitit 1999.
Padia është ngritur kundër dy personave të identifikuar dhe pesë personave NN për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se në orët e pasdites të datës 26 mars të vitit 1999, si pjesëtarë të forcave serbe, të armatosur dhe në uniforma të maskuara kanë hyrë në shtëpinë familjare të shqiptarit E.K. në Pejë dhe në prani të familjarëve i kanë vrarë dy anëtarë të familjes së E.K.
Sipas të dhënave të FDH-së, në periudhën prej datës 24 e deri në datën 28.03.1999, në qytetin e Pejës forca serbe kanë kryer aksionin e organizuar të dhunës ndaj qytetarëve të Pejës të kombësisë shqiptare. Pjesëtarët e forcave serbe kanë hyrë me dhunë në shtëpitë shqiptare, kanë kryer bastisje të paligjshme, ua kanë marrë paratë dhe gjërat e tjera të çmueshme, i kanë rrahur dhe në mënyra të tjera i kanë keqtrajtuar civilët të cilët i kanë hasur në shtëpi e pastaj i kanë detyruar që t’i braktisin shtëpitë dhe të shkojnë në Shqipëri. Në vendbanimet Brzhenik, Kapeshnicë, Fusha e Pejës dhe në të tjera, pjesëtarët e forcave serbe i kanë vrarë 74 civilë shqiptarë (70 meshkuj dhe katër gra), shpesh para familjeve të tyre. Trupat e 42 prej tyre janë gjetur në vitin 2001 në varrezat masive në Batajnicë, kurse për trupat e katër personave ende janë duke u bërë kërkime. Asnjë kryerës i këtyre vrasjeve deri tash nuk është sjellë para drejtësisë.