Oficerët dhe ushtarët e UJ dënohen për krime të luftës të kryera në Kosovë

Trupi Gjykues i Gjykatës së Lartë në Nish, me të cilin ka kryesuar gjykatësja Dijana Jankoviq, ka shqiptuar në datën 3.08.2012 aktvendimin ndëshkues për pjesëtarët e fajësuar të Ushtrisë së Jugosllavisë – oficerët Zlatan Mançiq dhe Radeta Radojeviqin, dhe ushtarët e rregullt, Danillo Teshiq dhe Mishel Seregi, për vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, të kryera në Kosovë në muajin prill të vitit 1999. Të akuzuarit nuk kanë qenë të pranishëm gjatë shpalljes së vendimit gjyqësor. Kryetarja e trupit gjykues i ka lexuar dënimet me burgosje, por nuk e ka lexuar arsyetimin e aktvendimit, duke konsideruar se „kjo nuk është e nevojshme, sepse të akuzuarit nuk janë të pranishëm dhe në mënyrë që pa nevojë të mos i lodh të pranishmit“.

Gjykata e Lartë në Nish i ka konfirmuar dënimet me burgosje të Gjykatës Ushtarake Supreme të datës 22.05.2003, e cila Teshiqit dhe Seregit i ka shqiptuar dënime më të ulëta, duke marrë parasysh pranimin e tyre gjatë hetimeve dhe në seancën kryesore gjyqësore. I akuzuari Teshiq dhe Seregi, në ndërkohë i kanë tërhequr pranimet e tyre, gjë që, si duket, nuk ka ndikuar në vendimin e Gjykatës së Lartë në pikëpamje të lartësisë së dënimit me burgosje të shqiptuar për këta dy të akuzuar. Mbetet çështja lidhur me rrethanat lehtësuese , të cilat gjykata i ka pasur parasysh kur ka vendosur që Teshiqin ta dënoj me 7 (shtatë), kurse Seregin me 5 (pesë) vite burgosje. Mohimi i krimit, krejt në mënyrë të sigurt, hyn në rrethana vështirësuese.

Faktet
Gjykimi i parë i gjykatës së shkallës së parë ka filluar në datën 16.09.2002 në Gjykatën Ushtarake në Nish. Të akuzuarit, Teshiq dhe Seregi, në seancën kryesore gjyqësore, si edhe gjatë hetimeve kanë pranuar se sipas urdhrave të eprorëve të tyre, Mançiqit dhe Radojeviqit, i kanë vrarë dy civilë shqiptarë në muajin prill të vitit 1999 në dalje nga Kushnini. Të akuzuarit Mançiq dhe Radojeviq i kanë mohuar pohimet e aktakuzës si dhe ato të mbrojtjes së të akuzuarve Teshiq dhe Seregija.

Gjykata Ushtarake në Nish e ka gjykuar të akuzuarin Mançiq me 7 (shtatë) vite burgosje, të akuzuarin Radojeviq me pesë (5) vite burgosje, të akuzuarin Teshiq me katër (4) vite burgosje dhe të akuzuarin Seregija me tri (3) vite burgosje. Duke vendosur në lidhje me ankesën e mbrojtjes dhe të prokurorisë ushtarake, Gjykata Ushtarake Supreme në datën 22.05.2003 e ka ndryshuar aktgjykimin në pikëpamje të dënimit dhe e ka gjykuar të akuzuarin Mançiq me 14 (katërmbëdhjetë) vite të burgosjes, të akuzuarin Radojeviq me 9 (nëntë) vite të burgosjes, të akuzuarin Teshiq me 7 (shtatë) vite të burgosjes dhe Seregin me 5 (pesë) vite të burgosjes.

Gjykata Supreme e Serbisë e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Ushtarake Supreme për arsye se ajo ka paraqitur një provë jashtë seancës kryesore gjyqësore. Me fjalë të tjera, Gjykata Ushtarake Supreme ka kërkuar nga KNKK librin e personave të zhdukur në Kosovë, nga i cili ka vërtetuar identitetin e viktimave, të cilat janë subjekt i procedurës.

Gjykimi i përsëritur ka filluar në datën 6.06.2007 në Gjykatën e Qarkut në Nish. Për shkak të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues si dhe riorganizimit të gjykatave, seanca kryesore gjyqësore është nisur nga fillimi i vitit 2010 para Trupit gjykues të Gjykatës së Lartë, me të cilin ka kryesuar gjykatësja Dijana Jankoviq.

Share