Gjelosh Krasniqin

Gjelosh Krasniqi, pjesëtar i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është dënuar më 29.04.2009 me burgim në kohëzgjatje prej shtatë vitesh për krime të luftës kundër popullsisë civile, të kryera në vitin 1999, gjatë kohës së konflikteve të armatosura në Kosovë. Procedura gjyqësore e zhvilluar para trupit gjykues të Gjykatës së Qarkut në Pejë/Peć, e udhëhequr nga gjykatësi Gjanfranco Gallo, ishte e drejtë, por dënimi i shqiptuar është minimal, duke pasur parasysh krimin e kryer.

Në bazë të dëshmive të paraqitura, trupi gjykues vërtetoi se më 24 mars të vitit 1999 i akuzuari Krasniqi udhëhoqi grupin prej katër pjesëtarëve të uniformuar dhe të armatosur të UÇK-së, i cili në fshatin Doblibarë/Doblibare, komuna e Gjakovës/Đakovica,  arrestoi shqiptarin e Kosovës, Pashk Luli, dhe e dërgoi atë në drejtim të panjohur. Që nga ajo kohë, Pashk Lulit, i cili ishte pjesëtar i policisë lokale në Gjakovë/Đakovica, i humbet çdo gjurmë dhe fati i tij nuk është zbardhur as sot e kësaj dite.

FDH-Kosovë tërheq vërejtjen se gjatë procedurës së paraqitjes së provave në këtë lëndë, dëshmitarët kryesorë të akuzës ndryshuan dëshmitë e dhëna gjatë procedurës paraprake. Bëhet fjalë për dëshmitarët e akuzës, në mesin e të cilëve është edhe djali i viktimës, të cilët gjatë procedurës paraprake e identifikuan të akuzuarin si kryes të veprës, përderisa në shqyrtimin kryesor i ndryshuan dëshmitë e tyre, duke pohuar se nuk e njohin fare atë. Me këtë rast, FDH-Kosovë përshëndet vendimin e gjykatës për të shfrytëzuar mundësinë e paraparë me ligj [neni 156, paragrafi 2 i KPPPK] që vendimin ta bazojë në deklaratat e dëshmitarëve të dhëna gjatë procedurës paraprake, si dhe në deklaratat e hetuesve të policisë dhe përkthyesve, të cilët ishin prezent gjatë marrjes së deklaratave. Megjithatë, duke marrë parasysh peshën e veprës penale dhe mënyrën e kryerjes së krimit (viktima është marrë nga shtëpia, në prezencë të anëtarëve të familjes), FDH- Kosovë është e mendimit se gjykata i ka shqiptuar kryesit një dënim shumë të lehtë.

FDH-Kosovë vlerëson se procedura ishte efikase dhe dinamike. Shqyrtimi kryesor filloi më 11 mars 2009, janë zhvilluar gjithsej nëntë seanca gjyqësore dhe janë dëgjuar 17 dëshmitarë, tetë nga të cilët të dëmtuar. Mes dëshmitarëve ishin edhe anëtarët e familjes dhe të afërm të viktimës.

Trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut në Pejë/Peć përbëhej nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gjanfranco Galli, gjykatësi i EULEKS-it, Ferdinando Dautier De Mongeot, dhe gjykatësi kosovar, Osman Cucoviq.

Share