FDH Kosovë në bashkëpunim me Programi për Komunikim dhe Ndërgjegjësim të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) organizuan një cikël të ligjëratave në shkolla të mesme të Kosovës në lidhje me krimet e luftës në Kosovë

pristina-bekimFondi për të Drejtën Humanitare Kosovë në bashkëpunim me zyrën e ICTY në Prishtinë dhe me përkrahjen e Ministrisë së Arsimit te Kosovës, gjatë tetorit, nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2010 kanë organizuar 15 ligjërata në 15 shkolla të Komunave të Kosovës në lidhje me gjykimet para Tribunalit të Hagës për krime të luftës në Kosovë si dhe për regjistrimin emër për emër të humbjeve njerëzore të shkaktuara gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë. Projekti i regjistrimit të humbjeve njerëzore udhëhiqet nga FDH Kosovë.

FDH Kosovë nxënësve të shkollave të mesme ua paraqiti të dhënat statistikore në lidhje me të vrarët, të rënët dhe të zhdukurit të cilat FDH Kosovë i ka mbledhur në kuadër të regjistrimit të humbjeve njerëzore gjatë konfliktit të armatosur duke filluar nga 1 janari i vitit 1998 deri në fund të qershorit të vitit 1999 dhe pas asaj deri në fund të vitit 2000 por të ndërlidhura me konfliktin e armatosur. Nxënësit patën mundësinë që të marrin fakte konkrete mbi ngjarjet në komunat e tyre gjatë konfliktit 1998-1999 siç ishte rasti i vrasjes masive të ndodhur më 26 mars 1999 në Suharekë kur policia serbe vrau 49 anëtarë të familjes Berisha, pastaj vrasjen e 19 grave dhe fëmijëve nga familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë më 28.03.1999 si dhe zhdukjen e 11 meshkujve nga lagjja Tre soliterët në Mitrovicë më 9 qershor 1999. Pas prezantimit, nxënësit dhe profesorët patën mundësinë që në Bazën e të dhënave të FDH Kosovë të kontrollojnë të dhënat e viktimave nga familjes e tyre, si dhe të dhënat për miqtë e tyre të vrarë apo të njohurve tjerë. Duke iu falënderuar prezantimit të Regjistrit të viktimave, nxënësit në ndërkohë kanë dhënë edhe 32 fotografi të viktimave të cilat FDH Kosovë nuk i kishte.

Ligjëratat u organizuan në shkollat e mesme të këtyre komunave:
Prizren, Suharekë/Suva Reka, Gjilan/Gnjilane, Ferizaj/Uroševac, Pejë/Peć, Gjakovë/Đakovica, Istog/Istok, Podujevë/Podujevo, Mitrovicë/Mitrovica, Vushtrri/Vučitrne, Prishtinë/Priština, Shtime/Štimlje, Skënderaj/Srbica, Fushë Kosovë/Kosovo Polje dhe Deçan/Dečani. Ligjëratave nga video prezantimi me të dhënat dhe ngjarjet ishin pjesëmarrës rreth 700 nxënës ku ndër të tjerash përveç nxënësve shqiptarë të pranishëm ishin të pranishëm edhe nxënësit nga komuniteti boshnjak.

FDK Kosovë do të vazhdojë gjatë vitit 2011 ligjëratat me nxënsit e shkollave të mesme në lidhje me atë se çfarë ka ndodhur në bashkësitë lokale në të kaluarën e afërt.

Share