Gjykata Supreme e Kosovës e dënoi ish pjesëtarin e UÇK-së, Idriz Gashin me 14 vjet burg për krime të luftës

Gjykata Supreme e Kosovës, me këshill të përzier të cilin e udhëhoqi gjykatësi Matti Harsia, me 25.11.2010, e vërtetoi vendimin e Gjykatës së Qarkut të Pejës të datës 19.11.2009, me të cilin i akuzuari Idriz Gashi është shpallur fajtor dhe është dënuar me 14 vjet burg. Gjykata Supreme e Kosovës vërtetoi se i akuzuari Idriz Gashi, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me 12.08.1998 në pyllin e quajtur Lugu i Isufit në afërsi të fshatit Vranoc (Pejë) e ka privuar nga jeta Shqiptaren Sanije Balaj me dyshim se ka bashkëpunuar me autoritet serbe.

Fondi për të Drejtën Humanitare vlerëson se Gjykata Supreme e Kosovës në bazë të dëshmive të paraqitura në mënyrë të drejtë ka përcaktuar përgjegjësinë penale të të akuzuarit. Verdikti është i rëndësishëm sepse me te sanksionohet hakmarrja kundër civilëve të cilët janë vrarë gjatë konfliktit të armatosur me dyshimin se kanë bashkëpunuar me armikun.

Faktet

I akuzuari Idriz Gashi, i njohur me nofkën Galani është dënuar për shkak se si pjesëtar i UÇK-së gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, me 12 gusht 1998, ka vrarë Sanije Balajn. Atë ditë Sanija kishte udhëtuar me të afërmit e saj për në Pejë, dhe kur kishin arritur në fshatin Baran, në afërsi të shtabit të UÇK-së, i kishin ndaluar ushtarët. Sanije Balajn e kishte marrë në pyetje komandanti i operativës Cuf Krasniqi, i cili nuk kishte gjetur arsye për ndalje të mëtutjeshme të saj. Nga ana tjetër, i akuzuari Idriz Gashi, në bazë të emrave të shkruar në një notes, i cili ishte gjetur në gjësendet e saj personale, ka konstatuar se vajza bashkëpunon me forcat serbe dhe i ka urdhëruar policit ushtarak Avni Krasniqit që ta shpijë atë në hetime të mëtutjeshme, në Shtabin Kryesor të UÇK-së, në fshatin Gllogjan. I akuzuari Gashi, Ani Krasniqi dhe Sanije Balaj ishin nisur me veturë drejt shtabit kryesorë, dhe kur kishin arritur te pylli në afërsi të fshatit Vranoc, Idriz Gashi i ka urdhëruar Avnisë që ta ndaloj veturën, pastaj i ka urdhëruar Sanijes që të dalë nga vetura dhe të niset drejt pyllit, ku e ka vrarë me armë zjarri. Avnisë i është kërcënuar që të mos flasë për atë çfarë ka ndodhë. Në të njëjtën ditë, Idriz Gashi dhe Avni Krasniqi janë kthyer në pyll, për t’a fshehur trupin e viktimës. Në kohën e vrasjes, në afërsi të vendngjarjes ishte ndodhur djaloshi Durim Hasanaj, i cili ruante bagëtinë. Ai i kishte dëgjuar të shtënat, dhe kur ishte kthyer në shtëpi, për këtë i kishte njoftuar prindërit e tij. Pastaj, menjëherë, i ati i djaloshit Zyber Hasanaj dhe pjesëtarët e UÇK-së Ahmet Ukaj, Hysen Ukaj dhe Sokol Tolaj kishin shkuar në pyll që të shohin se çka kishte ndodhur. Ata kishin hasur në Idriz Gashin dhe Avni Krasniqin. Idriz Gashi i kishte urdhëruar Ahmet Ukës që ti ndihmojë Avni Krasniqit rreth varrimit të vajzës. Pas tri ditësh, i akuzuari i kishte urdhëruar Avni Krasniqit që së bashku më ushtarin e UÇK-së Idriz Balaj i quajtur Toger, ta zhvendosin trupin në Gllogjan, kështu që trupi u hodh në kanalin në afërsi ku gjendeshin edhe 39 trupa tjerë, të cilët u gjetën në Shtator të vitit 1998, dhe u identifikuan në Maj 2007.

Hetimi për vrasjen e Sanije Balaj ka filluar në vitin 2005. I akuzuari Idriz Gashi është depërtuar nga Suedia me 12.11.2006, ku kishte punuar dhe jetuar me familjen. Ngritja e akuzës u bë me 08.02.2007, ndërsa gjykimi i shkallës së parë ka filluar me 09.05.2007, para Gjykatës së Qarkut në Pejë. Gjykata solli vendimin me 22.06.2007, me të cilën i akuzuari u shpall fajtor dhe u dënua me burg në kohëzgjatje 15 vjet. Pas ankesës së palës mbrojtëse, Gjykata Supreme e Kosovës e anuloi vendimin dhe e ktheu lëndën në rigjykim. Rigjykimi zgjati prej 21.10.2009 deri me 19.11.2009. Dëshmitarët që u dëgjuan ishin kryesisht dëshmitarët okular të ngjarjes të cilët i paraprinë apo kishin ndodhë menjëherë pas vrasjes së Sanije Balajt. Mes tyre është edhe dëshmitari kyç Avni Krasniqi, i cili në ditën kritike i kishte vozitur të akuzuarin Idriz Gashin dhe Sanije Balajn nga shtabi lokal në Baran deri te pylli ku ishte kryer vrasja. Kundër këtij dëshmitari, kishte filluar hetimi në fillim të vitit 2006, për rastin e njëjtë, për vepër penale të rrëmbimit. Por, para fillimit të gjykimit të dytë të shkallës së parë, prokurori kishte hekë dorë nga akuza për vepër penale ndaj tij, sepse te dëshmitari Avni Krasniqi nuk kishte gjetur fakte për ekzistimin e qëllimit të tij për ta lënduar Sanije Balajn, sepse ai kishte vepruar sipas urdhrave të të akuzuarit Gashi. Pasi që familja Balaj, si palë e dëmtuar, nuk e kishte vazhduar ndjekjen penale ndaj tij, Avni Krasniqi ishte intervistuar si dëshmitar.

I akuzuari, gjatë tërë gjykimit, e kishte mohuar fajësinë. Ai tha se në ditën kritike, Sanije Balajn në fshatin Pozhar ia kishte dorëzuar Metë Krasniqit, njërit nga komandantët e UÇK-së të asaj ane, në mënyrë që ai ta qonte në Shtabin Kryesor të UÇK-së në Glloxhan dhe t’ua dorëzonte autoriteteve që të vendosin për fatin e saj. Metë Krasniqi, vëllai i dëshmitarit Avni Krasniqi, nuk ka mund të merret në pyetje sepse ishte vrarë nga persona të panjohur në muajin gusht 1999.

Share