Dënimet shembullore për të akuzuarit Musliu dhe Tahiri për rrëmbim dhe detyrim

Gjykata e Qarkut në Gjilan/Gnjilane, më 5.10.2010, në gjykimin e ripërsëritur të shkallës së parë iu ka shqiptuar dënimet unike me burg të akuzuarve, Shefqet Musliut dhe Besim Tahirit, për veprat penale rrëmbim nga neni 64, paragrafët 1, 2 dhe 4 i LPS dhe tentim detyrimi nga neni 180 i LPS. I akuzuari Musliu u dënua me burg në kohëzgjatje prej 10 vjetësh dhe 6 muajsh, përderisa i akuzuari Tahiri u dënua me burg në kohëzgjatje prej gjashtë vjetësh dhe nëntë muajsh.

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë është i mendimit se ky aktgjykim është i drejtë dhe mbështetet në ligj. Ndërkaq dënimi është adekuat me peshën e veprave të kryera penale. Një vendim i tillë do të ndikonte pozitivisht në dekurajimin e kryerësve potencial të veprave të njëjta penale, përderisa, nga ana tjetër, ju ofron kompensim moral viktimave.  I akuzuari Musliu u dënua për shkak të rrëmbimit të dëshmitarit AK i cili ka ndodhur më 8.09.2001 në Novosellë/Novo Selo, [Viti/Vitina], të cilin e ka kryer me kryerësit e tjerë të panjohur.  I akuzuari e ka urdhëruar dëshmitarin AK, i cili në atë çast gjendej në makinën e vet, që ta përcillte deri te një garazh. Kur arritën atje, i akuzuari e mbylli dëshmitarin brenda dhe e keqtrajtoi fizikisht për gjysmë ore për ta detyruar atë që t’i jepte informacione për urdhrin për paraburgimin e tij [të akuzuarit Musliu].  Po ashtu, i akuzuari Musliu u shpall fajtor edhe për shkak të detyrimit të dëshmitarit 1, që u krye me 24.04.2002 në Gjilan/Gnjilane, kur i akuzuari Musliu e ndali makinën në të cilën gjendej dëshmitari 1 dhe, duke mbajtur diçka në dorë  që dukej si armë zjarri. kërkonte para nga dëshmitari. Dhe në fund ai u dënua për shkak të rrëmbimit të dëshmitarëve 3 dhe 4 që u krye në muajin shtator të vitit 2000 në fshatin Dobërqan/Doberčane, në bashkëveprim me të akuzuarin Besim Tahirin, me ç’rast  këta dy i mbanin dëshmitarë të mbyllur për disa ditë.

Procedura penale ndaj të akuzuarve ka filluar me ngritjen e aktakuzës, në datën 9.12.2003, kundër Shefqet Musliut, Besim Tahirit, Jeton Arifit dhe Feriz Qerimit. Në datën 18.12.2003, aktakuza u ngrit edhe kundër Xhevdet Musliut. Me aktakuzën e precizuar të datës 21.01.2004, të akuzuarit Musliu i vihej në barë rrëmbimi i dëshmitarëve 3, 4, AK dhe FY, tentim detyrimi, armëmbajtje pa leje dhe organizimi kriminal; të akuzuarit Besim Tahirit pjesëmarrje në rrëmbimin e dëshmitarëve 3, 4 dhe  FY, si dhe armëmbajtje pa leje; të akuzuarit Jeton Arifit pjesëmarrje në rrëmbimin e dëshmitarëve 3 dhe 4, si dhe organizimi  kriminal; të akuzuarit Feriz Qerimit rrëmbimi i dëshmitarit FY, armëmbajtje pa leje dhe organizimi kriminal; dhe në fund të akuzuarit Xhevdet Musliut rrëmbimi dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Gjykimi i shkallës së parë ka filluar më 16.02.2004, pranë panelit ndërkombëtar të Gjykatës së Qarkut në Gjilan/Gnjilane. Ka përfunduar me aktgjykimin e datës 25.06.2004, me të cilin i akuzuari Shefqet Musliu u shpall fajtor dhe u dënua me dënimin unik me burg në kohëzgjatje prej 12 vjetësh; i akuzuari Besim Tahiri me dënimin unik me burg në kohëzgjatje prej 7 vjetësh; i akuzuari Feriz Qerimi me dënimin me burg me kohëzgjatje prej 5 vjetësh; përderisa Jeton Arifi dhe Xhevdet Musliu u liruan nga akuzat. Duke vepruar sipas ankesave të mbrojtjes, Gjykata Supreme e Kosovës, më 27.03.2007, e ka pezulluar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë lidhur me të akuzuarit Muslin, Qerimin dhe Tahirin, dhe lëndën e ka kthyer në rigjykimin e veprës penale rrëmbimi i të dëmtuarit FY.

Gjykata e Qarkut në Gjilan/Gnjilane e ka rihapur shqyrtimin kryesor në këtë lëndë më 1.09.2010, por vetëm kundër të akuzuarve Musliu dhe Tahiri, sepse i akuzuari Qerimi ka ndërruar jetë në ndërkohë. Ngase prokurori ka hequr dorë nga ndjekja e mëtutjeshme për shkak të mungesës së provave për akuzën e rrëmbimit të të dëmtuarit FY, gjykata i ka ulur dënimet e mëparshme për të akuzuarit. Gjatë përgatitjeve për thirrjen e shqyrtimit kryesor, gjykata ka tentuar të vendos kontakt me të dëmtuarin FY. Për të përcaktuar vendndodhjen e tij, është kërkuar ndihma e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Serbisë. Nga kjo ministri, më 20.08.2010, ka ardhur përgjigjja se është ndërprerë bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Kosovës lidhur me ofrimin e ndihmës juridike. Meqë nuk ekzistonin kushtet që i dëmtuari FZ të merrej në pyetje, ndërsa në anën tjetër nuk kishte  prova të tjera që do ta vërtetonin fajin e të akuzuarve, prokuroria ishte e detyruar të hiqte dorë nga përndjekje e tyre të mëtutjeshme penale.

Share