Refuzohet padia për kompensimin e dëmit viktimave të Podujevës

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Komunale në Beograd, të datës 28 prill 2009, me të cilën refuzohet padia e FDH-së kundër Republikës së Serbisë, e ngritur në emër të familjareve të 14 viktimave shqiptare të krimeve të luftës, të kryera nga pjesëtarët e njësitit rezervë të MPB-së së Serbisë – Shkorpionët.

Me datë 28 mars të vitit 1999, në kuadër të aksionit për dëbimin e popullsisë shqiptare, pjesëtarët e Shkorpionëve vranë 14 gra dhe fëmijë, anëtarë të familjeve Bogujevci dhe Duriqi, në oborrin e  Halim Gashit në Podujevë/Podujevo. Në fillim kanë shtënë në drejtim të Shefkate Bogujevcit, nënës së Fatosit, Jehonës, Liries dhe Gencit. Kur panë se nëna e tyre është qëlluar, fëmijët vrapuan në drejtim të saj. Në atë moment, pjesëtarët tjerë të Shkorpionëve hapën zjarr në drejtim të fëmijëve e pastaj edhe ndaj civilëve tjerë që ndodheshin në oborr. Në këtë krim u vranë 14 gra dhe fëmijë, ku fëmija më i vogël kishte 2 vjet, kurse gruaja më e vjetër kishte 69 vjet. Me këtë rast u plagosën rëndë pesë fëmijë të moshës prej gjashtë deri në katërmbëdhjetë vjet.

FDH-ja bëri padi ndaj Republikës së Serbisë për kompensimin e dëmit jo-material, në emër të familjeve të 14 civilëve të vrarë. Padia është e mbështetur në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe Ligjit për marrëdhëniet obliguese (LMO), të cilat parashohin se Republika e Serbisë është e obliguar t’ia kompensojë dëmin material dhe jo-material secilit person, kur ky dëm është shkaktuar si pasojë e punës së paligjshme dhe të parregullt të personit zyrtar ose organeve shtetërore.

Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Milica Trboviq Svilariq, hodhi poshtë padinë duke pranuar kundërshtimin e prokurorit publik republikan (PPR), përfaqësues i Republikës së Serbisë në këtë procedurë, për shkak të parashkrimit të lëndës penale.

„Ky aktgjykim është pasqyrë e drejtësisë serbe sepse shumë gjykatës nxjerrin vendime duke u udhëhequr nga interesat e buxhetit shtetëror, e jo në përputhje me parimet e drejtësisë dhe së drejtës“, thotë Sandra Orloviq, zëvendëse e drejtoreshës ekzekutive të FDH-së. „Ky aktgjykim flet edhe për moralin e zyrtarëve të Prokurorisë Publikë të shtetit, të cilët nuk munden ose nuk guxojnë t’i pranojnë kërkesat e të dëmtuarve për përmbushje materiale edhe në rastet kur përgjegjësia e shtetit për shkeljen e të drejtave elementare njerëzore është e padiskutueshme“.

Në rastin e procedurës për kompensimin e dëmit për shkak të dëmeve të pësuara në fushëbetejat e ish Republikave të RSFJ-së, të iniciuar nga ish rezervistët e APJ-së, Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Qarkut në Beograd kanë lejuar zbatimin e afatit më të gjatë për parashkrim (15 vite), me arsyetimin se ky „dëm“ është shkaktuar si pasojë e kryerjes së veprës penale të kryengritjes së armatosur. Kur krahasohen këto raste me procedurën të cilën FDH-ja e ka iniciuar në emër të familjeve të civilëve të vrarë shqiptarë, vërehet  se në dy raste identike ligjore Gjykata e Komunale bënë dy interpretime diametralisht të ndryshme – njëra kur janë në pyetje serbët, kurse tjetra kur janë në pyetje shqiptarët dhe viktimat tjera të krimeve të forcave serbe.

Vërejtje:

● Në qershor të vitit 2005, Gjykata e Qarkut në Beograd dënoi me 20 vite burgim Sasha Cvjetanin për shkak të krimit të kryer ndaj civilëve shqiptarë në Podujevë/Podujevo, më 28 mars të vitit 1999. Në këtë aktgjykim, të vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme e Serbisë [GJSS] në dhjetor të vitit 2005, është dëshmuar se gjatë kohës së kryerjes së krimit Sasha Cvjetani ishte pjesëtar i MPB-së së Serbisë, kurse familjet e të vrarëve janë udhëzuar që të paraqesin padi me qëllim që ta realizojnë të drejtën e tyre për kompensim material.

● Padia e FDH-së është paraqitur në përputhje me dispozitat e LMO-së, të cilat përcaktojnë se padia për kompensimin e dëmit mund të paraqitet në afat tre vitesh nga momenti i zbulimit të kryesit apo nga momenti kur merret vesh për dëmin, apo më së voni në afat prej pesë vitesh nga koha kur është shkaktuar dëmi (në rastet kur ka pengesa objektive për paraqitjen e padisë brenda afatit prej tre vitesh). Padia bazohet edhe në dispozitat e LMO-së [nenet 376 dhe 377] të cilat përcaktojë se e drejta në kompensimin e dëmit të shkaktuar si pasojë e veprës penale vjetrohet (parashkruhet) në afatin që përkon me vjetrimin (parashkrimin) e ndjekjes penale për atë vepër.

● Trupi gjykues i Gjykatës Komunale refuzoi padinë e familjeve duke pranuar kundërshtimin e përfaqësuesit të shtetit i cili u thirr në vjetrimin (parashkrimin) e lëndës. Arsyetimi i gjykatës ishte përmbledhur vetëm në dy paragrafë të cilat praktikisht përsërisin qëndrimin juridik të Gjykatës Supreme të Serbisë [GJSS] të shkurtit të vitit 2004, sipas të cilit, në rastet e dëmit të shkaktuar si pasojë e kryerjes së veprës penale, afatet e gjata të parashkrimit mund të zbatohen vetëm ndaj kryesit, por edhe ndaj shtetit ne emër të të cilit ka vepruar ai individ. FDH përkujton se GJSS e ka bërë këtë interpretim vetëm pasi refugjatët nga Kroacia, të mobilizuar në mënyrë të dhunshme, iniciuan përmes organizatave për të drejtat e njeriut procedura të shumta për kompensim kundër Republikës së Serbisë.

● FDH-ja ka theksuar në ankesën e vet se arsyetimi i gjykatës, sipas së cilës familjet e civilëve të vrarë është dashur ta padisin shtetin në afat prej tre vitesh nga momenti i kryerjes së krimit, është tërësisht i palogjikshëm, sepse familjet kanë marrë dëshmi relevante juridike që tregojnë përgjegjësinë e shtetit vetëm pas shpalljes së aktgjykimit të plotfuqishëm, me të cilin vërtetohet se krimi është kryer nga pjesëtari i MPB-së.

● Në ankesën e vet FDH-ja thirret edhe në rekomandimet e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të datës 16 dhjetor 2005,  sipas të cilave shteti është i obliguar që, në përputhje me detyrimet e veta juridike ndërkombëtare, të sigurojë zhdëmtim për viktimat që kanë pësuar si pasojë e veprimeve të institucioneve të Serbisë apo zyrtarëve të tyre, të cilat paraqesin shkelje të rënda të të drejtave të njeriut apo shkelje të rënda të të drejtës humanitare ndërkombëtare.

Share