31.600 dokumente në mënyrë të padyshimtë e vërtetojnë vdekjen ose zhdukjen e 13.535 personave gjatë luftës në Kosovë
Në Qendrën për Media të Beogradit sot është mbajtur prezantimi dhe evaluimi i Bazës së të Dhënave të Librit të Kujtimit të Kosovës (LKK). Bazën e të dhënave në mënyrë të përbashkët e kanë ndërtuar Fondi për të Drejtën Humanitare (FHP) dhe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë mbi njerëzit, të cilët e kanë humbur jetën ose janë zhdukur në lidhje me luftën në Kosovë në periudhën prej datës 1 janar të vitit 1998 deri në datën 31 dhjetor të vitit 2000. Konferencën e ka përcjellë një numër i madh i mediave, e organizatave joqeveritare, e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare si dhe ekspertë.
Natasha Kandiqi, themeluese e FDH-së dhe koordinatore e projektit Libri i Kujtimit i Kosovës, e ka prezantuar Bazën e të dhënave të LKK dhe ka biseduar mbi rëndësinë e saj për proceset e mëtejme të drejtësisë tranzicionale në Serbi dhe në rajon.
Sipas bazës së të dhënave të LKK, gjatë dhe në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë janë vrarë ose janë zhdukur gjithsejtë 13.535 njerëz. Deri te këto të dhëna është arritur në bazë të analizës së 31.600 dokumenteve nga burime të ndryshme, në mesin e tyre edhe nga një numër i madh i deklaratave të viktimave dhe të dëshmitarëve të krimeve të luftës. Shqiptarët përbëjnë 10.812, serbët 2.197, kurse romët, boshnjakët, malazezët dhe joshqiptarët e tjerë i përbëjnë 526 viktima. Kandiqi ka theksuar se të dhënat mbi viktimat e konfliktit kosovar, të cilat FDH i ka poseduar që herët, janë krahasuar me të dhënat nga katër burime relevante dhe atë: me librin e Jusuf Osmanit Krimet serbe në Kosovë 1998–1999, me publikimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Pasojat e luftës në Kosovë 1998–1999, me publikimin e punëtorit humanitar norvegjez Josef Martinsen Çka ka ndodhur në Kosovë 1998–1999 dhe me bazën e të dhënave të organizatës joqeveritare të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut. Duke iu falënderuar analizës krahasuese, është vërtetuar ekzistimi i 3.190 viktimave mbi të cilat FDH nuk ka pasur kurrfarë informacionesh në bazën e vet të të dhënave. Me anë të verifikimit shtesë për to është vërtetuar se në rastin e 335 personave është fjala për vdekjen natyrore ose për vdekjen e cila nuk është në lidhje me konfliktin e armatosur, për 488 persona është vërtetuar se janë të gjallë, për 581 se janë viktima të luftës, kurse për 1.071 persona verifikimi është në rrjedhë e sipër. Megjithëkëtë,të dhënat për 715 persona kanë mbetur të panjohura. Sipas fjalëve të Natasha Kandiqit, një nga problemet, që e ka vështirësuar ose e ka pamundësuar vërtetimin e fakteve mbi vrasjen dhe rrethanat e vrasjes të një numri të caktuar të njerëzve, ka pasur të bëjë me deklarimin e pabarazuar të emrave personal të shqiptarëve dhe të shqiptareve.
Duke folur për rëndësinë e bazës së të dhënave të LKK, Kandiqi ka theksuar se ajo përmban një numër të madh të provave, të cilat mund të shfrytëzohen në proceset gjyqësore për krime të luftës, dhe prej të cilave disa – siç është xhirimi i vrasjes së gjashtë myslimanëve në Trnovë afër Srebrenicës në vitin 1995 – tashmë janë shfrytëzuar në disa gjykime para GJNPJ, para gjykatave në Serbi dhe Kroaci. Baza e të dhënave po ashtu përbënë themelin për sajimin e dosjes mbi krimet e luftës, të cilën FDH tash e sa vite e publikon. Në fund, regjistrimi emër për emër i humbjeve njerëzore, të cilin sot e përpilojnë organizatat joqeveritare të rajonit, e duke u bazuar në bazën e të dhënave të FDH-së dhe të organizatave të tjera, do të jetë një përkrahje në punën e mëtejme të Komisionit Rajonal KOMRA. Kandiqi e ka përfunduar fjalën e saj duke shprehur shpresën se kryetari i Republikës së Serbisë Tomisllav Nikoliqi dhe kryeministri i Republikës së Qeverisë Aleksandar Vuçiqi[1] edhe më tutje do ta mbështesin themelimin e këtij komisioni.
Mbi evaluimin e Bazës së të Dhënave të LKK kanë folur edhe drejtori ekzekutiv i Grupit për analizën e të dhënave për të drejtat e njeriut dr Patrick Ball dhe drejtori i Departamentit për ekonomi në Kolegjin Royal Holloway të Universitetit në Londër, profesori Michael Spagat. Përfundimi themelor i evaluimit është se Baza e të Dhënave e LKK është e besueshme dhe e plotë. Me fjalë të tjera, të dhënat mbi secilën viktimë janë mbështetur me anë të disa dokumenteve dhe Patrick Ball posaçërisht e ka theksuar faktin se gjatë punës së tij shumëvjeçare nuk ka hasur në një bazë të tillë të dhënave aq mirë të dokumentuar. Duke folur për plotësinë e saj, folësit kanë vënë në spikamë se Baza e të Dhënave e LKK dokumenton të gjitha ose pothuajse të gjitha humbjet njerëzore në lidhje me konfliktin e armatosur në Kosovë në periudhën prej vitit 1998 deri në vitin 2000. Ball ka theksuar se të dhënat mbi humbjet njerëzore kështu të besueshme, të plota dhe të qasshme në lidhje me konfliktin e armatosur në Kosovë ofrojnë një bazë për hulumtimet e ardhshme, për zbatimin e mekanizmave të drejtësisë tranzicionale dhe të nismave për ruajtjen e kujtimit të viktimave të këtyre krimeve të luftës.
Baza e të dhënave e LKK është e qasshme në faqen e internetit www.kosovomemorybook.org
[1] Në kohën e ofrimit të përkrahjes së zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Serbisë, http://www.zarekom.org/documents/Proces-REKOM-izvestaj-o-aktivnostima-septembar-2012-januar2014.sr.html, pika 3.