Natasa Kandic: Shefi i Përgjakur i Ushtrisë Serbe Duhet të Largohet

 Marija Ristic BIRN

Denoncimet në raportin e Qendrës për të Drejtën Humanitare kundrejt shefit të ushtrisë serbe zbulojnë fuqinë e ideologjisë së Miloshevicit në Serbi sot, si dhe politizimin e zyrës për krimet e luftës.

Raporti i fundit nga Qendra për të Drejtën Humanitare për kohën luftës për shefin e tanishëm të Ushtrisë Serbe, Ljubisa Dikovic, ka nxitur një përgjigje të zemëruar nga ekspertët dhe ministrat e qeverisë.

Raporti fajësonte për një numër krimesh lufte të kryera në Kosovë në vitin 1999 komandantin e atëhershëm të Brigadës së Motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë, JNA, aktualisht shef i Ushtrisë Serbe.

Qendra për të Drejtën Humanitare thotë se një zyrtar me të dhëna të tilla të njollosura nuk është shefi i përshtatshëm për Ushtrinë Serbe, meqë qartësisht i mungon potenciali profesional dhe etik për të ndihmuar në kthimin e besimit në Ushtrinë Serbe në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.

Por Ministria e Mbrojtjes dhe Gjenerali Dikovic e kanë dënuar raportin si një përpjekje e mbrapshtë për të njollosur reputacionin e Ushtrisë, ndërsa Zyra e Prokurorisë për Krimet e Luftës së Serbisë i ka mohuar provat kundrejt Dikovicit si të pabaza.

P: Që kur Qendra për të Drejtën Humanitare lëshoi dokumentin e saj, ka pasur spekulime mbi rëndësinë dhe origjinalitetin e provave. Cilat janë provat aktuale?

P: Dosja është e bazuar në provat materiale të Gjykatës së Hagës të prezantuara në gjyqet e Milutinovicit, Lazarevicit dhe Vlastimir Djordjevicit. Kemi përdorur edhe dokumente publike të JNA-së, të cilat janë në dispozicion në uebfaqen e Gjykatës. Raporti bazohet edhe në dokumentacionin tonë, i cili është goxha i gjerë në lidhje me Kosovën, sepse kemi pasur 20 vjet punë për rastin atje. Ka gjithashtu dëshmi nga dëshmitarë të cilët përshkruajnë si ndodhën disa ekzekutime masive. Disa [nga dëshmitarët] janë të brendshëm në ushtri dhe qeveri, dhe të tjerë janë viktima të krimeve të luftës. Do të dalim sot me një shtesë në dosjen e Dikovicit, duke nxjerrë dokumente shtesë të cilat konfirmojnë më tutje pohimet tona, dhe mbi këtë bazë besojmë se do të ketë tani material të mjaftueshëm për të kërkuar riekzaminimin e përgjegjësive të tij.

P: Në deklaratën e tij, Dikovic tha se pohimet janë një sulm mbi reputacionin e Ushtrisë, ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Sutanovac, i quajti pohimet monstruoze dhe paralajmëroi për një proces gjyqësor.

P:Jam e habitur nga numri i deklaratave të patakta që po vijnë prej Sutanovacit. Ai e quajti raportin fals, sepse ai pranon vetëm një dosje, dosjen e mbajtur në Ministrinë e Mbrojtjes, kështu që për atë është e papranueshme që dikush tjetër po nxjerr dosje të tjera, diku tjetër. E quajti dosjen monstruoze, sepse, sipas tij, shefi i ushtrisë po akuzohet, dhe bashkë me të, të gjithë zyrtarët dhe stafi i lartë nën të, duke qenë se mban pozitën më të lartë. Kjo tregon një mungesë të madhe kuptimi, por tregon gjithashtu shkallën e konfuzionit në kokat e atyre njerëzve që përfaqësojnë institucionet tona. Jam gjithashtu e habitur nga vlerësimi se lëshimi i informacionit në lidhje me Dikovicin përfaqëson sulm mbi shtetin. Kjo lloj retorike nuk është dëgjuar që nga rrëzimi i regjimit të Slobodan Milosevicit, dhe nuk e kemi dëgjuar nga asnjë tjetër përveç ministrit Sutanovac, i cili papritur ka shfaqur fytyrën e tij të vërtetë dhe na ka treguar se cili është. Kjo ka qenë mbrojtja më e fortë e sistemit të Milosevicit e bërë deri më tani, dhe do të thoja që Sutanovac as që është në dijeni se cfarë ishte duke bërë. Në anën tjetër, Dikovc priti të shikonte se çfarë do thoshte ministri i tij, dhe kur ministri tha se sulmi mbi gjeneralin ishte sulm mbi shtetin, ushtrinë dhe të gjitha institucionet, pastaj edhe Gjenerali e përsëriti këtë. Më vjen keq për atë që po ndodh këtu; papritur është bërë shumë e qartë se si është e ashtuquajtura fuqi demokratike, dhe se ata janë të prirur ta abuzojnë këtë pushtet. Ai [ Sutanovac] e ka prezantuar veten si një prift ideologjik, i cili e di se çfarë është e vërtetë, e çfarë jo – dhe çdo gjë që nuk përputhjet me atë çka ai mendon se është e vërtetë, është sulm mbi shtetin, ushtrinë dhe institucionet.

P: Ushtria dhe qeveria thonë se mund të provohet se Dikovic nuk ka qenë prezent në vendin e ngjarjes të cilin ju e citoni në raportin tuaj. A mund ta provoni të kundërtën?

P: Së pari, ata thonë se Dikovic nuk ka qenë në Bajina Basta. Kemi gjetur informacion në revistën e tyre, e quajtur Ushtria, nga viti 1999, e cila thotë se ai është dekoruar dhe emëruar major në vitin 1994, gjatë kohës që ishte komandant i Batalionit të Kufirit 16 në Bajina Basta, për arritjet e tij në mbrojtjen e atdheut nga myslimanët ekstremistë. Pse duhet të kërkojmë më tutje kur kjo është ajo çfarë thuhet në revistën e tyre zyrtare? Ata thonë po, porse ai nuk ishte atje në vitin 1995, se ishte larguar për trajnim. E dimë nga shumë zyrtarë të tjerë, se nëse dikush shkon diku për trajnim, dhe se është për një periudhë më të shkurtër se sa një vit akademik, atëherë personi nuk largohet nga posti që mban. Kemi informacion se ai e mbajti pozitën e tij në Batalionin e Kufirit 16. Kur vjen puna tek viti 1999, i kemi përdorur të gjithë dokumentet që ka Gjykata në Hagë, si dhe dokumentacionin tonë. Sot kemi lëshuar një dokument të ri, i cili përmban një raport të rregullt nga Brigada e 37-të, i cili thotë se trupat luftuese të kësaj njësie shkuan në Pikën 692 në zonën midis dy fshatrave në Kosovë. Kur pamë në hartën e ushtrisë për të parë se çfarë ishte 692, e cila është edhe në dispozicion edhe në uebfaqen e Gjykatës në Hagë, pamë se ishte fshati Vragodol. Nga dokumentacioni ynë gjetëm dëshmitarë nga këto fshatra, të cilët iu mbijetuan ngjarjeve. Ushtria në fillim rrethoi një grup shqiptarësh nëpër pyje dhe menjëherë vrau dy burra, babë e bir, dhe një grua. Pastaj ushtarët morën [pjesën tjetër] të grupit në drejtim të Izbicës dhe ndaluan në një fushë, të cilën viktimat e identifikuan si fushën e Vragodolit. Pak kohë më vonë zbuluam në hartën e ushtrisë se fusha e Vragodolit quhet në fakt Pika 692 në raportin e Brigadës së 37-të të Motorizuar. Natyrisht, raporti i Brigadës së 37-të të Motorizuar nuk përmendte asgjë rreth krimeve të kryera aty. Pas lëshimit të këtij dokumenti, presim që  Ministri i Drejtësisë dhe shefi e Ushtrisë të shpjegojnë se çfarë ndodhi aty, duke qenë se Gjeneral Dikovic në dëshminë e tij në vitin 2007, si dëshmitar mbrojtës për të paditurin Lazarevic, tha se ka pasur urdhër për të dërguar trupa luftues nga e njëjta rrugë, në kohën që janë kryer krimet.

P: Pas raportit tuaj, prokurori për Krimet e Luftës ka pohuar se Gjenerali Dikovic është i pafajshëm dhe se Gjykata e Hagës do ta kishte paditur nëse [akuzat në raport] do të ishin të vërteta. Pse nuk e ka paditur prokuroria, nëse provat ekzistojnë?

P: Është sjellje shumë joprofesionale nga ana e prokurorit të Krimeve të Luftës. Ky kishte një qëndrim politik, mbrojtje për aleatët politikë. Diçka e tille duhet të jetë e papranueshme për Prokurorinë e Krimeve të Luftës. [Bruno] Vekaric tha në publik se gjithmonë i kontrollojnë aktpaditë me dy klikime. Është një pohim i papërgjegjshëm se Haga do ta kishte paditur po të kishte pasur të dhëna për përgjegjësinë e Dikovicit. Cdokush e di se Gjykata ka pasur një kornizë kohore shumë të kufizuar për të bërë punën e saj, se ndoqi përfaqësuesit më të lartë të ushtrisë, policisë dhe autoriteteve – dhe se u mbështet në të gjitha provat e mbledhura për të  ndihmuar gjyqësinë vendëse në ndjekjen e zyrtarëve të niveleve të mesme dhe të ulëta të policisë, ushtrisë dhe civilëve. Absolutisht asgjë nuk është e vërtetë në ato pohime. Janë thjeshtë pohime arbitrare. Kjo provon se prokuroria nuk është një institucion profesional dhe i pavarur në sensin se askush mund ta ndikojë punën e saj. Kjo do të thotë se iu është  dhënë urdhri për të vepruar menjëherë dhe iu tha saktësisht se çfarë duhet të thoshin.

P: Dikovic ka thënë gjithashtu se jeni duke thelluar me tej urrejtjen në rajon dhe se doni që ky territor të jetë një burim konstant jostabiliteti. Ndërsa ju thoni se po luftoni për të kundërtën. Kush ka të drejtë?

P: Fakti se është emëruar shef i ushtrisë mund të jetë, dhe është, duke shkaktuar vështirësi kur vjen fjala për të ndërtuar besimin në institucionet e Republikës së Serbisë. Kur Dikovic u emërua shef i ushtrisë, ka pasur reagime në Kosovë, sepse e dinin që mbante një pozitë gjatë kohës së luftës në Kosovë. Emërimi i zyrtarëve të cilët nuk kanë një të shkuar të pastër, për të cilët mund të provohet se kanë ndodhur krime të rënda në hapësirat e tyre të përgjegjësisë dhe fakti se nuk janë sjellë aktpadi nga institucionet – e gjithë kjo nuk është në interes të pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal. Serbia mund të fitojë më shumë mirëbesim dhe gjesti do të mirëpritej nëse Dikovic do të jepte llogari për të kaluarën e tij. Ai ka marrë pjesë kështu në një politikë kriminale duke qëndruar në heshtje dhe pa i parandaluar krimet që ndodhën herë pas here. Do të kishte progres drejt ripajtimit nëse presidenti [Boris Tadic] do ta anulonte emërimin e tij me një shpjegim se duke mos vepruar ashtu do të ishte duke mbrojtur politikat e këqija të viteve 1990. Nëse ai [gjenerali] do të largohej nga posti, Serbia mund të përmirësojë reputacionin e saj dhe të kontribuojë në një ndërtim më të shpejtë të mirëbesimit në institucionet e Serbisë.

Share