Miroslav Vuçkoviq lirohet nga akuza për krime të luftës, për shkak të zgjatjes se paarsyeshme të procesit kundër tij

Serbi Miroslav Vuçkoviq është liruar nga përgjegjësia për krime të luftës kundër popullsisë shqiptare në fshatin Gushac/Gušavac të Kosovës, dhjetë vjet pas ngritjes së aktakuzës së parë kundër tij dhe pas tre gjykimeve të përsëritura. Gjykata Supreme e Kosovës ishte e mendimit se nuk ka arsyetim për mospërfundimin e procedurës për dhjetë vite, prandaj e liroi të akuzuarin Vuçkoviq nga përgjegjësia për veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile, duke u mbështetur në shkeljen e të drejtës në gjykim të shpejtë dhe efikas. Vendimin lirues e solli më 7 tetor 2009 trupi gjykues ndërkombëtar, i kryesuar nga gjykatësi Norbert Koster, gjatë procedurës së shqyrtimit të ankesës së mbrojtjes ndaj vendimit të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë/Mitrovica, me të cilën i akuzuari dënohet me tetë vite burgim.

Fondi për të Drejtën Humanitare – Kosovë është i mendimit se Gjykata Supreme e Kosovës do të duhej ta kthente lëndën për rigjykim [për herë të katërt], sepse gjatë gjykimit të përsëritur për herë të tretë, Gjykata e Qarkut në Mitrovicë/Mitrovica nuk i sqaroi kundërthëniet dhe mospërputhjet në deklaratat e dëshmitarëve që ngarkojnë të akuzuarin Vuçkoviq, ashtu siç kishte kërkuar Gjykata Supreme e Kosovës.

Përpos kësaj, Gjykata Supreme nuk ka marrë parasysh faktet të cilat ishin pranuar në tri gjykimet e mëhershme të shkallës së parë, mes të cilave edhe deklaratat e dëshmitarëve të cilët e kanë identifikuar të akuzuarin Vuçkoviq si pjesëmarrës në sulmin e forcave serbe në fshatin Gushac/Gušavac dhe vërtetimet për marrjen e pronës së fituar në mënyrë të paligjshme, të gjetur në oborrin e shtëpisë së të akuzuarit Vuçkoviq, në fshatin Suhodoll/Suvi Do, në maj të vitit 1999. Këto prova janë vërtetuar edhe më shumë kur mbrojtja e të akuzuarit pranoi se klienti i tyre kishte marrë pjesë në vjedhjen e sendeve të vlefshme nga shqiptarët dhe me propozimin që të akuzuarit t’i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej katër vjet e njëmbëdhjetë muaj, për shkak të vjedhjes së rëndë, aq sa i akuzuari kaloi në paraburgim.

Aktakuza e ngarkonte Vuçkoviqin se më 15 prill të vitit 1999, në bashkëveprim me persona tjerë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë të popullsisë shqiptare në fshatin Gushac/Gušavac, ka djegur dhe plaçkitur shtëpitë e shqiptarëve, përderisa nga prona e Abit Sahitit ka marrë të gjitha gjërat me vlerë që kanë mund të lëvizen, përpos tjerash edhe një kamion, me qëllim që të ngjallë frikë te popullsia shqiptare, që ata të largohen nga fshati.

Gjykimi i tretë i përsëritur pranë Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë/Mitrovica, zgjati prej 15.08.2007 deri më 23.05.2008, kur edhe është shqiptuar vendimi me anë të të cilit i akuzuari Vuçkoviq është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tetë vitesh. I akuzuari është mbrojtur në liri dhe nuk ka qenë prezent në shpalljen e vendimit. Procedura në shkallën e dytë është iniciuar me kërkesë të mbrojtjes, e cila theksonte se i akuzuari Vuçkoviq është invalid që lëviz me ndihmën e patericave dhe për këtë arsye ka qenë e pamundur të jetë pjesëtar i forcave të armatosura dhe të marrë pjesë në ngjarjet që i vihen në barrë.

Share