Pritja shtetërore e Lazareviqit përbënë tallje me viktimat

Pritja shtetërore e Lazareviqit përbënë tallje me viktimat

Logo FHPNë datën 3 dhjetor të vitit 2015 është kthyer në Serbi nga vuajtja e dënimit me burgosje për krimet e kryera kundër njerëzimit ish komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ), Vlladimir Llazareviqi. Kthimi i tij është organizuar me shpenzimet e Republikës së Serbisë dhe në përcjellje të dy ministrave të qeverisë, kurse në aeroport e kanë pritur edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror. Fondi për të Drejtën Humanitare (FDFH) e vë në spikamë se me nderimet shtetërore që i janë bërë një të dënuari për krimet më të rënda ndaj të drejtës vendore dhe ndërkombëtare institucionet e Serbisë janë tallur me viktimat shqiptare të krimeve të kryera nga ushtria dhe policia në Kosovë dhe e kanë demonstruar besnikërinë e qartë për vlerat anticivilizuese të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Llazareviqi dje ka arritur në Serbi me aeroplan shtetëror, në përcjellje të Ministrit të Mbrojtjes Bratisllav Gashiqit dhe Ministrit të Drejtësisë, Nikolla Selakoviqit, kurse në kremten në Nish e kanë pritur, midis të tjerash, Ministri i Punës, i Punësimit, i Çështjeve të Luftëtarëve dhe Sociale, Aleksandar Vulin dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Ljubisha Dikoviqi. Ministri i Drejtësisë dhe i Mbrojtjes kanë vlerësuar se kthimi i tij është një ditë e madhe për Serbinë, kurse ministri Selakoviq ka deklaruar se: “Falë gjeneralit, sot janë të lirë edhe Nishi, Kraljeva, Valjeva dhe Krushevci, të gjitha qytetet tona dhe fshatrat.”

Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë, (GJNPJ) në datën 23 janar të vitit 2014 e ka dënuar Vlladimir Lazareviqin me dënim të plotfuqishëm me 14 vite burgosje për deportimin dhe zhvendosjet e përdhunshme të popullatës civile shqiptare në Kosovë, në të cilat ka qenë e përfshirë UJ si krime kundër njerëzimit. Në kundërshtim me pohimet e Llazaraviqit se është dënuar „vetëm pse ka komanduar me korpusin prishtinas” si dhe me raportimet e mediave se është dënuar për përgjegjësinë komanduese, Llazareviqi është dënuar për ndihmën dhe përkrahjen për këto vepra penale, përkatësisht për format e përgjegjësisë, të cilat zbatohen edhe në të drejtën vendore, e të cilat i ka kryer në atë mënyrë që e ka siguruar ndihmën praktike për pjesëtarët e UJ-së, të cilët i kanë kryer ato vepra.

Domethënë, Llazareviqi ka marrë pjesë në planifikimin dhe në zbatimin e operacioneve të përbashkëta, të cilat i ka kryer UJ dhe me këtë në masë të madhe i ka kontribuuar kryerjes së veprave penale nga ana e UJ-së, në atë mënyrë që e ka ofruar ndihmën logjistike, materiale dhe në njerëz, edhe pse ka pasur baza për të qenë në dijeni se do të kryhen krimet. P.sh., me gjithë faktin se i ka marrë informatat mbi krimet, siç janë dhunimet, plaçkitjet dhe banditizmi, të cilat në muajin maj të vitit 1999 siç pohohet i ka kryer MPB-ja në zonën e përgjegjësisë së brigadës së motorizuar 37 të UJ-së, Llazareviqi ka vazhduar për të miratuar operacionet e përbashkëta të UJ-së dhe të MPB-së, siç janë sulmet në fshatin Dubravë në datën 25 maj të vitit 1999, që ka përfshirë shpërnguljen e përdhunshme të shqiptarëve të Kosovës. Llazareviqi para GJNPJ është mbrojtur se vetëm i ka kryer urdhrat dhe se këtë nuk e ka bërë vullnetarisht, të cilën Paneli Ankimor e ka vlerësuar si një “argument të paqëndrueshëm” (par. 1661 aktgjykimet ).

Roli i Llazareviqit dhe i oficerëve të tij vartës të UJ-së në deportimin dhe në zhvendosjen e përdhunshme të civilëve është ilustruar në Dosjen Operacioni Reka mbi operacionin më të madh ushtarako-policor gjatë luftës në Kosovë, gjatë të cilës me dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës janë dëbuar për në Shqipëri. Deportimet dhe zhvendosjet e përdhunshme të civilëve janë përcjellë me ekzekutimet masive të civilëve, në mesin e të cilëve ka pasur gra, fëmijë dhe pleq. Gjatë operacionit janë vrarë së paku 350 civilë.

Në periudhën prej fundit të muajit mars e deri në fillim të muajit qershor të vitit 1999, UJ dhe MPB në Kosovë i kanë dëbuar së paku 700.000 civil shqiptarë, derisa mbi 7,000 janë vrarë ose janë zhdukur përdhunshëm.

Share