Vojisllav Shesheli bën fushatë për deputet

Vojisllav Shesheli bën fushatë për deputet
BalkanInsight_logoKreu i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Shesheli, kandidon sërish për një vend në parlament në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen muajin e ardhshëm, pavarësisht se ka një dënim për krime lufte që duhet ta kishte ndaluar ligjërisht që ai të bëhej deputet.

Politikani ultranacionalist Vojisllav Sheshel, kreu i Partisë Radikale Serbe, po përpiqet të rifitojë një vend në parlamentin serb në zgjedhjet e 3 prillit – edhe pse, pasi u dënua nga gjykata e OKB-së për krime lufte, ai duhej tqa kishte të ndaluar të bëhej deputet.

Shesheli u dënua me dhjetë vjet burg nga Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë në prill 2018 për nxitje të krimeve të luftës kundër kroatëve etnikë në fshatin serb të Hrtkovcit në vitin 1992. Megjithatë, për shkak të viteve që ai kishte kaluar tashmë në paraburgim, ai nuk duhej ta vuante dënimin.

Shesheli ishte deputet kur u dënua, dhe sipas ligjit serb, nëse një ligjvënës dënohet me më shumë se gjashtë muaj burg, mandati i tij ose i saj duhet të përfundojë. Por ligji nuk u zbatua kurrë për Sheshelin.

Ivana Zaniç, drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, tha se “përveç faktit që Serbia ka treguar qartë se nuk respekton vendimet e Gjykatës së Hagës, ajo nuk respekton as ligjet e miratuara nga qeveria e saj”.

“Kemi parë që Vojisllav Shesheli, pasi u dënua nga Gjykata e Hagës, vazhdoi ta kryente funksionin e deputetit krejtësisht normalisht”, tha Zaniç.

Edhe pse Shesheli ishte deputet në kohën e dënimit të tij, ai humbi vendin e tij në parlament në zgjedhjet e fundit në 2020 sepse partia e tij nuk arriti të fitonte vota të mjaftueshme për të kapërcyer pragun prej tre për qind të nevojshëm për të hyrë në legjislaturë.

Ai tani shpreson të rihyjë në legjislaturë dhe Zaniç tha se ai dhe Partia e tij Radikale Serbe janë bërë gjithnjë e më aktivë politikisht kohët e fundit, duke mbështetur luftën e Vladimir Putin kundër Ukrainës.

“Kohët e fundit, pas pushtimit rus të Ukrainës, ai është promovuar në media si një njeri që mbështet Rusinë dhe veprimet e saj, kështu që e gjithë kjo shkon në duart e të djathtëve që janë bërë shumë të fortë në Serbi vitet e fundit”, tha Zaniç për BIRN.

Betejat ligjore të Sheshelit nuk kanë përfunduar ende. Aktualisht ka një çështje civile në vazhdim kundër tij dhe Serbisë, e nisur nga një nga kroatët që u desh të largohej nga Hrtkovci gjatë luftës në vitin 1992, i cili po padit për kompensim në Departamentin Civil të Gjykatës së Lartë në Beograd.

Shesheli është i pari në listën elektorale të Partisë së tij Radikale Serbe për zgjedhjet parlamentare, por në zgjedhjet e njëkohshme presidenciale më 3 prill, ai u ka kërkuar mbështetësve të tij që të votojnë për presidentin aktual Aleksandër Vuçiç, një ish-zyrtar i Partisë Radikale, në mënyrë që Vuçiç të fitojë në raundi i parë pa balotazh kundër një kundërshtari të opozitës.

“Ne nuk duhet të lejojmë që të zhvillohet një raund i dytë zgjedhjesh presidenciale, sepse në raundin e dytë këta tradhtarë (partitë opozitare) do të krijonin kaos në Serbi dhe gjakderdhje”, tha Shesheli.

Vuçiç dhe një ish-bashkëpunëtor tjetër i ngushtë i Sheshelit, Tomislav Nikoliç, u larguan nga Partia Radikale në vitin 2008 dhe formuan Partinë Progresive Serbe, e cila është në pushtet që nga viti 2012.

Share