Fqinjë të mirë: Si i shpëtuan tre serbë boshnjakët në Vlasenicë gjatë luftës

Fqinjë të mirë: Si i shpëtuan tre serbë boshnjakët në Vlasenicë gjatë luftës

BalkanInsight_logo

Disa boshnjakë u shpëtuan nga ndërhyrjet guximtare të disa serbëve që sfiduan rreziqet e mundshme për të ndihmuar fqinjët e tyre gjatë kohës së luftës në qytetin e Vlasenicës në vitin 1992, kur shumë u arrestuan dhe u vranë nga forcat serbe të Bosnjës.

Kur Fikret Dzodzaljeviç kthehet në qytetin e tij të lindjes Vlasenicë në Bosnjën lindore, ai ndez gjithmonë një qiri te varri i ish-fqinjit të tij serb, një i ri i quajtur Miodrag Vrzina, të cilin ai e njihte vetëm me nofkën e tij Miki.

Më shumë se 2,000 boshnjakë u vranë dhe rreth 8,000 u ndaluan gjatë luftës në vitin 1992, por Dzodzaljeviç nuk ishte njëri prej tyre. Ai u shpëtua nga Miki, një serb që ai e njihte shumë pak. Ishte Miki, jo Dzodzaljeviçi, ai që ishte e shkruar të vdiste në luftë.

Dzodzaljeviç jetonte në një apartament në rrugën “Vëllazëria dhe uniteti” në Vlasenica kur filloi lufta. Pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll qytetin, ai ndenji në shtëpi shumicën e kohës, por kur doli jashtë, pa ndërtesa të mbushura me vrima plumbash dhe mbishkrime që ofendonin myslimanët dhe që bënin thirrje për një “Serbi të Madhe”.

“Kur pashë të gjitha këto, i thashë sime shoqeje: ‘Duhet të largohesh, pavarësisht se çfarë më ndodh mua’”, tha Dzodzaljeviç për BIRN.

Ai e dinte që komuna po u jepte leje kalimi familjeve që dëshironin të largoheshin nga Vlasenica, por ai e kishte të qartë se atij nuk do t’i jepej një e tillë, pasi ai dhe e shoqja ishin ndaluar tashmë dy herë dhe ai ishte akuzuar pa të drejtë për armëmbajtje.

Herën e parë që u ndaluan, një grup njerëzish të armatosur erdhën në derën e shtëpisë së tyre, i morën dhe i çuan në rajonin e policisë, ku ai u sulmua.

“Ishte një sulm nga të gjitha anët. Nuk e dalloja dot se kush me godiste dhe me çfarë më godiste”, kujton ai.

“Pas kësaj, ata më futën në një dhomë të vogël. Duhet të ishte dy metra me dy metra dhe aty ishim 15 vetë. Askush nuk thoshte gjë, por të gjithë rënkonin nga dhimbjet për shkak të të rrahurave.”

Kunati i Dzodzaljeviçit ishte një berber i njohur në Vlasenica dhe kishte leje për të hyrë dhe dalë vazhdimisht nga qyteti. Ai kishte arritur më parë të largonte fëmijët e tij dhe fëmijët e Dzodzaljeviçit dhe t’i çonte ata në Tuzla, qytet i cili nuk ishte nën kontrollin e serbëve. Dzodzaljeviçi kalonte shumë kohë në dyqanin e berberit sepse nuk mund të rrinte dot në apartamentin e tij.

“Atë djalin e thërrisnin Miki dhe ai erdhi te berberhania. Ai na pa dhe tha: ‘Duhet të largoheni nga Vlasenica.’Ai tha: ‘Duhet t’ju ndihmoj. Është detyra ime të ju nxjerr nga Vlasenica’,” kujton Dzodzaljeviç.

Kur ai dhe e shoqja shkuan në zyrën e komunës bashkë me Mikin për të aplikuar për një leje që të mund të largoheshin, para ndërtesës kishte një radhë të gjatë.

“Menduam se s’do të na vinte kurrë radha. Megjithatë, babai i tij ishte në zyrë, kështu që ai na thirri menjëherë brenda. I morëm lejet pa na kontrolluar njeri dokumentet.”

“Për fat të keq, nuk ia dija emrin e plotë djalit. Dija vetëm që e thërrisnin Miki dhe ai ishte djali i Cedo Vrzinës”, tha ai.

Po atë ditë, Miki mbërriti me një makinë për të marr Dzodzaljeviçin dhe gruan e tij dhe për t’i larguar ata nga Vlasenica.

“I dhashë çelësin e apartamentit tim dhe i thashë: ‘Miki, urdhëro çelësin. Aty janë të gjitha. Merri të gjitha. Dhe nëse takohemi përsëri, do të ishte mirë. Nëse nuk takohemi, shumë faleminderit për këtë”, tha Dzodzaljeviç.

Dzodzaljeviç nuk u kthye të jetonte më kurrë në Vlasenica. Ai ndërtoi një shtëpi në Zivinice dhe i rriti atje fëmijët e tij. Pak kohë pasi lufta mbaroi në vitin 1995, ai zbuloi se Miki ishte vrarë.

“Më vjen shumë keq për atë që i ndodhi. Nuk rrimë kurrë pa vizituar varrin e tij dhe pa ndezur një qiri sa herë që shkojmë në Vlasenica,” tha ai.

BIRN nuk qe në gjendje të kontaktonte Cedo Vrzinën për një koment për këtë histori.

Përndjekje, përdhunime dhe vrasje

Dzodzaljeviç dëshmoi për atë që ndodhi gjatë luftës në Vlasenica në gjykatën shtetërore boshnjake, ku ai u shfaq si dëshmitar gjatë gjykimit të kryetarit aktual të qytetit, Miroslav Kraljeviç, dhe të pandehurve Goran Gariç dhe Radenko Staniç.

Të tre janë ish-policë dhe akuzohen për përndjekjen e civilëve boshnjakë, arrestime të paligjshme, ndalime të paligjshme, vrasje, abuzim seksual, tortura, zhdukje dhe akte të tjera çnjerëzore të kryera gjatë 1992 dhe 1993.

Ka pasur disa procedime të tjera penale në lidhje me krimet e luftës në Vlasenica. Në vitin 2005, Gjykata e Hagës dënoi Dragan Nikoliçin, i njohur ndryshe si Jenki, i cili ishte menaxheri i kampit të paraburgimit Susica në Vlasenicë, me 20 vjet burg, pasi ai pranoi se mori pjesë në vrasjet, përdhunimet dhe torturat e të burgosurve boshnjakë në vitin 1992.

Gjykata shtetërore boshnjake në vitin 2011 dënoi me 22 vjet burg ish-policin rezervist serb të Bosnjës, Predrag Bastah, për pjesëmarrje në vrasjet e civilëve, ndalime të paligjshme, zhdukje me dhunë dhe zhvendosje të popullatës vendase, ndërsa i pandehuri i tjetër, Goran Viskoviç, u dënua me 18 vjet burg.

Vendimet në këto gjykime përcaktuan se shumica e popullsisë lokale boshnjake u dëbua nga Vlasenica në vitin 1992. Para kësaj, të paktën 8,000 civilë jo-serbë u ndaluan dhe u mbajtën në kampin e paraburgimit të Susica. Shumë u vranë.

Rade Gariç, ish komandanti i Skuadrës së Ndërhyrjeve të Brigadës Vlasenica të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, është gjithashtu në gjyq në gjykatën shtetërore të Bosnjës për krime lufte në zonë, së bashku me ish-ushtarët e tij Simo Stupar dhe Zoran Tesiç.

“Një njeri që mbeti human”

Hajrudin Gogiç gjithashtu i mbijetoi luftës në Vlasenica falë ndërhyrjes së guximshme të fqinjit të tij serb.

Gogiç tha për BIRN se ai humbi 43 të afërm në Vlasenica gjatë konfliktit. Eshtrat e vëllait të tij u gjetën dhe u varrosën vitin e kaluar.

Kërkimi i tij për anëtarët e familjes së tij vazhdon ende dhe ai do të ishte në mesin e tyre, nëse nuk do të shpëtohej nga qiramarrësi i tij, Nedeljko Sokanoviç.

Gogiç tha se disa burra të panjohur shkuan në shtëpinë e tij, e futën atë me dhunë në makinën e tyre dhe e çuan në një burg.

Kur mbërrita, ata më çuan në katin e dytë dhe filluan të më keqtrajtonin, duke më goditur dhe rrahur derisa më lanë pa ndjenja. Rreth orës 20:30 të mbrëmjes ata më liruan, sepse qiramarrësi im Nedeljko erdhi dhe u ofrua të rrinte atje në vendin tim”, tha ai.

Gogiç, i cili gjithashtu dëshmoi në gjyqin e Miroslav Kraljeviçit, Goran Gariçit dhe Radenko Staniçit, tha në gjykatën shtetërore boshnjake se Nedeljko u tha agresorëve të tij: ‘Duhet ta lini të shkojë. Nëse është e nevojshme, do të rri unë në vend të tij.””

“I jam shumë mirënjohës që ofroi jetën e tij në këmbim të times. Nuk mund ta falënderoj dot kurrë atë njeri për ndihmën e tij. Nuk do të isha larguar dot kurrë, po të mos kishte qenë për të. Do të më kishin ekzekutuar në burg. Ata më thanë: ‘Do të rrëfehesh sonte dhe do të të heqim qafe.’ Nedeljko erdhi dhe më nxori që atje”, tha Gogiç.

Sokanoviç i tha Gogiçit të shkonte, të merrte një leje dhe të largohej menjëherë bashkë me familjen e tij nga Vlasenica, gjë të cilën ai e bëri më 15 maj.

“I dhashë çelësat e shtëpisë time Nedeljkos. I thashë se nëse do të mbijetoja, do të takoheshim një ditë. Nëse jo, i thashë të jetonte atje dhe të kujdesej për veten”, kujton ai. Ai u kthye në Vlasenica pas luftës.

Sokanoviç nuk deshi të fliste me BIRN për mënyrën se si e shpëtoi Gogiçin.

Një tjetër dëshmitar në gjyqin e Miroslav Kraljeviçit, Goran Gariçit dhe Radenko Staniçit hta gjithashtu se edhe atë e kishte shpëtuar një serb në Vlasenica gjatë luftës.

Dëshmitari Mehmed Taloviç i tha gjykatës se u nis në këmbë nga Bratunaci më 11 maj 1992 bashkë me gruan, fëmijët dhe vëllain e tij. Ai tha se ata kishin hipur në një kamion, por në Vlasenica serbët i kishin zbritur burrat nga kamioni dhe ai ishte abuzuar fizikisht para ndërtesës së policisë në qytet.

Por atëherë një burrë që po shikonte se çfarë po i ndodhte atij, ndërhyri dhe e çoi atë dhe vëllain e tij në një vend ku mund të hipnin në autobus dhe të shpëtonin.

“I thashë: ‘Faleminderit, miku im,’” tha Taloviç, i cili punonte si berber në atë kohë. Ai tha: “As mos e zër me gojë. Vazhdo tani! M’i ke prerë mirë flokët.’”

Ai tha se edhe sot, nuk ia di emrin burrit që e ndihmoi.

Svetlana Broz, e cila punon për një OJQ të quajtur GARIËO (Kopshtet e Botës së Drejtë) hulumtoi histori për njerëz që ndërhynë në mënyrë të guximshme për të shpëtuar bashkëqytetarët e tyre gjatë kohës së luftës për një libër të cilin ajo e botoi në vitin 2002 të titulluar “Njerëz të mirë në një kohë të keqe”.

“Shembulli Vlasenicës na tregon për një njeri të mrekullueshëm (Miodrag Vrzinën) i cili mbeti qenie njerëzore dhe që nuk u pajtua me krimet që kreu grupi i tij, por i kundërshtoi ata”, tha Broz për BIRN.

“Në çdo vend që ne mendojmë se është më i keqi, më i tmerrshmi, për shkak të të gjitha krimeve që u kryen atje, ka pasur një njeri që i kundërshtoi të gjitha këto, i cili nuk mund ta bënte dot këtë publikisht, por që arriti të ndihmonte dikë.”

Share