Bisedat e paqarta për amnisti s’do t’ia shërojnë plagët Kosovës

Bisedat e paqarta për amnisti s’do t’ia shërojnë plagët Kosovës

BalkanInsight_logo

Përvoja e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin i Afrikës së Jugut tregon se nevojitet shumë më tepër qartësi përpara se një proces i ngjashëm të mund të vihet në zbatim me sukses për t’u marrë me trashëgiminë e hidhur të luftës në Kosovë.

Përfundimi i regjimit të aparteidit në Afrikën e Jugut u arrit përmes një sërë bisedimesh të drejtuara nga Nelson Mandela dhe presidenti Frederik Willem de Klerk, i cili liroi Mandelën nga burgu në 1990. Këto negociata arritën një marrëveshje që lejonte zgjedhjet e para të përgjithshme multiraciale, pas të cilave Mandela u bë president në vitin 1994 dhe në vitin 1995 u krijua Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin ishte një organ i ngjashëm me një gjykatë që praktikonte vendosje drejtësie. Dëshmitarët e identifikuar si viktima të shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut u ftuan të jepnin deklarata për përvojat e tyre dhe këto shpesh bëheshin si dëgjesa publike. Edhe autorët e dhunës mund të dëshmonin dhe të kërkonin amnisti nga ndjekja civile dhe penale.

Në qershor 2005, unë isha në Keip Taun dhe po përjetoja dimrin e Afrikës së Jugut nga bodrumi i Qendrës Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale. Nën drejtimin e profesorit të ndjerë Alex Boraine, i cili së bashku me kryepeshkopin Desmond Tutu themeluan Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, po zhvilloja një projekt studimi mbi strategjitë e drejtësisë tranzicionale pas një periudhe konflikti ose sundimi shtypës për të sjellë një shoqëri më të drejtë, demokratike dhe paqësore.

Më saktësisht, dëgjoja për disa orë në ditë historitë e dhimbshme të viktimave të aparteidit, kryesisht nëna nga Afrika e Jugut që qanin pa pushim duke treguar historitë e fëmijëve të tyre të vrarë, shpesh të hedhur në vende të panjohura dhe që shpesh nuk janë gjetur kurrë.

Ngjitur me to do të qëndronte i ulur autori që kishte kryer krimin në fjalë dhe ai tregonte se si ai dhe një koleg i caktuar kishin ndalur dy djem në anë të rrugës, i kishin kontrolluar, i kishin çuar me makinë në një vend me errësirë dhe i kishin vrarë. Ai do t’i tregonte nënës me detaje se si u vra djali i saj dhe se ku e kishin varrosur ata trupin e tij.

Nënës të paktën do t’i jepej mundësia që të paktën të gjente eshtrat e tij dhe ta varroste të birin si duhej, në një vend ku ai të mund të prehej në paqe dhe ku familja mund ta nderonte dhe përkujtonte viktimën. Shpesh, në një gjendje dëshpërimi, nëna do ta falte autorin e krimit të emër të ubuntu, nocionit të dhembshurisë dhe humanizmit në Afrikën e Jugut.

Thuhet se e vetmja mënyrë që autorët të marrin pjesë në Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin është nëse atyre tashmë u është garantuar amnisti për krimet që kishin kryer. Thuhet gjithashtu se procesi kishte të bënte më shumë me zbulimin e së vërtetës sesa me vendosjen e drejtësisë. Me fjalë të tjera, kishte të bënte më shumë që regjimi të pranonte krimet që kishte kryer.

Prandaj, Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin i Afrikës së Jugut kishte mangësitë e tij. Por ai ishte gjithashtu jashtëzakonisht i suksesshëm, kryesisht sepse u ndërmor me qëllimin e mirëfilltë për të vendosur barazi në shoqërinë e fragmentuar dhe për shkak të reputacionit të jashtëzakonshëm të Mandelës dhe profilit të lartë të kryepeshkopit Tutu.

Në Kosovë, problemet aktuale politike mendohet se rrjedhin nga një dyshim se midis presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë është bërë një marrëveshje e fshehtë; fjala “amnisti” gjithashtu doli në dritë vitin e kaluar, duke sugjeruar (përsëri) se të dy presidentët po krijonin plane për një shkëmbim amnistish për krimet e luftës midis Kosovës dhe Serbisë.

Në Kosovë ka rreth 24 vende krimesh ku fshatarë të pafajshëm shqiptarë të Kosovës u vranë në mënyrë sistematike gjatë luftës së viteve 1998-1999, të cilat janë përmendur gjerësisht si vende masakrash. Shumica u zbuluan në aktakuzën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kundër Sllobodan Millosheviçit në vitin 2005, përfshirë masakrën e Reçakut, në të cilën ndodhi vrasja masive e 45 shqiptarëve të Kosovës në fshatin Reçak; masakra e Mejës, ku u ekzekutuan 372 civilë shqiptarë të Kosovës; masakra e Krushës së Madhe, ku u vranë rreth 90 njerëz; fshati Izbica, ku u ekzekutuan rreth 93 vetë dhe qyteti i Vushtrrisë, ku u vranë 120 vetë.

Dihet që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po ndjek idenë e një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin që nga viti 2017. “Qëllimi i këtij komisioni do të jetë e vërteta. E vërteta e shëron shoqërinë nga hakmarrja dhe urrejtja”, pohoi ai atë vit.

Unë mora pjesë si vëzhguese në një nga takimet e planifikuara për Komisionin e propozuar për të Vërtetën dhe Pajtimin në Prishtinë dhe ngela pa fjalë. Po përpiqesha të kuptoja se kë po përpiqej të pajtonte presidenti i Kosovës – Kosovën me Serbinë, nga një distancë e largët, i vetëm? Apo serbët dhe shqiptarët në Kosovë, me imponim?

Si i parashikonte ai seancat dëgjimore? Do të mblidhte serbët lokalë që të dëgjonin historitë e dhimbshme të shqiptarëve vendas dhe anasjelltas? Kush do të ishin komisionerët dhe ku do të ngrihej ky Komision për të Vërtetën dhe Pajtimin? Me kë dhe si do ta negocionte ai amnistinë apo gjykimin e mundshëm të autorëve?

Le të imagjinojmë një skenar të ngjashëm me atë në Afrikën e Jugut. Një nënë shqiptare nga Kosova do të paraqitej në seancën e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. Ajo mund të tregojë historinë e dhimbshme se si fqinji i saj serb, i cili ndodhi që ishte polic, se bashku me një grup ushtarësh serbë, morën nga shtëpia e saj bashkëshortin dhe tre djemtë e saj në mars 1999.

Në vitin 2003, dy djemtë e saj ku gjenden në një varr masiv në Batajnica, ndërsa djali i tretë dhe bashkëshorti i saj rezultojnë ende të zhdukur. Duke pasur parasysh që kemi dëgjuar histori të ngjashme në mënyrë të përsëritur gjatë 20 viteve të fundit, si do ta shëronte kjo e vërtetë e ritreguar shoqërinë e Kosovës dhe pse do të depërtonte ajo më thellë këtë herë në Serbi? Nuk do të ketë gjasa që autori të jetë i pranishëm në këtë seancë, duke e ditur që varri më i madh masiv në Serbi është brenda bazës ushtarake në Batajnica.

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut Natasa Kandiç thotë se eshtrat njerëzore në këto varre masive rreth Serbisë hapin një zinxhir përgjegjësie që arrin nivelet më të larta të autoritetit. Prandaj, heshtja rreth varreve masive është sistematike dhe autoritetet e kanë mbajtur atë nën kontroll për gjithë këto vite dhe ka shumë të ngjarë të vazhdojnë ta bëjnë këtë.

Prandaj nuk dihet nëse Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë planifikon t’i japë autorëve serbë të krimeve amnisti “në mungesë” dhe të imponojë një proces shërimi për viktimat. Ky skenar nuk do të premtonte një të ardhme më të mirë, apo shërim, pavarësisht faktit se (hipotetikisht) atëherë do të dinim të vërtetën.

Një skenar tjetër është që një grua serbe paraqitet në Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin për të treguar të vërtetën e saj, duke i treguar Komisionit për bashkëshortin e saj, një mjek, i cili u rrëmbye dhe u zhduk në qershor 1999 nga një grup burrash shqiptarë. Ajo kërkoi ndihmë nga paqeruajtësit e KFOR-it, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe qeveria e përkohshme e Kosovës. Deri më sot, asnjë prej tyre nuk e ka gjetur bashkëshortin e saj. Pas kësaj seance, presidenti i Kosovës do të kishte më shumë burime për të identifikuar autorët dhe për të përcaktuar nëse autorit do t’i jepet apo jo amnisti, ndërsa do të pranonte të vërtetën dhe në këtë rast të siguronte procesin e shërimit për komunitetin serb në Kosovë.

Skenarët e mësipërm janë të vërteta që ne të gjithë i dimë. Ato janë të vërteta që janë hetuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe janë raportuar nga Amnesty International. Ne i njohim këto të vërteta dhe jetojmë pranë këtyre viktimave.

Ne e dimë gjithashtu se vetëm e vërteta nuk e shëron domosdoshmërish një shoqëri nga traumat e dhunshme. Ka më shumë gjasa që e vërteta e shoqëruar nga drejtësia do të çonte në një paqe të qëndrueshme në një shoqëri të ndarë dhe kjo do t’i hapte rrugën një të ardhmeje të shëruar.

E vërteta, drejtësia dhe amnistia janë të rëndësishme për të mbijetuarit dhe të afërmit e tyre, komunitetin ose shoqërinë që ka qenë shënjestër e dhunës masive. Të mos harrojmë se e vërteta, drejtësia dhe amnistia e viktimave mund të jenë të rëndësishme për grupin e autorit që e ka provuar këtë përvojë në vetëdijen e tij kolektive.

Ata gjithashtu kanë nevojë për një shans për t’i bërë gjërat si duhet. Amnistia mund të jetë efektive, por është gjithashtu mënyra më e lehtë për të dalë nga kjo situatë e vështirë. Pranimi i dhunës që kaluar ë emër të autorëve është dhe do të mbetet një hap i rëndësishëm për ndërtimin e paqes së qëndrueshme.

Duke e përmbyllur, nëse të dy palët e pranojnë se ekziston një vuajtje e përbashkët, kjo mund të përbëjë një element themelor të identitetit në grup – një identitet që mbetet po aq i rëndësishëm në formësimin e identitetit historik dhe kulturor të individëve të shoqërisë, si përvoja e menjëhershme e humbjes traumatike – një identiteti rreth të cilit grupi në tërësi mund të ndërtojë kohezion.

Nora Weller, një studiuese për trashëgiminë e mizorive dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ajo është me bazë në Universitetin e Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar.

Share