Meshkujt viktima të përdhunimit, tabuja e fundit e luftës në Bosnjë
Burrat që u përdhunuan ose pësuan dhunë seksuale gjatë luftës në Bosnje të viteve 1992-1995, prej kohësh kanë ngurruar të flasin nga frika e stigmatizimit, por tani po bëhen përpjekje për të siguruar që ata të marrin të njëjtat pensione si viktimat e tjera të luftës.
“Ditën e tretë u largova nga kampi i përqendrimit dhe i tregova gruas time atë që kisha kaluar”, kujton ai. “Ajo më ndihmoi shumë. Fatkeqësisht, e zuri diabeti nga stresi i madh dhe ajo ndërroi jetë disa muaj më parë.”
Ai tha se e ka ndihmuar edhe ekipi Medica Zenica i udhëhequr nga drejtoresha Sabiha Husiç. Medica Zenica u themelua në vitin 1993 dhe ishte OJQ-ja e parë që ndihmoi gratë që i mbijetuan dhunës seksuale. Shtatë vjet më parë, OJQ-ja kuptoi se duhej të fillonte edhe përkrahja për burrat.
“Drejtoreshën Husiç e takova në një konferencë në Sarajevë, ku po diskutohej për të drejtat e grave”, tha ish i burgosuri. “Zakonisht flitet për gra që janë përdhunuar ose abuzuar seksualisht. Më pas u tregova atyre se ka edhe burra që i kanë mbijetuar kësaj.”
Ai tha se mendon se është shumë më e vështirë për burrat që janë përdhunuar ose abuzuar seksualisht të flasin për këtë.
“Ka kaq shumë pikëpyetje se si mund të ndodhë kjo… Fatkeqësisht, mund të ndodhë”, tha ai.
“Ka shumë burra që nuk kanë folur dhe nuk do ta bëjnë kurrë. Unë nuk do të kisha treguar, edhe nëse gjërat s’do të kishin shkuar ashtu si shkuan. Është e vështirë. Duhet të përballesh me këtë gjë. Unë i mbijetova kësaj dhe s’ka asgjë që mund ta kompensojë këtë. E mban përbrenda, si të ishte një bombë”, vazhdoi ai.
Medica Zenica e ndihmoi atë të merrte statusin zyrtar si “viktimë civile e luftës”. Sipas ligjit, viktimat e regjistruara civile të luftës kanë të drejtë pensioni, i cili për të mbijetuarit e abuzimit seksual dhe përdhunimit arrijnë në 594 marka boshnjake (304 euro) në muaj.
Sigurimi i statusit zgjati dy vjet dhe çështja u desh të çohej në gjykatë, kujtoi ai.
“Procesi ishte shumë i vështirë. Duhet të bëhen shumë deklarata, disa prej të cilave janë të papërshtatshme dhe që përsëri sjellin nëpër mend episode të rënda psikologjike te të mbijetuarit që kanë kaluar gjithë këto trauma. Me këto raste merren njerëz që s’kanë arsimin e duhur dhe janë joprofesionistë”, argumentoi ai.
Ai shtoi se përfitimet financiare nuk i zgjidhin problemet e viktimave dhe se ai do të preferonte që shteti të sigurojë “komunitete terapeutike për të mbijetuarit e abuzimit seksual gjatë luftës”.
Drejtoresha e Medica Zenica, Sabiha Husiç, tha se Bosnja dhe Hercegovina nuk ka statistika zyrtare për numrin e burrave dhe grave që janë sulmuar seksualisht dhe janë regjistruar zyrtarisht si viktima civile të luftës.
Ndërsa punonte për tezën e saj të doktoraturës në lidhje me mbështetjen për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës, ajo vlerësoi në bazë të informacioneve që mblodhi nga organizatat ndërkombëtare dhe raportoi se rreth 3,000 burra ishin përdhunuar gjatë luftës.
“Doja të analizoja dhe mësoja nga statistikat për të parë se sa vetë aplikuan për statusin e viktimës civile të luftës, sa ishin refuzuar dhe cilat ishin arsyet e refuzimit. Megjithatë, ky informacion nuk është i disponueshëm”, tha Husiç.
Deri më tani, shtatë burra kanë arritur statusin e viktimës civile të luftës nëpërmjet Medica Zenica. Por një numër i madh viktimash nuk duan të aplikojnë, pasi i druhen pyetjeve të sikletshme ose poshtëruese, ose se mos pyeten se pse po aplikojnë tani, kaq shumë vjet pas luftës.
Husiç tha se pyetje të tilla janë të papranueshme: “Ne nuk kemi të drejtë të pyesim pse dikush vendosi të flasë sot ose do të vendosë të plasë pas pesë ditësh apo pesë muajsh. Ne duhet të krijojmë një situatë të sigurt në të cilën të mbijetuarit e dhunës seksuale të kohës së luftës do të ndihen të sigurt dhe të mbështetur sa herë që ata zgjedhin të flasin ose të kërkojnë të drejtat e tyre.”
Përdhunimi i burrave ka qenë një temë tabu për shumë vjet, shpjegoi ajo.
“Nga përvoja në Medica, mund të them se në fillim nuk menduam se edhe burrat mund të jenë gjithashtu viktima të kësaj lloj dhune”, tha ajo.
“Unë mendoj se procesi i të folurit ishte më i vështirë për burrat sepse atyre u mungonte mbështetja”, shtoi ajo.
Stigma dhe frika
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë me seli në Hagë e klasifikoi abuzimin seksual dhe përdhunimin e grave, burrave dhe fëmijëve si një krim lufte për herë të parë në rastet që u ngritën nga lufta në Bosnje. Gjykata e mbështetur nga Kombet e Bashkuara ka dhënë disa vendime dhe ka përfshirë pretendime për sulme seksuale dhe përdhunime të burrave dhe djemve.
Krimineli i parë i luftës që u dënua për krime përfshirë dhunë seksuale nga gjykata ishte politikani dhe luftëtari paraushtarak serb i Bosnjës Dusko Tadiç, i cili në vitin 1997 u dënua me 20 vjet burg.
Në vitin 1998, gjykata dënoi komandantin e kampit të burgimit Zdravko Muciç, zëvendësin e tij Hazim Deliç dhe rojën e kampit Esad Landzo për akuza që përfshinin edhe dhunë seksuale kundër civilëve serbë të Bosnjës që mbaheshin në një kamp paraburgimi në Celebici.
Gjykata dënoi gjithashtu ish-policin serb të Bosnjës Ranko Cesiç në 2004 për krime lufte, duke përfshirë detyrimin e dy vëllezërve myslimanë, të cilët u burgosën në kampin e paraburgimit Luka në Brcko, që t’i kryenin seks oral njëri-tjetrit.
Dëshmitë e dhunës seksuale ndaj burrave u regjistruan edhe në çështjen e gjykatës kundër Mico Stanisiç, ministrit të brendshëm i kohës së luftës në entitetin serb të Bosnjës Republika Srpska, dhe Stojan Zupljanin, shefit të shtabit rajonal të policisë në qytetin kryesor të entitetit, Banja Luka.
Një pjesë e vendimit të shkallës së parë nga viti 2013 thotë se “në Qendrën Kulturore Chelopek (ndërtesa e paraburgimit në Zvornik), Grerëzat e Verdha dhe formacionet e tjera paraushtarake, me dijeninë e policisë, rrahën dhe plagosën rëndë të burgosurit myslimanë. Ata u poshtëruan, abuzuan seksualisht dhe u gjymtuan.”
Lideri paraushtarak Dusan Vuckoviç Repiç “detyroi dy palë baballarë dhe djemtë e tyre të kryenin akte seksuale me njëri-tjetrin, përfshirë marrëdhënie seksuale dhe penetrim me një bisht fshese”, sipas vendimit. Vuckoviç Repiç vdiq në një burg në Beograd në 2005, tetë ditë para se të fillonte gjyqi i tij për krimet në Zvornik.
Abuzimi seksual dhe përdhunimi i burrave gjatë luftës është raportuar në 23 vende në të gjithë vendin deri më tani, tha Bakira Haseciç, presidente e shoqatës Gratë – Viktima të Luftës.
Haseciç kujtoi deklaratën e një burri që i mbijetoi abuzimit seksual në një kamp paraburgimi në Zvornik: “Ata u detyruan të përdhunonin një dose dhe para kësaj iu dhanë disa pilula. Dhe kur mendon se i ke mbijetuar gjithçkaje dhe ke parë gjithçka, kur dëgjon deklaratat e njerëzve të tjerë, fillon e pyet veten nëse një mendje normale njerëzore mund ta bënte këtë.”
Gjykata shtetërore boshnjake në Sarajevë ka dënuar disa të pandehur për dhunë seksuale ndaj burrave.
Në vitin 2015, gjykata shtetërore dënoi ish-ushtarin serb të Bosnjës Gligor Begoviç me 13 vjet burg për krime kundër civilëve që po mbaheshin në qendrën e paraburgimit në Batkovic pranë Bijeljinës në vitin 1992, përfshirë edhe abuzimin seksual të disa të burgosurve.
Ish-ushtari i Ushtrisë Boshnjake Zijad Kurtoviç u shpall fajtor në vitin 2009 për krime lufte, duke përfshirë detyrimin e dy vëllezërve që ishin luftëtarë të Këshillit Kroat të Mbrojtjes që të bënin seks oral me njëri-tjetrin.
Gjithashtu në vitin 2009, ish-polici ushtarak serb i Bosnjës, Rade Veselinoviç, pranoi se, përveç veprave të tjera, ai lejoi anëtarët e grupeve paraushtarake t’i detyronin të burgosurit jo serbë që mbaheshin në Qendrën Sportive në Hadzici të bënin seks me njëri-tjetrin.
Përdhunimi dhe abuzimi seksual i të burgosurve është cituar edhe në disa raste të tjera në gjykatën shtetërore.
Bozidarka Dodik, gjyqtare në Gjykatën e Lartë në entitetin e Federatës së vendit, argumentoi se gjatë dekadës së kaluar, gjyqësori boshnjak ka bërë progres të madh në ndjekjen penale të krimeve të luftës, përfshirë dhunën seksuale gjatë kohës së luftës.
“Edhe pse shumica e këtyre çështjeve penale kanë të bëjnë me përdhunimin dhe dhunën seksuale të kryer ndaj grave, rastet në të cilat burrat janë viktima të një dhune të tillë gjithashtu po ndiqen penalisht. Megjithatë, burrat që janë viktima të këtyre veprave penale e raportojnë atë edhe më rrallë sesa gratë, kryesisht për shkak të stigmës dhe frikës se do të etiketohen si homoseksualë ose jo-burra”, tha Dodik për BIRN me email.
“Në disa raste, ka raste kur autori përdhunon drejtpërdrejt ose kryen dhunë seksuale ndaj një burri. Më të shpeshta janë situatat në të cilat autorët detyruan burrat (kryesisht në ambientet e paraburgimit) të përdhunojnë njeri-tjetrin (anal ose oral)”, tha ajo.
Ajo theksoi gjithashtu se “përveç penetrimit seksual, ka shumë forma të tjera të dhunës seksuale që mund të kryhen ndaj burrave”.
Turpërimi i viktimës
Çështja e e stereotipit të viktimave të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës në procedurat penale ka qenë pjesë e programit të trajnimit për zyrtarët gjyqësorë në Qendrat e Trajnimit Gjyqësor dhe Prokurorial në entitetin e Federatës dhe Republikës Srpska gjatë dy viteve të fundit. Gjyqtarja Dodik është një nga trainuesit.
“Paragjykimi më i zakonshëm me të cilin përballen viktimat e dhunës seksuale, pavarësisht nëse janë burra ose gra, është se përdhunimi është një turp për viktimën, jo për përdhunuesin, dhe se si rezultat i një veprimi të tillë, viktima është e njollosur, e ndyrë dhe e padenjë për respekt”, tha Dodik.
Dodik beson se shumica e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafi tjetër gjyqësor janë të ndjeshëm ndaj viktimave, edhe pse incidente të pakëndshme ende ndodhin. Këto kryesisht vijnë për shkak të stereotipeve gjinore të rrënjosura thellë ose si rezultat i neglizhencës ose kushtimit të vëmendjes së pamjaftueshme gjatë komunikimit me viktimat, sugjeroi ajo.
“Përdhunimi, qoftë në kohë paqeje, qoftë në luftë, është ende një temë për të cilën nuk flitet shumë. Progresi në të kuptuarit e përdhunimit dhe format e tjera të dhunës seksuale mund të arrihet vetëm përmes edukimit të vazhdueshëm dhe ndërgjegjësimit, jo vetëm për zyrtarët gjyqësorë, por edhe për publikun e gjerë”, tha ajo.
Në vitin 2017, OJQ-ja TRIAL International publikoi një raport me titull “Mitet e përdhunimit në gjyqet e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës”.
Berina Zutiç Raziç, këshilltare ligjore në zyrën e TRIAL International në Sarajevë, tha se raporti theksoi se përdhunimi ende rrallë raportohet në polici.
“Edhe pse është bërë disa progres në adresimin e çështjeve të krimeve të luftës, mitet dhe stereotipat që e zhvendosin turpin dhe fajin për dhunën seksuale nga autori tek viktima ende ekzistojnë në gjyqësorin boshnjak”, tha Zutiç Raziç.
“Sigurisht, problemi më i madh në këto raste është fakti se në shumë raste të dhunës seksuale ndaj burrave, zyrtarët gjyqësorë nuk pranojnë t’i klasifikojnë këto krime si përdhunim”, shtoi ajo.
TRIAL International punon me Qendrat e Trajnimit Gjyqësor dhe Prokurorial për të siguruar trajnime për gjyqtarët, prokurorët dhe bashkëpunëtorët e tyre juridikë, dhe madje edhe për stafin që ofron ndihmë për dëshmitarët, në një përpjekje për t’i bërë ata më të ndjeshëm ndaj viktimave të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës.
OJQ-ja filloi të punonte me Ministrinë e Drejtësisë këtë vit për të bërë të njëjtën gjë për avokatët. Ajo ka pranuar gjithashtu të sigurojë informacione në gjykatën shtetërore boshnjake për mënyrën sesi ndihen të mbijetuarit që paraqiten si dëshmitarë në rastet e dhunës seksuale të lidhura me luftën për mënyrën se si trajtohen gjatë procedurave.
Megjithatë, Zutiç Raziç vuri në dukje se stigmatizimi i viktimave vjen nga paragjykimet që janë të rrënjosura thellë në shoqëri në përgjithësi, kështu që ndryshimi duhet të ndodhë në një nivel më të gjerë se gjyqësori.
Për të mbijetuarit, traumat mbesin, edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës. Neuropsikiatri Omer Cemaloviç bëri disa vlerësime eksperte për burrat që u detyruan nga rojet e kampeve të paraburgimit që të kryenin marrëdhënie me njëri-tjetrin.
“Ky është shembulli më i keq i kafshërisë njerëzore: torturimi i të burgosurve – civilëve – në një mënyrë të tillë”, tha Cemaloviç.
“Këto janë trauma që mbesin përgjithmonë dhe është e pamundur t’i zhdukësh përgjithmonë këto trauma.”