Serbia: Një vit mohime të krimeve të luftës
Më 9 maj, gjenerali në pension i Ushtrisë Jugosllave Vladimir Lazareviç, një kriminel i dënuar lufte, kryesoi një paradë të Ditës së Fitores të Luftës së Dytë Botërore nëpër rrugët e qytetit të jugut serb të Nisit. Eventi u organizua nga veteranët rusë të luftës me mbështetjen e autoriteteve serbe.
Roli i spikatur i Lazareviçit në paradë theksoi sesi në vitin 2019, zyrtarët serbë vazhduan praktikën e tyre për të lartësuar kriminelët e luftës si heronj ushtarakë.
Në tetor, Nebojsa Pavkoviç, një ish-oficer i lartë i Ushtrisë Jugosllave që u dënua së bashku me Lazareviçin dhe që ende po vuan dënimin me burg, botoi librin e tij të parë nga shtëpia botues Ratnik e Ministrisë Serbe të Mbrojtjes. Ministria më pas e promovoi atë në Panairin e Librit në Beograd.
“Kujtimet e gjeneral Nebojsa Pavkoviçit, si edhe të komandantëve dhe luftëtarëve të tjerë të botuara në botimin e Ratnik, kontribuojnë në shumë mënyra në të vërtetën për luftën gjatë agresionit të NATO-s (bombardimi i Jugosllavisë). Ne nuk shohim ndonjë arsye për t’u turpëruar nga lufta e njerëzve tanë dhe nga ata që udhëhoqën atë luftë”, tha Ministria e Mbrojtjes.
Gjykata e Hagës vendosi në janar 2014 që Pavkoviç dhe Lazareviç, së bashku me ish-kryeministrin jugosllav Nikola Sainoviç dhe ish-gjeneralin e policisë serbe Sreten Lukiç, ishin fajtorë për vrasjen, dëbimin dhe trajtimin çnjerëzor të shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në 1999.
OJQ-ja në Beograd Fondi për të Drejtën Humanitare akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes për “tallje haptazi të viktimave të krimit” dhe mohimin e fakteve të përcaktuara nga gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë.
Ministria e Mbrojtjes u përfshi përsëri kur një tjetër libër polemik u prezantua në nëntor në Klubin Ushtarak Qendror në Beograd.
Këtë herë ishte një libër që mohonte që forcat serbe të Bosnjës ishin përgjegjëse për granatimin e qytetit boshnjak të Tuzlës në maj 1995, duke vrarë për pasojë 71 persona. Libri pretendonte se qyteti nuk ishte granatuar, por se masakra ishte vënë në skenë duke përdorur një pajisje eksplozive të paravendosur aty.
Ish gjenerali serb i Bosnjës Novak Djukiç u dënua në Bosnje për urdhërimin e sulmit, por ai u largua nga vendi për në Serbi, ku vazhdon të jetë i lirë.
Autoritetet boshnjake i kanë kërkuar Serbisë që të marrë përsipër zbatimin e dënimit të Djukiçit sipas një marrëveshjeje juridike bashkëpunimi midis dy vendeve, por procedurat në Beograd janë vonuar vazhdimisht për shkak të problemeve mjekësore të të pandehurit. Çështja ka më shumë se katër vjet që është në gjykatën e Beogradit.
Nobeli për Handken ringjall kujtimet e Millosheviçit
Viti 2019 do të mbahet mend për një polemikë tjetër në lidhje me letërsinë për Serbinë, edhe pse ndodhi jashtë vendit.
Shkrimtari austriak Peter Handke, i cili ishte një përkrahës i Sllobodan Millosheviçit gjatë luftërave të viteve 1990 dhe madje mbajti një fjalim në funeralin e liderit serb kur ai vdiq gjatë gjyqit të tij për krime lufte, fitoi Çmimin Nobel për letërsi.
Vendimi polemik i komitetit Nobel shkakroi protesta në Bosnje, ku viktimat e luftës e akuzuan atë për mbështetjen të Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe minimizim të krimeve si gjenocidi i Srebrenicës. Ati gjithashtu reagime të zemëruara nga gazetarë që mbuluan luftën në Bosnje, dhe katër vende të Ballkanit – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Kosova – bojkotuan ceremoninë e çmimit Nobel në Stokholm në dhjetor.
Sidoqoftë, Handke u lavdërua nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili dikur ishte ministër i informacionit në qeverinë e Millosheviçit.
Vuçiç tha në një mesazh të publikuar në faqen e internetit të presidencër për të uruar Handken se “Serbia ju konsideron një mik të vërtetë”, duke lavdëruar ato që ai tha se ishin “cilësi morale të pakrahasueshme” të autorit.
Vuçiç shkaktoi përsëri polemika në dhjetor kur ai pretendoi se masakra e Reçakut në janar të vitit 1999, në të cilën forcat serbe vranë 45 shqiptarë të Kosovës, ishte sajuar nga ish-kreu i Misionit të Verifikimit të OSBE-së në Kosovë, William Walker.
Përfshirja e Walker në publikimin e masakrës ishte një faktor kyç në vendimin e mëpasshëm të NATO-s për të bombarduar Jugosllavinë me qëllim që forcat e Millosheviçit të përfundonin fushatën e tyre ushtarake në Kosovë.
Vuçiç foli pasi një gjykatë në Prishtinë dënoi deputetin serb të Kosovës Ivan Todosijeviç për nxitje intolerance etnike, racore ose fetare për pretendimin e tij se masakra ishte e inskenuar.
Nuk u ngrit asnjë aktakuzë e rëndë
Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës dhe departamenti special për krime lufte i Gjykatës së Lartë të Beogradit ishin shumë të zënë në vitin 2019. Megjithatë, përshtypja sipërfaqësore ishte e gabuar. Shumica dërrmuese e çështjeve ishin relativisht të vogla, që përfshinin një ose dy të dyshuar.
Gjatë vitit 2019, nuk ka pasur asnjë aktakuzë për krime në shkallë të madhe, ndërsa Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës akuzoi ose nisi hetime për të dyshuar të nivelit të ulët për krime të kryera kundër serbëve në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë.
Megjithatë, gjyqi i pesë ish-luftëtarëve serbë të Bosnjës, të akuzuar për rrëmbimin e 20 pasagjerëve jo-serbë nga një tren në Strpci në Bosnjën lindore në vitin 1993 dhe më pas vrasjen e tyre, nisi në Beograd këtë vit. Të pesë të pandehurit pretenduan pafajësi.
Deri në fund të vitit, gjykata kishte dëgjuar dëshmi nga të afërmit e viktimave, pasagjerët e tjerë, stafi i hekurudhës dhe dy ish-ushtarë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës. Njëri i tregoi gjykatës për mënyrën se si u morën udhëtarët nga treni, ndërsa tjetri tregoi për mënyrën sesi ai i çoi kufomat e viktimave në bregun e lumit Drina pasi u masakruan.
Ndërkohë një rigjykim në një rast tjetër të rëndësishëm përfundoi në qershor me gjykatën që gjeti tetë ish-anëtarë të policisë serbe, Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe njësive paraushtarake fajtorë për vrasjen e 28 civilëve në fshatin kroat të Lovasit në 1991 dhe i dënoi me gjithsej 47 vite burg. Vendimi mund të apelohet.
Në dy raste të tjera për krime lufte, Gjykata e Apelit në Beograd reduktoi dënimet e dhëna për të pandehurit serbë edhe pse la në fuqi dënimet e tyre.
Në rastin e grupit paraushtarak Çetnikët e Simës, dy prej anëtarëve të grupit, Tomislav Gavriç dhe Zoran Djurdjeviç, iu reduktuan dënimet nga dhjetë në tetë vjet burg, ndërsa një anëtari të tretë, Zoran Aliç, iu dhanë pesë në vend të gjashtë viteve burg. Ata u dënuan për mbajtjen rob të tre grave në fshatin Malesic në 1992, ku ata vazhdimisht i përdhunuan, i abuzuan dhe i detyruan të gatuanin dhe pastronin për ta.
Ish-ushtares së Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ranka Tomiç, e cila u dënua për përfshirje në torturimin dhe vrasjen e një infermiereje të Ushtrisë Boshnjake gjatë luftës në vitin 1992, iu reduktua gjithashtu dënimi nga pesë në tre vjet burg në apel.
Përveç rasteve të krimeve të luftës, Gjykata e Apelit në Beograd vendosi në dy raste të tjera të profilit të lartë nga vitet e trazuara të Serbisë së pas luftës.
Ajo konfirmoi lirimin nga akuzat të ish-komandantit të Njësisë së Operacioneve Speciale, tani të shpërndarë, të Sigurimit të Shtetit, Milorad “Legija” Ulemek, së bashku me gjashtë persona të tjerë, për përfshirje në një kryengritje të armatosur në 2001. Megjithatë, Ulemek është duke vuajtur dënimin me burg për roli i tij në vrasjen e kryeministrit Zoran Djindjiç në vitin 2003.
Gjykata liroi gjithashtu nga akuzat shtatë persona për tentativë për t’i vënë zjarrin ambasadës amerikane në Beograd në vitin 2008 në një protestë kundër mbështetjes së Uashingtonit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës atë vit.