Tekstet shkollore të Kosovës e Serbisë përçojnë ndarjet nëpër klasa

Tekstet shkollore të Kosovës e Serbisë përçojnë ndarjet nëpër klasa

BalkanInsight_logo

Fëmijët shqiptarë dhe serbë të Kosovës shkollohen sipas sistemesh arsimore të ndryshme, duke përdorur tekste shkollore që ofrojnë versione të ndryshme të historisë dhe ndonjëherë përjetësojnë paragjykim etnik dhe ide nacionaliste, shprehen ekspertët.

Në librin e ri shkollor, të miratuar si pjesë e kurrikulave të reja të sjella nga Ministria e Arsimit e Kosovës, ai tha se ka vërejtur disa ndryshime nga librat e vjetër, të cilat u botuan më së shumti pas luftës së viteve 1998-1999, edhe pse autoritetet kishin njoftuar se do të bëheshin ndryshime të rëndësishme.

Ibrahimi, një mësues historie në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në kryeqytetin e Kosovës, shpjegoi se në librin e ri shkollor ka më pak përdorim të fjalorit nacionalist dhe të njëanshëm, edhe pse disa probleme vazhdojnë të ekzistojnë ende.

“Vë re një reduktim të fjalorit që nxit ndarjet etnike, veçanërisht kur bëhet fjalë për historinë e kohëve të fundit. Shoh gjithashtu se kanë shtuar metoda të reja mësimore që inkurajojnë mendimin kritik te nxënësve, sidomos kur bëhet fjalë për shtrimin e pyetjeve,” tha Ibrahimi për BIRN.

Përveç historisë së lidhur me politikën, librat e rinj shkollorë i kushtojnë më shumë rëndësi ndikimit social dhe kulturor të ngjarjeve historike. Por Ibrahimi tha se librat shkollorë të vendit ende vuajnë nga përdorimi i retorikës nacionaliste.

“Vazhdon të ketë ende një tendencë, edhe pse nuk është më aq e pranishme, drejt një qasjeje të njëanshme mbi baza etnike. Ka shumë raste në të cilat shohim burime selektive ose procese historike, si dhe përdorim jo të duhur të terminologjisë,” tha ai.

Sistemi arsimor luajti një rol të rëndësishëm në historinë politike para luftës në Kosovë, kur ai u nda përgjatë vijave etnike ndërsa tensionet u rritën në atë që në atë kohë ishte provincë e Jugosllavisë. Si shqiptarët dhe serbët e Kosovës hoqën gjuhën dhe historinë e njëri-tjetrit nga kurrikulat e tyre mësimore.

Serbia ende mban kontrollin mbi sistemin arsimor në zonat me shumicë serbe të Kosovës, ku shkollat përdorin kurrikulën shtetërore serbe dhe historia – sidomos ajo e kohëve të fundit – mësohet ndryshe.

Në shkollën fillore King Milutin të drejtuar nga serbët në qytetin e Graçanicës, librat shkollorë kanë mbërritur falas nga Serbia për vitin e ri shkollor. Në libra, Kosova përshkruhet si pjesë e Serbisë dhe jo si një shtet i pavarur.

Një nga mësuesit në shkollën fillore, i cili donte të mbetej anonim, tha për BIRN se “askush nuk po i pyet mësuesit në Kosovë nëse përmbajtja e teksteve shkollore duhet të jetë në përputhje me zhvillimet e reja.

“Ne duhet të hamë atë që gatuajnë ata në Beograd. Nuk ka zgjedhje tjetër. Ndonjëherë tekstet shkollore nuk janë në përputhje me situatën,” tha mësuesi.

Por ai ngurroi të thoshte nëse do të punonte me tekstet shkollore të Kosovës të aprovuar nga autoritetet e Prishtinës.

Shkëlzen Gashi, kreu i Admovere, një organizatë me qendër në Prishtinë që merret me drejtësinë tranzicionale, arsimin dhe ndërtimin e paqes, tha se narrativat e njëanshme dhe nacionaliste duhet të hiqen nga librat shkollorë në të dy vendet.

“Natyrisht ka shumë ndryshime, sidomos në qasjen ndaj historiografisë në librat shkollorë të Serbisë dhe Kosovës,” tha Gashi për BIRN.

Së fundmi Admovere publikoi një studim në lidhje me ndryshimet e mëdha në prezantimin e ngjarjeve historike në librat shkollorë të dy vendeve. Gashi tha se ka narrativa krejtësisht ndryshe kur vjen fjala për ato që ndodhën në dekadat e fundit në Kosovë.

“Çlirimi dhe pushtimi i vendit janë të prezantuara ndryshe. Vazhdon të ketë një nacionalizëm fyes në tekstet shkollore të Serbisë, ndërsa në tekstet shkollore të Kosovës ekziston një nacionalizëm mbrojtës,” shtoi ai.

Krimet e të tjerëve

Gashi tha se narrativa nacionaliste mbizotëron në mësimin e asaj që ndodhi midis vitit 1912, viti i një revolte nga shqiptarët në Kosovë dhe gjetkë kundër sundimit osman, dhe në vitin 2000, një vit pas përfundimit të luftës me forcat e Beogradit.

“Tekstet shkollore në të dy vendet tregojnë vetëm krimet e palës tjetër, duke e paraqitur veten si viktimë dhe tjetrin si agresorin,” shpjegoi ai.

Ai përmendi frazat polemike të përdorura në tekstet shkollore të Kosovës për të përshkruar veprimet e Serbisë, të tilla si “dhuna dhe terrori shovinist”, “terrori dhe gjenocidi shtetëror” dhe “skenat e tmerrshme të barbarisë së skuadroneve të përgjakshme”.

Ndërkohë në tekstet shkollore serbe përdoren fraza si “sulme nga bandat shqiptare” dhe “terror nga shqiptarët kundër serbëve”. Tekstet shkollore serbe, pohoi Gashi, “paraqesin vetëm krimet e shqiptarëve të Kosovës dhe madje edhe kur ofrojnë më shumë fakte, ato përsëri janë ekzagjeruar.”

Dubravka Stojanoviç, një profesoreshë historie në Universitetin e Beogradit, tha se autoritetet në Serbi dhe Kosovë duhet të krijojnë një komision shkencor historianësh dhe ekspertësh të tjerë dhe të fillojnë diskutimet për çështje të tilla kaq të ndjeshme dhe kontroverse.

“Ne jemi të vetëdijshëm që nuk mund të votojmë në lidhje me historinë dhe të arrijmë një konsensus për atë që ndodhi në të kaluarën, pasi kemi mendime shumë të ndryshme për këtë. Por ajo që mund të bëjmë është të dëgjojmë se çfarë mendon pala tjetër për ngjarje të caktuara dhe të tregohemi të hapur për debate, mendime kritike dhe diskutime,” tha Stojanoviç për BIRN.

Stojanoviç tha se ajo mendon se hapi i parë është të njihemi me mendimin e “tjetrit” dhe të krijojmë mirëkuptim të ndërsjellë.

“Në këtë mënyrë, mund të përpiqemi të kuptojmë se si një këndvështrim tjetër mund të ndryshojë të kuptuarit e së njëjtës ngjarje. Ky është i vetmi pajtim tek i cili unë kam besim – të shkohet më thellë dhe të ndihmojmë shoqëritë tona të dalin nga kurthet që ato u kanë ngritur vetes,” tha ajo.

“Nxënësit duhet të shohin të dyja anët”

Arbër Salihu, një zyrtar për planifikimin e kurrikulave në Ministrinë e Arsimit të Kosovës, tha se kurrikulat e reja të vendit kanë një qasje të ndryshme, veçanërisht ndaj historisë së fundit në Europë.

“Ne jemi përpjekur të ofrojmë tekste shkollore të përparuara duke u përqendruar në fakte dhe burime historike dhe duke eliminuar kualifikimet,” tha Salihu për BIRN.

Ai pranoi megjithatë se ndonjëherë një libër shkollor mund të mos jetë në përputhje me kërkesat e reja të Ministrisë së Arsimit.

“Është e vërtetë që ka pasur disa gabime. Ne kemi parë në tekstet shkollore disa versione të pasakta apo të zbutura të disa ngjarjeve. Në disa raste për arsye të njëlloj relaksimi të raporteve apo pajtimit ( ndëretnike) janë injoruar disa fakte të rëndësishme,” tha ai.

Vitet e fundit, shkollat e Kosovës gjithashtu kanë përdorur disa tekste shkollore të përpiluara nga një grup prej më shumë se 60 historianësh nga të gjitha vendet e rajonit të botuara nga Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Europën Juglindore me bazë në Greqi.

Qendra për Demokraci dhe Pajtim ofron materiale të bazuara në një metodologji shumë-perspektive, e cila përfshin shfaqjen e pikëpamjeve të ndryshme të së njëjtës ngjarje historike. Por Ministria e Arsimit e Kosovës pretendon se disa nga materialet e saj kanë të dhëna të pasakta dhe ofrojnë tregime të njëanshme.

“Këto tekste shkollore përmbajnë pasaktësi dhe disa defekte të tjera. Mbi të gjitha, nuk ka asnjë flamur të Kosovës përkrah flamujve kombëtarë të përshkruara në tekstin shkollor,” tha Salihu.

Plani strategjik kombëtar i Kosovës për arsimin për vitet 2017-2021 përfshin, si një nga qëllimet e tij, zhvillimin dhe zbatimin e politikave për të nxitur marrëdhëniet ndëretnike nëpërmjet arsimit.

Megjithatë, sistemet arsimore të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës kanë vazhduar të punojnë veçmas, me një bashkëpunim të kufizuar zyrtar dhe vetëm mundësi sporadike për ndërveprim midis nxënësve nga secili sistem.

Dukagjin Pupovci, drejtor i OJQ-së së Qendrës Arsimore të Kosovës, theksoi se pavarësisht trashëgimisë së tyre të përbashkët nga epoka Jugosllave, sistemet arsimore të Kosovës dhe Serbisë kanë dallime të rëndësishme.

“Elemente të gjuhës së njëanshme ose të mbushur me urrejtje ekzistojnë ende në Kosovë dhe Serbi, sidomos në tekstet shkollore të historisë dhe letërsisë,” tha Pupovci për BIRN.

“Të dy vendet duhet të praktikojnë një qasje historike shumë-perspektive. Vetëm në këtë mënyrë nxënësit mund të shohin të dy versionet e një ngjarje historike,” tha ai.

Shkollat në Kosovë që japin mësime në gjuhën serbe mund të përdorin kurrikula ose libra shkollorë të hartuar nga Ministria Serbe e Arsimit nëse njoftojnë Ministrinë e Arsimit të Kosovës.

Institucionet e Kosovës nuk kanë punuar për të hartuar një kurrikul të veçantë në gjuhën serbe në Kosovë.

Pupovci tha se është në të mirë të të dy vendeve të heqin gjuhën e njëanshme nga tekstet shkollore sepse shërben për intensifikimin e ndasive. “Për shkak të kësaj, armiqësitë mund të thellohen dhe perspektiva për paqe mund të dobësohet,” shpjegoi ai.

Në një raport të botuar në vitin 2018, misioni i OSBE-së në Kosovë rekomandoi promovimin e dialogut ndër-komunitar në arsim, sidomos në shkollat e përziera me ambientet që ndahen midis dy sistemeve.

Arbër Salihu tha se nëse Kosova dhe Serbia mund të arrijnë një marrëveshje të qëndrueshme në negociatat e tyre të ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve, duhet të ketë një marrëveshje për unifikimin e sistemit arsimor të Kosovës.

“Nuk po them se është shumë herët për këtë, por nuk është dhe aq e lehtë,” paralajmëroi Salihu.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik e Serbisë nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të BIRN në lidhje me kurrikulën serbe dhe teksteve shkollore në shkollat në Kosovë.

Kushtrim Koliqi kreu i OJQ-së Integra me qendër në Prishtinë, puna e të cilës përqendrohet në paqen, pajtimin dhe të drejtat e njeriut, tha se sistemet arsimore të të dyja vendeve duhet të përdorin tekstet shkollore të historisë për të ndihmuar në shërimin e plagëve të konfliktit dhe për të kapërcyer antagonizmat e thella midis tyre.

“Vetë nxënësit nuk mund të refuzojnë ndasitë etnike sepse nuk ka klasa me etni të përziera,” tha Koliqi për BIRN.

Ai u shpreh se ka ardhur koha që Kosova të pastrojë në mënyrë të njëanshme tekstet e saj shkollore të njëanshme.

“Nuk është e nevojshme të pritet ndonjë marrëveshje apo hap i madh nga Serbia. Le të kenë brezat e ardhshëm mundësinë të heqin nga shpatullat barrën e rëndë të së kaluarës,” tha ai.

Share