Me rastin e vendimit të Gjykatës së Lartë të Beogradit për krimin e kryer në fshatin Tërnjë

Me rastin e vendimit të Gjykatës së Lartë të Beogradit për krimin e kryer në fshatin Tërnjë

#IzSudnice - Sajt  - 4Më 16 prill 2019, Gjykata e Lartë e Beogradit ka marrë vendimin me të cilin e liroi Pavlle Gavrilloviqin, kurse Rajko Kozlinën e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 15 vjet burgim për krimin e kryer në fshatin Tërnjë më 25 mars 1999. Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) e konsideron që Gjykata e Lartë gaboi kur, duke i vlerësuar dëshmitë, ka liruar nga përgjegjësia Pavlle Gavrilloviqin, ndërsa dënimi që u shqiptua ndaj Kozlinës është shumë e ulët në krahasim me peshën dhe pasojat e krimit që ai e kishte kryer.

Prokuroria e Krimeve të Luftës (PKL) më 2013 e ngriti padinë kundër të dy pjesëtarëve të Batalionit të Sfondit të Brigadës së 549-të të Motorizuar të Armisë së Jugosllavisë (549. mtbr VJ) – Pavlle Gavrilloviqi dhe Rajko Kozlina, për krimin e kryer në fshatin Tërnjë më 25 mars 1999, kur u vranë të paktën 31 civilë shqiptarë – ndër të cilët ishin edhe një grua shtatzënë dhe shtatë fëmijë. Edhe pse padia kishte qenë ngritur që nga viti 2013, shqyrtimi kryesor ka filluar vetëm në shkurt të vitit 2015.

Pavlle Gavrilloviq u akuzua se në cilësinë e komandantit të Batalionit të Sfondit të 549. mtbr VJ, e lëshoi urdhrin për oficerët e batalionit të vet, ndër të cilët po ishte edhe Rajko Kozlina, të bënin sulmin ndaj fshatit Tërnjë, duke thënë se „nuk mund të ketë të mbijetuarit“, kurse Kozlina bashkë me pjesëtarët e grupit luftarak që ai komandonte, këtë urdhër e kishte kryer. Bozhidar Deliq, i cili gjatë konfliktit në Kosovë ishte komandant i 549. mtbr VJ dhe në dëshminë e tij para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e pohoi që ai ishte përgjegjës për gjithçka që po ndodhte në zonën e përgjegjësisë së brigadës me të cilën ai komandonte, nuk u akuzua për këtë krim, por u shqyrtua si dëshmitar në këtë procedurë.

Duke vendosur në këtë rast, Gjykata nuk ua fali besimin disa pjesëtarëve të 549. mtbr VJ që pretendonin se Gavrilloviqi e lëshoi urdhrin që „nuk mund të ketë të mbijetuarit“ më 25 mars 1999 në fshatin Tërnjë. Sipas vlerësimit të gjykatës, duke marrë parasysh se urdhri që nuk mund të ketë të mbijetuarit është i ndaluar nga Protokolli Shtesë i II-të me Konventat e Gjenevës prej 12 gusht 1949 për mbrojtjen e viktimave të konflikteve të armatosura jo-ndërkombëtare, gjykata e konsideroi që është „jo-jetësore“ se Gavrilloviqi e ka lëshuar urdhrin pikërisht me përmbajtje të tillë. Gjithashtu, sipas mendimit të gjykatës, duke marrë parasysh se këtë ditë jo të gjithë banorët e fshatit Tërnjë u vranë, por disa prej tyre dy ditë pas ndodhjes shkuan në fshatin fqinj, nuk mund të konsiderohet se ky urdhër i Pavlle Gavrilloviqit të jetë ekzekutuar.

Në raport me Rajko Kozlinën gjykata e gjeti se ai është përgjegjës për vrasjen e 15 civilëve dhe lëndimin fizik të dy civilëve shqiptarë në fshatin Tërnjë. Me rastin e matjes së dënimit, gjykata i vlerësoi si rrethana lehtësuese rrethanat e tij familjare (fakti që është i martuar dhe babai i një fëmije të mitur), që nuk ishte dënuar më parë, që kundër tij nuk është ngritur asnjë procedurë tjetër penale, që në kohën e kryerjes së krimit ishte 23 vjeç, që është i punësuar, si dhe kalimin e kohës – që nga kryerja e krimit kanë kaluar 20 vjet. Nga ana tjetër, si rrethanat rënduese gjykata e vlerësoi faktin që në këtë krim u vra një numër i madh i civilëve, ndër të cilët ishin edhe fëmijë.

FDH-ja e konsideron që gjykata gaboi kur nuk ua fali besimin atyre pak pjesëtarëve të VJ-së që ishin gati të dëshmonin para gjykatës vendase dhe të thoshin të vërtetën për ato që po ndodhte gjatë konfliktit në Kosovë. Duke i vlerësuar deklaratat e tyre si të paqarta, kontradiktore dhe jo jetësore, Gjykata qëndroi në mbrojtje të tezës se VJ nuk e ka kryer krimin në Tërnjë ku u vranë civilët, por se VJ vetëm kryente zhbllokimin e rrugës Suharekë-Rahovec dhe krijonte kontroll mbi këtë territor. Me qëndrimin e tillë të Gjykatës në Serbi nuk inkurajohen ish-pjesëtarët të armisë dhe të policisë të dëshmojnë para gjykatës vendase, të zbulojnë të vërtetën për krimet në të cilat morën pjesë njësitë që u përkasnin ata, dhe në mënyrë të tillë të ndihmojnë në ndriçimin e krimeve që ende nuk janë proceduar.

Gjithashtu, FDH-ja e thekson se Gjykata ia shqiptoi Rajko Kozlinës një dënim të butë dhe të papërshtatshme në raport me peshën e krimit që ai e kishte kryer. Domethënë, Gjykata u dha përparësi rrethanave lehtësuese – se Kozlina është një njeri familjar dhe se krimi ishte kryer para 20 vjetësh, në vend të faktit se Kozlina në një mënyrë krejtësisht të pamëshirshme ka vrarë gra dhe fëmijë. Dënimi tepër i butë për një krim aq të rëndë është vetëm një nga dëshmitë për pretendimin se institucionet në Serbi që janë përgjegjëse për ndjekjen e krimeve të luftës nuk e kanë dhembshurinë elementare për familjet e viktimave të krimeve të luftës, që dy dekada të plota pas fundit të konfliktit ende nuk mund të marrin kënaqësinë e drejtësisë.

Share