Ftesë për dorëzim të konceptit të projektit

Ftesë për dorëzim të konceptit të projektit

fhpk-crd

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), me përkrahjen e organizatës Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut (Civil Rights Defenders), është duke e zbatuar projektin „Të rinjtë e ndërtojnë paqen në Ballkanin Perëndimor“, i cili e ka për qëllim që ta mundësojë angazhimin aktiv dhe kreativ të të rinjve në proceset e ballafaqimit me të kaluarën.

Me gjithë vëllimin e madh të fakteve të vërtetuara gjyqësore mbi krimet e luftës të kryera gjatë luftës në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, 20 vite më vonë ende mungon paqja. Atë e pamundësojnë mosndëshkimi gjerësisht i përhapur, injorimi i viktimave, glorifikimi publik i atyre që janë përgjegjës për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare si dhe ekzistimi narrativave etnikisht të njëanshme dhe reciprokisht të kundërvëna lidhur me ngjarjet, viktimat dhe akterët përgjegjës. Mungesa e dialogut konstruktiv dhe përfshirës mbi trashëgiminë e këtyre luftërave në mënyrë plotësuese e vështirëson pranimin e përgjegjësisë për krimet dhe ballafaqimin me pasojat e tyre.

Kujtime të ndryshme të luftërave të viteve 1990-të përcillen edhe tek gjeneratat e reja. Programet zyrtare të arsimit në Serbi nuk e ofrojnë paraqitjen e të kaluarës së afërt të mbështetur në faktet e vërtetuara gjyqësore, por skematizojnë informata etnikisht të përzgjedhura dhe të njëanshme mbi krimet e luftës. Njohuritë e të rinjve mbi të kaluarën, së këndejmi, janë tejet të kufizuara, gjë që ndikon në mënyrë të pafavorshme edhe në angazhimin e tyre në përhapjen e së vërtetës dhe në kërkimin e drejtësisë për krimet e kryera. Aktivitetet, të cilat i projektojnë, organizojnë dhe i kryejnë të rinjtë posaçërisht mungojnë në nivel të bashkësive lokale, të cilat duhet të përbëjnë fokusin e nismave dhe të dialogëve shoqëror. Situata e këtillë përbënë kërcënim serioz për gjasat e pajtimit në rajon.

FDH dhe MDC (CRD) i konsiderojnë të rinjtë si akterë kyç në ndërtimin e paqes afatgjate në Ballkanin Perëndimor. Fakti se nuk janë të ngarkuar me përvojën e drejtpërdrejtë të luftës si dhe qëndrimi i hapur për bashkëpunim dhe për hulumtim për zgjidhje inovative, i bëjnë të rinjtë pjesëmarrës të patejkalueshëm në procesin e ballafaqimit me të kaluarën. Kjo thirrje e ka për qëllim që, me anë të mbështetjes financiare dhe profesionale, t’iu mundësohet të rinjve që gjatë avokimit për drejtësinë dhe përgjegjësinë për veprat penale në të kaluarën të marrin një rol më aktiv dhe udhëheqës.

Hapat:

  1. Projektojeni dhe skicojeni aktivitetin/et, që do të realizohet/en në nivel të një ose të më shumë bashkësive lokale (vetëqeverisjet lokale) në Serbi, në Kroaci,në Bosnjë dhe Hercegovinë ose në Kosovë;
  2. Konceptin e projektit, jo më të gjatë se dy faqe, dorëzojeni në adresën outreach@hlc-rdc.org;
  3. Informatën mbi përkrahjen do ta merrni më së voni 10 ditë nga data e dorëzimit të konceptit;
  4. Nga dita e pranimit të informacionit, fillojani me përgatitjet për implementimin e aktivitetit;
  5. Aktivitetin/et realizojini më së voni deri në datën 28 shkurt të vitit 2019 dhe
  6. Lajmëroni për aktivitetet e realizuara.

Aktivitetet e propozuara duhet të jenë të orientuara drejt informimit, arsimimit, përfshirjes së publikut dhe nxitjes së dialogut mbi rëndësinë dhe mënyrat e pranimit të përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftërave në ish Jugosllavi dhe drejt tejkalimit të trashëgimisë së tyre të rëndë.

Fushat e angazhimit mund të përfshijnë (regjistri nuk është shterues dhe mund të përfshijë edhe fusha të ngjashme):

  • avokimi i vendosjes së drejtësisë penale për krimet e kryera;
  • rritja e dukshmërisë së viktimave;
  • promovimi i nismave, të cilat janë të drejtuara kah vërtetimi i fakteve mbi të kaluarën;
  • përhapja e fakteve të vërtetuara gjyqësore mbi luftërat e viteve 1990-të;
  • thirrja në përgjegjësi e atyre që janë të përfshirë në shkeljen e të drejtave të njeriut;
  • motivimi i të rinjve që të inkuadrohen në ballafaqimin me të kaluarën;
  • nxitja e debatit në nivel lokal mbi mënyrat e zgjidhjes së çështjeve të hapura dhe
  • inicimi i ndryshimeve ose miratimi i politikave nga fusha e ballafaqimit me të kaluarën.

Për realizimin e aktiviteteve të miratuara do të ndahen deri në 500 euro. Shuma e miratuar ka të bëjë me të gjitha shpenzimet e realizimit, duke e përfshirë edhe honorarin për autorin/en. Nuk ekziston afati për dorëzimin e konceptit të aktivitetit, por mbështetja do të përcaktohet gjatë periudhës nga data  1 nëntor i vitit  2018  e deri në datën 1 shkurt të vitit 2019.

Kriteret për zgjedhjen e projektit, i cili do të mbështetet, përfshijnë si më poshtë:

  • Aktivitetet duhet të jenë të projektuara, të organizuara dhe të realizuara nga të rinjtë, të moshës prej 16 deri 35 vjet (aktivistët, studentët, gazetarët, ekspertët e fushave të ndryshme, etj.) dhe organizatat e të rinjve;
  • Bartës i projektit duhet të jetë individi ose organizata nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi ose nga Kosova;
  • Projektet duhet të jenë të orientuara dhe të realizuara në nivel të bashkësisë lokale (vetëqeverisja lokale ose disa sosh) në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi ose në Kosovë dhe
  • Projektet duhet të jenë të paanshme, përfshirëse dhe participuese. Aktivitetet, të cilat e nxisin gjuhën e urrejtjes ndaj cilitdo grup, animin etnik ose fetar, përhapjen e stereotipave dhe të paragjykimeve si dhe përvetësimin jokritik të njohurive, nuk do të përkrahen.

Përparësi do të kenë projektet, të cilat e fusin inovativitetin në ballafaqimin me të kaluarën dhe të cilat janë të orientuara drejt të rinjve.

FDH dhe MDC e nxisin bashkëpunimin rajonal të të rinjve në projektimin dhe në realizimin e aktiviteteve.

Aktivitetet duhet të implementohen më së voni deri në datën 28 shkurt të vitit 2019.

Pyetjet në lidhje me konkursin dhe implementimin e aktiviteteve mund të drejtohen me e-mail në adresën outreach@hlc-rdc.org. FDH do t’i publikojë në faqen e vet të internetit pyetjet e bëra dhe rregullisht do t’i përditësojë ato.

Share