Tribunali i Hagës – minierë e artë e fakteve që kanë të bëjnë me të gjithë ne

Tribunali i Hagës – minierë e artë e fakteve që kanë të bëjnë me të gjithë ne

mksj-izlozba

Në Qendrën beogradase për Dekontaminim Kulturor nga data 19 deri në 28 mars të vitit 2018 ka qenë e hapur ekspozita „GJNPJ:Rasti Kosova 1998 – 1999” (MKSJ: Slučaj Kosovo 1998-1999“). Përmes video-materialeve dhe dokumenteve të zgjedhura, ekspozita paraqet se si krimet e kryera gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë i ka hulumtuar, rekonstruktuar dhe ndjekur penalisht Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish  Jugosllavinë (GJNPJ). Autorë të ekspozitës janë SENSE – Qendra për Drejtësi Tranzicionale nga Pula dhe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Qendrën për Ballafaqim me të Kaluarën – Documenta. Ekspozita mbështetet në narrativin interaktiv të internetit „MKSJ: Slučaj Kosovo 1998-1999 – Istraga, rekonstrukcija i procesuiranje kosovskih zločina“ (“GJNPJ: Rasti Kosova 1998 – 1999 – hetimi, rekonstruktimi dhe ndjekja penale e krimeve në Kosovë), dhe është pjesë e ambientit të përhershëm të Qendrës së Dokumentimit Kosovë në Prishtinë.

Ekspozita është hapur me debatin mbi njohuritë publike të fakteve me anë të gjyqit të vërtetuara mbi krimet, të cilat janë kryer gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë. Pikëpamjet e tyre në atë rast i kanë shprehur gazetari dhe drejtori i SENSE – Qendra për Drejtësi Tranzicionale, Mirko Klarin, prokurori në lëndën Shainoviqi dhe të tjerët, Tomas Henis, drejtori ekzekutiv i FDH Kosovë, Bekim Blakaj, dhe Nemanja Stjepanoviq nga FDH.

Panelistët kanë përkujtuar se në aktgjykimin Shainoviqi dhe të tjerët,  GJNPJ e ka vërtetuar se ushtria dhe policia serbe kanë zhvilluar një fushatë të gjerë të dhunës të drejtuar kundër shqiptarëve në Kosovë, me qëllim që ata të dëbohen nga shtëpitë e tyre dhe që ta realizojë kontrollin e forcave serbe mbi Kosovën. Fushata e dhunës është zhvilluar sipas modelit, i cili ka qenë gjerësisht i zbatuar në Kosovë dhe ka shkaktuar që nga data 24 mars e deri datën 12 qershor të vitit 1999 Kosovën në mënyrë të dhunshme të braktisin së paku 700.000 shqiptarë. Duke e realizuar këtë plan, forcat ushtarake dhe policore serbe kanë kryer një varg të vrasjeve masive, e kanë ekspozuar popullatën ndaj dhunës seksuale dhe në mënyrë të qëllimshme e kanë shkatërruar pronën e shqiptarëve.

Prokurori në lëndën Shainoviqi dhe të tjerët, Tomas Henis e ka theksuar se gjetjet e gjykatës në këtë lëndë në mënyrë të qartë e mbështesin pandehmën se Sllobodan Milosheviqi ka qenë i përfshirë në këtë ndërmarrje të përbashkët kriminale. Në mbështetje të kësaj se dhuna në Kosovë ka qenë rezultat i planit të kreut shtetëror të Serbisë më së miri dëshmojnë dy prova të paraqitura gjatë gjykimit: Procesverbali  nga takimi i Komandës së Përbashkët për Kosovën dhe Metohinë mbi Planet e UJ-së dhe të MPB-së në lidhje me zbatimin e planit të luftës kundër terrorizmit, gjë që gjatë luftës janë shndërruar në planin që nga krahina e atëhershme të dëbohen shqiptarët e Kosovës. I dyti është procesverbali nga takimi i zyrtarëve më të lartë shtetëror në Beli Dvor në muajin tetor të vitit 1998, në të cilin është folur mbi atë se çka është bërë në Kosovë deri atëherë dhe çka planifikohet në periudhën e ardhshme. Prokurori Henis e ka theksuar se pikërisht ky është dokumenti, i cili jep përgjigje në pyetjen nëse ka ekzistuar plani i organizuar dhe aktiviteti i bashkërenditur midis ushtrisë, policisë dhe kreut politik të Serbisë në pikëpamje të zbatimit të fushatës së dhunës mbi shqiptarët në Kosovë. Akterët kyç të kësaj ndërmarrjeje të përbashkët kriminale kanë qenë Sllobodan Millosheviqi, Nebojsha Pavkoviqi, Nikolla Shainoviqi dhe Sreten Lukiqi, deri sa si ndihmës janë shënjuar Dragoljub Ojdaniqi dhe Vlladimir Lazareviqi.

Duke folur për marrëdhënien ndaj të dënuarve të Hagës në Serbi dhe në rajon, Henis e ka shprehur bindjen e tij se nuk është e mjaftueshme që personi, i cili është dënuar për ndërmarrje të përbashkët me qëllim që të dëbohet popullata e një territori të caktuar, në kuadër të së cilës janë dëbuar 700.000 civila, të jetë i dënuar në 15-20 vite me burgosje dhe që nga ai të del pas vuajtjes së dy të tretave (2/3) të dënimit.

Mirko Klarin ka shtuar se, edhe pse përgjegjësia individuale e Sllobodan Millosheviqit për krimet e kryera në Kosovë nuk është vërtetuar për shkak të vdekjes së tij, nga 66 pika të aktakuzës kundër tij  në lëndë të tjera jashtë dyshimit të arsyeshëm janë provuar krimet, të cilat janë kryer në Kosovë. Klarin e ka theksuar se në shtetet trashëgimtare të ish Jugosllavisë qartë shihet trendi i glorifikimit të kriminelëve “tanë” krahas neglizhimit të viktimave “tona”. Po ashtu, edhe pse provat, deri tek të cilat ka ardhur dhe faktet të cilat i ka vërtetuar GJNPJ sot për ne përbëjnë një “minierë të artë”, ato mbesin në mënyrë të pamjaftueshme të njohura për publikun e gjerë për shkak të numrit të vogël të të interesuarve për hulumtimin e tyre.

Bekim Blakaj konsideron se në Kosovë ekziston deficiti i njohurive mbi proceset, të cilat janë zhvilluar në GJNPJ dhe se, së këndejmi, njohuritë e të rinjve mbi këto procese janë formësuar kryesisht në kuadër të familjes dhe nga ana e mediave. Dhe, derisa gjykimet në lëndët Haradinaj dhe të tjerët dhe  Limaj dhe të tjerët  janë paksa më të njohura, përfytyrimi në sytë e publikut mbi faktet, të cilat në ato gjykime janë vërtetuar, në masë të madhe është i shtrembëruar. Problem përbënë edhe fakti as institucionet e as shoqëria civile nuk mbështeten në provat e paraqitura para GJNPJ, me qëllim që ta informonin dhe edukonin publikun mbi ngjarjet gjatë luftës. Ngjashëm me këtë, opinioni publik në Kosovë e percepton Gjykatën Speciale në Kosovë si të njëanshme dhe shprehimisht është kundër themelimit të saj. Blakaj, megjithëkëtë, përkujton se kjo Gjykatë është e nevojshme për Kosovën, midis të tjerash edhe për shkak të gjykimeve joefikase para gjykatave vendore, të cilat deri sot për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë me vendime të plotfuqishme i kanë dënuar gjithsejtë 30 individë.

Duke iu përgjigjur pyetjes nga publiku lidhur me ndjekjen penale të veprave penale të cilat janë kryer gjatë valës së dhunës së muajit mars të vitit 2004 në Kosovë, Blakaj ka thënë se sot, duke qenë se këto ngjarje asnjëherë nuk janë hetuar plotësisht, nuk e dinë as motivin e as nismëtarët e dhunës, por vetëm pasojat, të cilat arrijnë në 19 viktima njerëzore. E ka theksuar se është posaçërisht e çuditëse motivi për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke qenë se një dhunë e tillë nuk ka ndodhur as gjatë luftës së viteve 1998-1999. Në Kosovë, në lidhje me këto ngjarje, janë ndjekur penalisht disa dhjetëra raste, prej të cilave shumica janë për shkaktim të mosdurimit racor dhe fetar si dhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, derisa vetëm disa njerëz janë ndjekur penalisht për shkak të veprës penale të vrasjes.

Duke folur mbi rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës në Kosovë, Nemanja Stjepanoviq e ka theksuar se GJNPJ në mënyrë të padyshimtë e ka vërtetuar se UÇK-ja ka kryer krime në kampin në Llapushnik/Lapušnik dhe Jabllanicë/Jablanica, si edhe në Malet e Berishës/Planina Beriša, se është përgjegjëse për vrasjen e një numri të njerëzve, trupat e të cilëve janë gjetur në Liqenin e Radoniqit/Radonjićko jezero si dhe për një numër të kidnapimeve dhe të vrasjeve të civilëve në rajonin e Dukagjinit/Dukađine. Megjithëkëtë, epilogu për këto krime pjesërisht ka munguar, para së gjithash për shkak të mungesës së provave, si rrjedhojë e problemit të frikësimit të dëshmitarëve, të ndryshimit të deklaratave të tyre gjatë procedurës si dhe për shkak të provave joadekuate, të cilat institucionet e Serbisë ia kanë dorëzuar Gjykatës.

Stjepanoviqi në fund ka përkujtuar se në shtetet e rajonit  ekziston tendenca që të arriturat e GJNPJ të perceptohen si fundi i procesit të ballafaqimit me të kaluarën, në vend se si fillimi i tij. Është e dukshme edhe tendenca që me rastin e shqyrtimit të gjetjeve të GJNPJ të merren parasysh vetëm   përfundimet e gjykatës, por jo edhe provat, në bazë të të cilave po ashtu mund të nxirren përfundime valide – madje edhe atëherë kur vet Gjykata nuk e ka bërë këtë.

***

Në kuadër të ekspozitës, në datën 20 dhe 21 mars janë mbajtur orë publike mbi faktet e vërtetuara me anë të gjyqit mbi krimet e kryera gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë. Ora publike mbi krimet e UÇK-së i ka ndriçuar faktet të cilat, për ekzistimin e kampit nën kontrollin e UÇK-së dhe vrasjen e jashtëligjshme të civilëve, i ka vërtetuar GJNPJ në lëndët Haradinaj dhe të tjerët  dhe Limaj dhe të tjerët, si dhe përgjigjet në pyetjen se përse, me gjithë faktet e vërtetuara, kryekomandantët e UÇK-së nuk janë gjykuar për këto krime. Ora publike mbi krimet e forcave serbe në Kosovë e ka paraqitur zhvillimin e krizës në Kosovë, e pastaj edhe faktet të cilat GJNPJ i ka vërtetuar në pikëpamje të pjesëmarrjes së forcave serbe në krime, duke e përfshirë edhe bazën për përfundimin e Gjykatës mbi ekzistimin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale të qeverisë së Sllobodan Millosheviqit me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës.

***

Me bisedën me Saranda Bogujevcin, në datën 26 mars, është shënuar 19-të vjetori i vrasjes së 14 civilëve shqiptarë në Podujevë/Podujevo, në datën 28 mars të vitit 1999. Atëherë janë vrarë nëna e Sarandës, Sala, dhe vëllezërit e saj, Shpendi dhe Shpëtimi, derisa vet Saranda, aso kohe vajzë 13 vjeçare, e ka mbijetuar masakrën. Përkujtimin e Sarandës të kësaj ngjarjeje dhe kërkesën e saj për drejtësi në heshtje e kanë dëgjuar mbi 100 qytetarë të Serbisë.

***

Ekspozita „GJNPJ: Rasti Kosova 1998-1999“ është mbyllur me shfaqjen e filmit shumëfish të shpërblyer  “Thellësia dy” („Dubina dva“), përfundimin e të cilit salla e plotë e Qendrës për Dekontaminim Kulturor  e ka përcjellë me duartrokitje. Autor i filmit është Ognjen Glavoniq, kurse është krijuar nga produksioni Non-Aligned Films dhe Fondi për të Drejtën Humanitare. Si premierë është shfaqur në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin në muajin shkurt të vitit 2016, kurse pas kësaj edhe në një numër të madh të festivaleve anë e kënd botës. Filmi është pjesë e nismave për krijimin e një vend-përkujtimi për viktimat e gjetura në Batajnicë/Batajnica, të quajtur “Batajnica – nisma për memorial” („Batajnica inicijativa za memorijal“).

Share