Me rastin e aktgjykimit në lendën “Kobra”

Me rastin e aktgjykimit në lendën “Kobra”

Logo FHPGjykata e Lartë në Nish e ka shqiptuar në datën 17 shkurt të vitit 2016 aktgjykimin, me të cilin Shyqer Maloku, Xhafer Gashi, Demush Gacaferi, Dem Maloku, Argon Isufi, Anton Quni, Ali  Rabit dhe Rrustem Berisha, që gjykohen në mungesë, janë shpallur fajtor për shkak të veprës penale të terrorizmit dhe i ka dënuar me dënimet me burgosje në kohëzgjatje prej 15 vitesh. Fondi për të Drejtën  Humanitare (FDH) e vë në spikamë se lënda është karakterizuar me mungesa serioze juridike dhe mungesë të logjikës, që rezultojnë nga kualifikimi i gabuar i veprës dhe të vendimit që të akuzuarit të gjykohen në mungesë.

Me aktakuzën e ndryshuar të muajit tetor të vitit 2015, tetë të akuzuarve iu është vënë në barrë vepra penale e terrorizmit nga neni 125 i Ligjit Penal të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ). Ata ngarkohen se si pjesëtarë të grupit terrorist „Kobra“, që ka vepruar në kuadër të UÇK-së, në muajin shtator të vitit 1998, në kufirin jugosllav-shqiptar kanë vendosur mina tokësore dhe nga prita i kanë sulmuar pjesëtarët e Ushtrisë së Jugosllavisë, kur edhe janë vrarë gjashtë pjesëtarë të ushtrisë, kurse gjashtë të tjerë janë plagosur. Të akuzuarit nuk janë të qasshëm për organet e ndjekjes së Republikës së Serbisë dhe, për këtë arsye, janë gjykuar në mungesë në bazë të nenit 381 të Ligjit mbi Procedurën Penale (LPP), i cili e lejon këtë proces kur të akuzuarit janë në arrati ose nuk janë të qasshëm për organet shtetërore, por “vetëm kur ekzistojnë arsye posaçërisht të arsyetueshme.”

Në këtë lëndë, aktakuzën e parë e ka ngritur prokuroria ushtarake në vitin 1999,  me qëllim që, pas kalimit të lëndëve ushtarake në kompetenca të prokurorive dhe gjykatave me kompetenca të përgjithshme, Gjykata e Lartë në Mitrovicë (Kosovë) të akuzuarit t’i shpall fajtorë dhe që t’i dënojë me dënime me burgosje në kohëzgjatje prej 15 vitesh. Kundër këtij aktgjykimi, ankesë ka shpallur vetëm mbrojtësi i të akuzuarve në procedurën ankimore. Aktgjykimi është hequr dhe lënda është kthyer në rigjykim, kurse lënda ka kaluar në kompetencën e Gjykatës së Lartë në Nish.

Mungesa më e madhe juridike e kësaj lënde ka të bëjë me kualifikimin juridik të veprës, e cila të akuzuarve iu vihet në barrë. Vepra është rikualifikuar si vepër penale e terrorizmit. Sipas interpretimeve të prokurorit, të dhëna në fjalën përfundimtare të datës  9 shkurt, kjo vepër nuk ka mundur të rikualifikohet në gjykimin e përsëritur. Me fjalë të tjera, sipas nenit 453 të LPP-së, nëse ankesa është e paralajmëruar vetëm në dobi të të akuzuarve, gjë që është rasti në këtë lëndë, „aktgjykimi në procedurën e përsëritur nuk guxon të ndryshojë në dëm të tyre në pikëpamje të kualifikimit juridik dhe sanksionit penal” [kursivi i FDH-së]. LPP, megjithëkëtë, nuk e qartëson se çka do të thotë – në dëm të të akuzuarve. FDH konsideron se dispozita e LPP-së nuk ka qenë pengesë që lënda si vepër penale të kualifikohet si krim i luftës, nëse rrethanat e rastit kanë në këtë drejtim, dhe që kompetenca në këtë lëndë të bartet PKL.

Me fjalë tjera, në kohën e ngjarjeve të aktakuzës, përkatësisht në muajin shtator të vitit 1998 në Kosovë është zhvilluar konflikti i armatosur midis forcave të armatosura të RFJ-së dhe të UÇK-së, kurse të akuzuarit në këtë lëndë i takojnë njërës palë në konfliktin e armatosur dhe, së këndejmi, vepra penale e përshkruar në aktakuzë në këto rrethana mund të jetë vetëm krim i luftës dhe jo vepër penale e terrorizmit. Tribunali i Hagës në mënyrë të padyshimtë ka vërtetuar se në muajin shtator të vitit 1998 në Kosovë është zhvilluar konflikti i armatosur (shih p.sh., lëndën Haradinaj, par. 100), kurse PKL po ashtu e pranon  se konflikti në Kosovë ka zgjatur tashmë prej vitit 1998.

Të akuzuarit ngarkohen për sulmin në pjesëtarët e palës tjetër në konflikt, që parimisht përbënë akt legal në konfliktin e armatosur. Së këndejmi, edhe do të mund të liroheshin nga përgjegjësia. E vështruar nga kjo pikëpamje, kurse sipas dispozitës së nenit 453 të LPP-së, rikualifikimi i veprës në krim të luftës nuk do të ishte në dëm të të akuzuarve, aq më shumë, në të vërtetë, për ta do të ishte i favorshëm. Nga ana tjetër, duhet të kihet parasysh se nuk është çdo lloj i sulmit në pjesëtarët e palës tjetër i lejuar, por përfundimin e tillë në këtë lëndë  është dashur ta sjellë PKL, si e vetmja prokurori kombëtare kompetente dhe që, rrjedhimisht, të vazhdojë ndjekjen ose që nga ajo të hiqet dorë.

Në fund, madje edhe nëse veprat e përshkruara në aktakuzë përbëjnë krim të luftës, FDH konsideron se në këtë rast nuk kanë ekzistuar arsye posaçërisht të arsyetueshme në përputhje me LPP për gjykim në mungesë nga ana e cilësdo prokurori të Republikës së Serbisë. Me fjalë të tjera, shmangia e gjykimit në mungesë për krime të luftës dhe krime të tjera, sipas të drejtës ndërkombëtare, sot është standard, i vendosur me qëllim që të parandalohen gjykimet politike. Sistemet e shumta kombëtare, gjykatat ndërkombëtare dhe organizatat ndërkombëtare e parashohin ndalimin e gjykimit në mungesë dhe, kështu, Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) me rregulativë  të vitit 2001 e ka ndaluar gjykimin në mungesë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare; LPP i Bosnjës dhe Hercegovinës (neni 247) e parasheh ndalimin e përgjithshëm të gjykimit në mungesë; Statuti i Romës i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (neni 63); etj.

Sipas rezolutës  së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mbi kriteret për procedurat, të cilat zhvillohen në mungesë të të akuzuarit, i akuzuari nuk guxon të gjykohet në mungesë nëse është e mundshme dhe e dëshirueshme që të gjykohet në një shtet tjetër, përkatësisht në juridiksion tjetër. Duke e pasur parasysh Protokollin  mbi bashkëpunimin midis UNMIK-ut dhe RFJ-së , i cili e parasheh këmbimin e informatave në çështjet penale dhe mundësinë e lëshimit të dosjes penale si dhe faktin se tashmë në vitin në vijim duhet të themelohet gjykata speciale  për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, FDH konsideron se gjykimi i tetë pjesëtarëve të UÇK-së duhet t’iu lihet institucioneve të gjyqësorit në Kosovë, përkatësisht gjykatës së ardhshme speciale, me të cilën tashmë Serbia ka paralajmëruar  bashkëpunimin.

Share