FDH Kosovë: Oliver Ivanoviqi dënohet me nëntë vite burgosje për krimet e luftës kundër popullatës civile

FDH Kosovë: Oliver Ivanoviqi dënohet me nëntë vite burgosje për krimet e luftës kundër popullatës civile

fdh_kosovo_logoPas shqyrtimit kryesor trembëdhjetë mujor në rastin Prokurori kundër Oliver Ivanoviqit dhe të tjerëve,[1] trupi gjykues ndërkombëtar i Gjykatës Themelore në Mitrovicë (ka kryesuar gjyqtarja Roxana Comsa,[2])  në datën 21 janar të vitit 2016 e ka shpallur aktgjykimin, me të cilin i akuzuari Oliver Ivanoviq është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile dhe ia ka shqiptuar dënimin në kohëzgjatje prej nëntë (9) vitesh. Në arsyetimin e shkurtë, të cilin me këtë rast gjyqtarja Comsa ua ka kumtuar palëve në procedurë, gjykata ka gjetur se Ivanoviqi është përgjegjës për krimin e kryer në datën 14 prill të vitit 1999 në Mitrovicë, në rrugën Milladin Popoviqi (tash Ahmet Selaci), si dhe në rrugën Rruga për Bajrë. Me këtë rast, gjatë veprimeve të forcave paramilitare policore serbe janë vrarë shqiptarët Fatmir Mustafa, Skender Paqarada, Avni Abazi dhe Mehmet Seferi.

Në të njëjtën kohë, gjykata, me anë të aktgjykimit të të akuzuarit Ivanoviq, të akuzuarit Dragoljub Delibashiqin, Ilija dhe Nebojsha Vujaçiqin  dhe Aleksandër Llazoviqin, i ka liruar nga akuzat në drejtim të veprave penale vrasje e rëndë e kryer nga motivet nacionale, si dhe tentim vrasje e rëndë nga motive nacionale, të cilat, sipas pohimeve të aktakuzës, kanë ndodhur në trazirat e datës 03 shkurt të vitit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në të cilat, sipas pohimeve të prokurorisë, kanë marrë pjesë edhe pesë të akuzuarit në krye me Ivanoviqin.

Prokurori ndërkombëtar, në datën 11 gusht të vitit 2014 e ka ngritur aktakuzën kundër Ivanoviqit dhe katër të dyshuarve të tjerë. Me anë të saj, të akuzuarit Ivanoviq i është vënë në barrë se në datën 14 prill të vitit 1999 dhe në cilësi të udhëheqësit të njësive serbe paramilitare/policore e ka nxitur grupin e vartësve të tij për të kryer krime të luftës kundër personave, të cilët nuk kanë pasur rol aktiv në armiqësitë si edhe se ka urdhëruar vrasjen e nëntë (9) civilëve, prej të cilëve janë vrarë katër persona. Të akuzuarit Ivanoviq, me anë të aktakuzës së cekur, po ashtu i është vënë në barrë se në cilësinë e udhëheqësit të grupit paramilitar “Rojtarët e urës”, me të akuzuarin Delibashiq, në datën 03 shkurt të vitit 2000, në orët e mbrëmjes, sipas pranimit të mëhershëm për të cilin janë marrë vesh dhe me dashje të drejtpërdrejtë, i ka detyruar qytetarët e kombësisë shqiptare në veri të Mitrovicës që t’i braktisin shtëpitë e tyre dhe territorin e pjesës veriore të Mitrovicës me qëllimin përfundimtar që me këtë rast të kryhen vrasje ose që shqiptarëve t’iu shkaktohen lëndime trupore. Si pasojë e veprimeve të tyre, me këtë rast i kanë humbur jetët: Nderim Ajeti, Nexhmije Xhaka, Sebiha Abrashi, Remzije Canhasi, Muharrem Sokoli, Selime Berisha, Nezir Voca, Shqipe Voca, Bashkim Rrukeci dhe Nimon Sejdiu, kurse lëndime të rënda iu janë shkaktuar: Rrezarta Ajetit, Nexhmedin Ajetit, Agon Ajetit dhe Emine Xhakës. Sipas aktakuzës, nga veprimet e të akuzuarve në këtë rast janë rrezikuar edhe jetët e nëntë personave të tjerë. Sipas të njëjtës aktakuzë, të akuzuarit Nebojsha dhe Ilija Vujaçiqi, si dhe Aleksandar Llazoviqi, në datën 03 shkurt të vitit 2000, nën komandën e të akuzuarit Ivanoviq dhe me qëllime të njëjta, të cilat i kanë pasur Ivanoviqi dhe Delibashiqi, e kanë kryer sulmin në rrugën Llola Ribar nr. 3, me ç’rast janë vrarë dhjetë (10) shqiptarë dhe shumë të tjerëve prej tyre iu janë shkaktuar lëndime të rënda trupore me pasoja, nga të cilat edhe ka qenë e rrezikuar jeta e tyre.

Shqyrtimi kryesor është hapur në datën 18 dhjetor të vitit 2014. Gjatë shqyrtimit, i cili ka zgjatur paksa më shumë se sa një vit, trupi gjykues është takuar 83 ditë, gjatë të cilave janë dëgjuar 81 dëshmitarë, 55 dëshmitarë të prokurorisë, 22 të mbrojtjes. Dy dëshmitarë të prokurorisë kanë dëshmuar në cilësi të dëshmitarëve anonimë. Sipas vendimit të trupit gjykues,  identiteti i njërit prej këtyre dy dëshmitarëve nuk iu është bërë i ditur as palëve në procedurë. Po ashtu, katër (4) dëshmitarë të prokurorisë gjatë gjashtë (6) seancave të trupit gjykues kanë dëshmuar me anë të video konferencës. Këta dëshmitarë nuk jetojnë më në Kosovë. Gjatë shqyrtimit janë paraqitur edhe shumë prova materiale nga ana e palëve në procedurë. Trupi gjykues, në kuadër të procedurës së provave, e ka bërë inspektimin e vendit të ngjarjes në pjesën jugore dhe veriore të qytetit.

Trupi gjykues, sipas detyrës zyrtare, palës së dëmtuar, si palë në procedurë, ia ka angazhuar të autorizuarin e plotfuqishëm, për shkak të mbrojtjes së të drejtave të tyre gjatë procedurës penale.

Në arsyetim, pas aktgjykimit të shpallur, trupi gjykues e ka theksuar se aktgjykimin e ka sjellë në bazë të provave dhe të ligjit. Sipas këtij arsyetimi, krimi, për të cilin i akuzuari Ivanoviq është shpallur fajtor, ka ndodhur në datën 14 prill të vitit 1999 dhe gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë. Gjykata ka konstatuar se në bazë të provave të drejtpërdrejta të paraqitura gjatë procedurës, është vërtetuar se i akuzuari Ivanoviq është gjendur në vendin e ngjarjes , i uniformuar dhe i armatosur si dhe me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe dhe se ka pasur një sjellje specifike. Sipas gjykatës, i akuzuari është parë me uniformë edhe para ditës kritike, së bashku me persona të tjerë ushtarak serb. Shumë dëshmitarë e kanë parë të akuzuarin në vendin e ngjarjes, dhe deklaratat e tyre janë të besueshme dhe bindëse. Trupi gjykues ka shfaqur besim shtesë ndaj dëshmitarit kryesor të prokurorisë, pohimeve të tij, se në momentin kur pothuajse i është shmangur vdekjes së sigurt, kur plotësisht ka qenë i ngarkuar me fatin e familjes së tij, ka dëshmuar mbi praninë e Ivanoviqit në vendin e krimit, gjë që, sipas gjetjeve të gjykatës, i ka dhënë peshë të veçantë deklaratës së tij. Ky fakt, për gjykatën ka qenë jashtëzakonisht bindës. Sipas gjetjeve të gjykatës, Ivanoviqi ka qenë një hallkë në zinxhirin si dhe në makinerinë zyrtare të asaj kohe në veri të Mitrovicës, por nuk është shpallur fajtor sipas përgjegjësisë komanduese. Në fund, gjykata ka konstatuar se në disa deklarata të veçanta të dëshmitarëve ka parë mospërputhje të caktuara, por të vogla, të cilat nuk kanë qenë vendimtare për gjetjet përfundimtare të gjykatës.

Trupi gjykues nuk i ka kushtuar vëmendje mbrojtjes së të akuzuarit Ivanoviq si dhe as dëshmitarëve të mbrojtjes, të cilët janë përpjekur për të vërtetuar alibinë e të akuzuarit, që gjatë rrjedhës së procedurës kanë sjellë deklarata të përgjithshme mbi lëvizjet e të akuzuarit, se ka qenë në vendin e punës, me obligim pune.

Gjykata, vendimin në këtë lëndë e ka bazuar në ligjin, i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale[3] dhe i cili për veprën, me të cilin i akuzuari Ivanoviq është shpallur fajtor, e parasheh dënimin me burgosje në kohëzgjatje prej 5 deri në 15 vite. Me rastin e shqiptimit të dënimit, gjykata ka pasur parasysh rrethanat lehtësuese dhe ato vështirësuese, derisa në lidhje me pjesën liruese të aktgjykimit trupi gjykues nuk ka gjetur se provat e paraqitura jashtë çdo dyshimi e vërtetojnë përgjegjësinë e të akuzuarve.

Me vendim të veçantë, trupi gjykues ia ka zgjatur të akuzuarit Ivanoviq masën e arrestit shtëpiak, nën të cilën ai është gjetur prej datës 18 shtator të vitit 2015, kurse pas qëndrimit në paraburgim gjyqësor, prej më shumë se një viti e gjysmë. Me Ligjin për Procedurën Penale të Kosovës, në rastet e shqiptimit të dënimit me burg prej pesë (5) ose më shumë vitesh, është i paraparë paraburgimi gjyqësor.[4] Të akuzuarve të tjerë iu janë hequr masat e sigurisë.

Vendimi i gjykatës, me të cilin të akuzuarit Ivanoviq i është shqiptuar dënimi me burgosje në kohëzgjatje prej nëntë vitesh, nuk është përfundimtar. Palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës pas pranimit të aktgjykimit në formën e shkruar.

FDH Kosovë, në bazë të përcjelljes së rregullt të shqyrtimit kryesor dhe qasjes në dokumentacionin zyrtar në këtë lëndë, ka gjetur se shqyrtimi kryesor është zhvilluar me një profesionalistet të jashtëzakonshëm nga ana e trupit gjykues dhe se palët në procedurë kanë pasur rast që të shfrytëzojnë të gjitha të drejtat e tyre procedurale, të cilat iu takojnë në bazë të ligjit dhe konventave ndërkombëtare. Është e pakundërshtueshme se i akuzuari Ivanoviq në ditën kritike ka qenë në vendin e ngjarjes, por ka mbetur i paqartë roli i tij konkret, nëse ka dhënë urdhra për vrasjen e civilëve, si dhe cilat veprime konkrete i ka ndërmarrë në ditën kritike? Qartësimi pritet të bëhet me anë të aktgjykimit me shkrim, në lidhje me këtë FDH Kosovë do ta publikon analizën e detajuar të rastit.

[1] Të bashkëkuzuarit: Dragoljub Delibashiq, Nebojsha dhe Ilija Vujaçiq, Aleksandar Llazoviq.

[2] Anëtarët e trupit gjykues: gjyqtarja Nuno Manuel Ferreira de Modureira dhe Vitor Pardal.

[3] Ligji penal i RSFJ-së.

[4] Neni 367, paragrafi 2 i LPPK parasheh: Nëse gjyqtari ose trupi gjykues e shqiptojnë dënimin me burgosje prej pesë  (5) ose më shumë vitesh, të akuzuarit i caktohet paraburgimi, nëse ai nuk është në paraburgim, ose e vazhdon të njëjtin nëse i akuzuari tashmë ndodhet në paraburgim.

Share