Shteti i Serbisë pa përgjigje në shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë viteve nëntëdhjetë

Shteti i Serbisë pa përgjigje në shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë viteve nëntëdhjetë

hrdMe rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) e vë në spikamë se Republika e Serbisë e ka për obligim për të zbatuar normat e së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në rastet e shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut gjatë viteve nëntëdhjetë dhe e thekson se raporti i institucioneve ndaj këtyre obligimeve përbënë pasqyrën e sinqeritetit të pushtetit politik në procesin e ndërtimit të shoqërisë demokratike dhe të kulturës së të drejtave të njeriut.

Republika e Serbisë është nënshkruese e pothuajse të gjitha marrëveshjeve relevante ndërkombëtare mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të protokolleve përcjellëse – duke e përfshirë edhe Paktin Ndërkombëtar mbi të Drejtat Qytetare dhe Politike (2001), Konventën Evropiane mbi Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore(2004), Konventën Kundër Torturës (2001) dhe Konventën për Mbrojtjen nga Zhdukjet e Përdhunshme (2011), në të cilat janë të përcaktuara obligimet  e shteteve për të ndjekur penalisht shkelësit e të drejtave të njeriut dhe që viktimave t’íu ofrojë satisfaksionin, përkrahjen dhe pranimin e duhur.

Ndjekja penale e kryerësve të krimeve të luftës dhe të shkeljeve të tjera të rënda të të drejtave të njeriut në kontekstin e konflikteve të armatosura të viteve 1990-të është duke u zhvilluar ngadalë dhe pamjaftueshëm në mënyrë efikase. Rezultat i ndjekjes penale dymbëdhjetëvjeçare të krimeve të luftës në Serbi janë 46 kryerës të dënuar në mënyrë të plotfuqishme. Trendi i zvogëlimit të numrit të aktakuzave e ka arritur pikën më të ulët në vitin 2015, vit i cili përfundon pa asnjë aktakuzë të konfirmuar për krimet e luftës. Posaçërisht është i vogël numri i aktakuzave për krimet në Kosovë, përkundër aktgjykimeve të plotfuqishme para Tribunalit të Hagës, në të cilat është konfirmuar përgjegjësia e kreut politik, ushtarak dhe policor të Serbisë për krimet ndaj civilëve shqiptarë. Gjykata, shpesh, i dënon kryerësit me dënime të buta. Përveç kësaj, ata i gëzojnë favoret gjatë vuajtjes së dënimit me burgosje, që janë në mospërputhje me peshën e veprave penale, për të cilat janë të dënuar. Oficerët e rangut të lartë të ushtrisë dhe të policisë janë amnistuar nga përgjegjësia, sepse Prokuroria për Krime të Luftës rrallëherë ngrit aktakuza kundër kësaj kategorie të kryerësve, kurse instituti i përgjegjësisë komanduese, i paraparë me të drejtën ndërkombëtare dhe vendore, deri tash nuk është zbatuar asnjëherë. Sistemi i përkrahjes së viktimave dhe i mbrojtjes së dëshmitarëve nuk e krijon klimën, në të cilën viktimat dhe dëshmitarët ndjehen të sigurt për të folur dhe për këtë arsye më me dëshirë përcaktohen që të heshtin. Në vend se drejt vërtetimit të përgjegjësisë për krimet e kryera, përkrahja politike është e orientuar drejt kryerësve, organizatorëve dhe urdhërdhënësve të këtyre krimeve. Prokuroria për Krime të Luftës përjeton trysni dhe kërcënime publike, të cilat vijnë nga instancat më të largëta të pushtetit.

Shumica e viktimave civile të luftës në Serbi nuk gëzon kurrfarë të drejtash si dhe as përkrahjen e institucioneve për shkak të kuadrit ligjor diskriminues, i cili ua shkurton të drejtën në reparacione. Ligji mbi invalidët civil të luftës i vitit 1996 nuk e pranon statusin e viktimës civile për familjet e të zhdukurve, për viktimat e dhunës seksuale, viktimat e forcave serbe të sigurisë, viktimat me shkallë të ulët të dëmtimit trupor dhe me pasoja psikike nga dhuna e përjetuar si dhe për kategoritë e tjera të viktimave. Ministria kompetente, nga fundi i vitit 2014 e ka iniciuar përpilimin e ligjit të ri, por, në vend se ta përparojë mbrojtjen e viktimave civile të luftës, e ka ruajtur shumicën e dispozitave diskriminuese të ligjit ekzistues. Projektligji i paralajmëruar mbi të drejtat e luftëtarëve, të invalidëve të luftës, të invalidëve civil të luftës dhe anëtarëve të familjeve të tyre përbënë një shembull eklatant të injorimit të normave dhe të standardeve ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut nga ana e institucioneve të Serbisë.

Viktimat e krimeve të luftës dhe të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut ballafaqohen edhe me obstruksionin e proceseve gjyqësore, në të cilat i kërkojnë të drejtat e veta në kompensimin material të dëmit. Këto procedura zgjasin në mënyrë të paarsyeshme tepër, kurse kërkesat e viktimave në numrin më të madh të rasteve refuzohen për shkak të parashkrimit ose të mospranimit të provave, kurse në një numër të rrallë të aktgjykimeve në dobi të viktimave ndahen shumat të ulëta poshtëruese.

Institucionet nuk e njohin rëndësinë e verifikimit të së kaluarës të të punësuarve të tyre dhe i bashkohen aleancës së heshtjes mbi krimet e luftës. Ato iu ofrojnë strehim individëve, të cilët janë nën dyshimin serioz për kryerjen e krimeve më të rënda të luftës dhe e fshehin dokumentacionin, i cili mund të ndihmojë në ndriçimin e rrethanave mbi vendet e varrezave masive dhe të përgjegjësisë për krimet. Ligji i parë dhe i vetëm mbi lustracionin ka pushuar të jetë në fuqi në muajin qershor të vitit 2013 pa u zbatuar as edhe në një të vetmin rast.

Marrëdhënia e këtillë e Serbisë ndaj obligimeve të marra ndërkombëtare në pikëpamje të mbrojtjes së të drejtave të viktimave të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të vendosjes së shtetit ligjor ka qenë objekt i kritikës i Komitetit kundër torturës të KB-ve dhe Komitetit për mbrojtjen nga zhdukja e përdhunshme i KB-së, i Këshillit të Evropës, i Komisionit Evropian dhe i Parlamentit të Evropës si dhe i organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, siç janë Amnesty International dhe Human Rights Watch.

FDH iu bënë thirrje institucioneve të Republikës së Serbisë që përkushtimin e tyre për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare ta demonstrojnë me vepra konkrete, të cilat do të jenë të dukshme për mijëra viktima të krimeve të rënda të kryera nga ana e forcave serbe. Konkretisht, të miratojnë strategjinë kombëtare për ndjekjen penale të krimeve të luftës, me të cilën do të zgjidhte problemet e rënda sistemore në këtë fushë, të miratojë Modelin e ligjit mbi shkeljen e të drejtave të viktimave civile në konfliktet e armatosura dhe në lidhje me konfliktet e armatosura në periudhën prej vitit 1991 deri në vitin 2001, si dhe që të bëjë reformat institucionale, me anë të të cilave individët përgjegjës për organizimin, kryerjen dhe fshehjen e krimeve do tí largojë nga institucionet dhe me këtë do të parandalojë pengesat e mëtejme të vërtetimit të fakteve dhe të vendosjes së drejtësisë për krimet e kryera në të kaluarën.

Procesi i integrimeve evropiane mund të ofrojë një kornizë për hartimin dhe realizimin e reformës krahas inkuadrimit të të gjithë mekanizmave të drejtësisë tranzicionale në përmbajtjen e Kapitullit  23, të cilat kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe me të drejtat themelore.

Share