Dosjes ”Operacioni Reka“

Dosjes ”Operacioni Reka“

dosije_reka_logo_engNë datën 27 dhe 28 prill të vitit 1999, në fshatrat në perëndim të Gjakovës në Kosovë, është zhvilluar një operacion i gjerë i përbashkët i Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ) dhe i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), me emrin Reka. Gjatë këtij operacioni, pjesëtarët e forcave serbe kanë vrarë së paku 350 civilë shqiptarë të Kosovës, kurse me mijëra sish janë deportuar në Shqipëri. Trupat e 309 të vrarëve janë gjetur në vitin 2001 në varrezat e fshehta  masive në periferi të Beogradit. Sulmi i forcave serbe ndaj popullatës civile në luginën e Rekës, sipas numrit të viktimave,  është krimi më i rëndë i kryer ndaj civilëve gjatë luftës në Kosovë dhe është një nga më të mëdhenjtë në luftërat në ish Jugosllavi gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.

Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë (GJNPJ), në aktgjykimet kundër Vllastimir Gjorgjeviqit dhe të ashtuquajturës Pesëshes së Kosovës (Shainoviqi dhe të tjerët) në masë të madhe i ka rekonstruktuar rrethanat e këtij krimi, duke e përfshirë edhe rolin e UJ-së dhe të MPB-së, matricën e krimit dhe operacionet e fshehjes së trupave. Operacioni Reka ka qenë i sajuar nga Korpusi i Prishtinës i AJ-së dhe eprorët më të lartë të MPB-së e me qëllim të dëbimit të shqiptarëve të Kosovës nga fshatrat e komunës së Gjakovës, si dhe si hakmarrje ndaj meshkujve – shqiptarëve të Kosovës për shkak të vrasjes së katër pjesëtarëve të SPB-së së Gjakovës. Me operacionin kanë udhëhequr pjesëtarët e komandës së KP-së, nga një  vend komandues në Gjakovë.

Herët në mëngjesin e datës 27 prill të vitit 1999, ushtarët dhe policët, në mënyrë të koordinuar, duke filluar nga pjesa veriore e luginës Reka dhe duke lëvizur në drejtim të jugut, kanë hyrë në fshatrat e banuara nga shqiptarët (Dobrosh, Ramoc, Racaj, Korenica, Molliq, Brovinë, Guskë, Nivokaz dhe të tjera). Kanë hyrë në shtëpitë e tyre dhe iu kanë urdhëruar fshatarëve që të shkojnë për në Shqipëri, duke i drejtuar në drejtim të Gjakovës.  Gjatë dëbimit të civilëve nga shtëpitë e tyre, pjesëtarët e forcave serbe kanë vrarë me dhjetëra e dhjetëra civilë. Më së shumti civil, 68 sish, janë vrarë në fshatin Korenicë.

Me dhjetëra mijëra fshatarë, të cilët janë dëbuar nga fshatrat, i kanë formuar dy kolona të traktorëve, që kanë shkuar në drejtim të qytetit të Gjakovës. Kolonat, në fshatin Meje, nga Gjakova, kanë kaluar nëpër dy punkte, të cilat i kanë formuar policët e SPB-së së Gjakovës. Në punkt, policët i kanë ndalë traktorët dhe i kanë ndarë meshkujt, kurse grave, fëmijëve dhe pleqve, pasi plaçkitjes së stolive, iu kanë urdhëruar që ta vazhdojnë rrugën për në Shqipëri. Policët i kanë ndarë 274 meshkuj, në mesin e të cilëve kanë qenë 36 të moshës jomadhore, të cilët janë vrarë në më shumë lokacione të panjohura. Mbetjet mortore të 252 prej tyre janë gjetur në vitin 2001 në varrezën masive në Batajnicë, dhjetë në Meje dhe në fshatrat përreth, kurse për 12 persona edhe sot e kësaj dite bëhen kërkime.

Mënyra e vrasjes së 274 djemve dhe burrave të ndarë në punkte në Meje nuk është e njohur plotësisht.  Ky krim është një nga krimet e rralla masive në Kosovë, në të cilin nuk ka persona të mbijetuar, të cilët do të dëshmonin për te. Për mënyrën e vrasjes së grupeve të caktuara të civilëve të  vrarë në Meje kanë dëshmuar pjesëtarët e UJ-së, të cilët kanë marrë pjesë në operacionin Reka.

Për krimet në operacionin Reka para GJNPJ është dënuar pothuajse i tërë kreu ushtarak dhe policor i RFJ-së – Vladimir Llazareviqi, ish komandant i Korpusit të Prishtinës të UJ-së, Nebojsha Pavkoviqi, komandant i Armatës së 3-të të UJ-së dhe vartës i Llazareviqit, si dhe Dragoljub Ojdaniqi, shef i Shtabit të Përgjithshëm të UJ-së,  Sreten Llukiqi, ish shef i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë për Kosovën dhe Vllastimir Gjorgjeviqi, ish ndihmës i ministrit të punëve të brendshme dhe shef i Resorit të sigurimit publik.

Para gjykatave në Serbi deri më sot nuk janë ndjekur penalisht asnjë person për krimet në operacionin Reka, si edhe për fshehjen e trupave të viktimave në varrezën masive në Batajnicë, me fjalë të tjera për fshehjen e gjurmëve të krimeve. Edhe pse Prokuroria për Krime të Luftës (PKL) qysh në vitin 2004 e ka filluar punën në këtë lëndë dhe e ka paralajmëruar inicimin e hetimeve, kjo, deri në lëshimin e kësaj dosjeje, nuk ka ndodhur.

Sipas të dhënave në dispozicion, në operacionin Reka kanë marrë pjesë njësitë e mëposhtme ushtarake dhe policore të Republikës së Serbisë: brigada e motorizuar 549 e UJ-së, brigada e parashutistëve 63 e UJ-së, batalioni i 52-të i Policisë Ushtarake, brigada e 52-të e artilerisë raketore të UJ-së, brigada e motorizuar 125 e UJ-së, detashmenti ushtarako-territorial 113, pjesëtarë të SPB-së së Gjakovës dhe disa detashmente të Njësive të Posaçme të Policisë (NjPP).

FDH, gjatë punës në këtë dosje i ka drejtuar disa dhjetëra kërkesa për qasje ndaj informacioneve me interes publik, me anë të të cilave ka kërkuar informacione shtesë mbi njësitë të cilat kanë marrë pjesë në operacionin Reka si dhe për oficerë të caktuar dhe për pjesëtarët e atyre njësive. Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë (MM) dhe MPB, në një numër të madh të rasteve kanë refuzuar për të dorëzuar të dhënat e kërkuara, duke iu referuar karakterit të tyre të fshehtë, përkatësisht duke pohuar se të dhënat e tilla nuk i posedojnë ose se kërkesa nuk është mjaft e saktësuar. Në një numër të rasteve, Ministria e Mbrojtjes dhe MPB-ja, megjithëkëtë, kanë dhënë informacione për angazhimin e tashëm. Në bazë të të dhënave të tilla si dhe burimeve të tjera, FDH ka konstatuar se një numër i caktuar i personave, të cilët kanë marrë pjesë në operacioni Reka, edhe sot gjenden në pozita të rëndësishme në institucionet e Republikës së Serbisë.

Dosja në mënyrë të hollësishme vë në pah provat mbi rolin e Momir Stojanoviqit, deputetit të tashëm  në Parlamentin Popullor të Republikës së Serbisë dhe kryetar i Komisionit parlamentar për kontroll të shërbimit të sigurisë, në operacionin Reka. Në muajin mars të vitit 2015, Interpoli, me kërkesë të Administratës së Përkohshme të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), e ka lëshuar fletë-arrestin për Stojanoviqin dhe edhe për 16 persona të tjerë, për krimet e kryera në këtë operacion.

Në dispozicion në Englishsrpski.

Share