FDH mbi personat e pagjetur në takimin e OSBE-së
Në kuadër të takimit vjetor të Zyrës së OSBE-së për institucionet demokratike dhe të drejtave të njeriut Implementimi i obligimeve nga fusha e dimensionit njerëzor të OSBE-së, të premten, në datën 25 shtator të vitit 2015 është mbajtur ngjarja përcjellëse kushtuar luftës kundër zhdukjeve të përdhunshme në rajonin e OSBE-së. Takimin me titullin Lufta kundër zhdukjeve të përdhunshme në rajonin e OSBE-së – përparimi dhe e ardhmja e kanë organizuar ministritë e punëve të jashtme të Norvegjisë, Zvicrës, Francës dhe Holandës. Në emër të Fondit për të Drejtën Humanitare, Jelena Krstiq ka prezantuar përpjekjet që në rajonin e Ballkanit Perëndimor të vërtetohet fati i personave të pagjetur, të cilët janë zhdukur në kontekstin e konfliktit të armatosur në ish Jugosllavi. Në takim kanë marrë pjesë edhe kryesuesi i Komitetit të KB-ve për zhdukjet e përdhunshme, profesori Emanuel Deko (Emmanuel Decaux), profesori në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Osllos dhe ish kryesuesi i Grupit Punues të KB-ve për paraburgimin arbitrar Mads Andenas (Mads Andenaes), si dhe Bajram Shikmuradov (Bayram Shikhmuradov) nga Turkmenistani.
Jelena Krstiq ka informuar pjesëmarrësit e takimit se në shtetet trashëgimtare të ish RSFJ-së ende bëhen kërkime për rreth 11,000 persona të pagjetur dhe se në vitet e kaluara pengesa kryesore e vërtetimit të fatit të tyre ka qenë mungesa e vullnetit politik të faktorëve nacional. Kjo indiferencë politike e pamundëson zbatimin e atyre mekanizmave, të cilët janë kyç për konstatimin e fatit të personave të pagjetur. Përndryshe, në të gjitha shtetet post-jugosllave, arkivat e ushtrisë dhe të policisë edhe më tutje nuk janë hapur si dhe nuk janë në dispozicion të institucioneve nacionale për procesimin e krimeve të luftës, kurse në pozita të larta në strukturat civile dhe në ato të sigurisë gjenden individët, të cilët kanë marrë pjesë në kryerjen dhe në fshehjen e krimeve dhe të cilët e pengojnë çfarëdo përpjekje për reforma. Në mënyrë plotësuese, është e prekshme mungesa e vullnetit që të akuzohen dhe të procesohen personat përgjegjës për zhdukjen dhe fshehjen e trupave, ndërsa viktimat mbesin pa kurrfarë forme të përkrahjes dhe të njohjes zyrtare shtetërore.
Si paradigmë të kësaj situate Krstiq e ka cekur Serbinë, në të cilën zotëron mosinteresimi shoqëror dhe institucional për fatin e personave të pagjetur dhe mosndëshkimi i plotë për fshehjen e trupave të tyre në varreza anë e kënd Serbisë. Arkivat e ushtrisë dhe të policisë serbe janë të paqasshme për opinionin dhe institucionet kompetente, kurse në disa raste mbi to vendoset shenja e fshehtësisë (konfidencialitetit) me qëllim që të pengohet ndriçimi i rrethanave në lidhje me krimet e luftës. Në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë është ish komandanti i brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, pjesëtarët e së cilës gjatë luftës në Kosovë kanë kryer krime, në të cilat është vrarë një numër i madh i civilëve shqiptarë. Më tutje, me gjithë faktin se në varrezat masive në Serbi janë gjetur rreth 900 trupa të shqiptarëve të Kosovës dhe me gjithë faktin se për transportin e tyre nga Kosova në Serbi para Tribunalit të Hagës në mënyrë të plotfuqishme është dënuar e gjithë udhëheqja e Serbisë, para gjykatave në Serbi ende nuk është procesuar as edhe një person. Në fund, në pajtimin me ligjin në fuqi, anëtarët e familjeve të personave të pagjetur nuk munden për të fituar statusin e viktimës civile të luftës, i cili do t’iu ofronte disa lehtësime financiare dhe sociale, nëse anëtarin e pagjetur të familjes së tyre nuk e shpallin të vdekur. Për më shumë, madje edhe në situatat në të cilat personi i pagjetur është gjetur, familjet mund t’i realizojnë këto të drejta vetëm nëse në mënyrë kumulative kanë përmbushur kushtin e jetës së përbashkët në të njëjtën ekonomi familjare dhe kushtin e përkatësisë në familjen e ngushtë. Të drejtën në status të viktimës civile të luftës assesi nuk mund ta kenë madje as ata persona, më të dashurit e të cilëve kanë pësuar nga ushtria dhe policia serbe, sepse ligji e parasheh që përfitues të tillë mund të jenë vetëm ata të cilët kanë pësuar nga ushtria armike. Viktimat, të cilat nuk mund ta shfrytëzojnë të drejtën në këtë, reparacionet administrative, përpiqen për ta realizuar të drejtën në kompensim të dëmit në procedura gjyqësore, të cilat për ta shpesh janë shumë komplekse dhe traumatizuese.
Duke qenë se në rastin e Ballkanit Perëndimor fjala është për injorimin shumëvjeçar të një numri të madh të personave, fati i të cilëve ende edhe sot është i panjohur, Krstiq ka rekomanduar trysninë e jashtme dhe shfrytëzimin e të gjitha mekanizmave në dispozicion në mënyrë që të intensifikohet kërkimi për personat e pagjetur. Ajo posaçërisht e ka theksuar rëndësinë e angazhimit aktiv të OSBE-së si dhe futjen e zhdukjeve të përdhunshme në korpusin e obligimeve të tyre, që me miratimin bëhen politikisht referente për të gjitha anëtaret e kësaj organizate ndërkombëtare.
Profesori Emanuel Deko dhe profesori Mads Andenas kanë folur për rëndësinë juridike të Konventës Ndërkombëtare për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet e përdhunshme. Profesor Deko i ka informuar pjesëmarrësit mbi dinamikën e ratifikimit të Konventës, dialogun me shtetet të cilat e kanë ratifikuar atë dhe instrumentet e reja të cilat Komiteti për zhdukjet e përdhunshme i shfrytëzon në kuadër të përpjekjeve për të siguruar respektimin e dispozitave të Konventës. Profesori Andenas ka folur mbi mënyrën në të cilën e drejta ndërkombëtare i trajton zhdukjet e përdhunshme, rëndësinë e ofrimit të reparacioneve për anëtarët e familjeve të personave të zhdukur si dhe ndërmarrjen e të gjitha masave në dispozicion, të cilat do të zbusnin pasojat e zhdukjes së përdhunshme dhe do të kompensonin humbjen, të cilën atyre ua kanë shkaktuar. Bajram Shikmuradov nga Turkmenistani ka folur mbi përpjekjet për të ditur për fatin e babait të tij, i cili ka qenë i dënuar me burgosje të përjetshme, kurse pas kësaj është zhdukur në sistemin famëkeq të burgjeve turkmenistaneze.
Takimi mbi implementimin e obligimeve nga fusha e dimensioneve njerëzore të OSBE-së mbahet në Varshavë , nga data 21 shtator deri në datën 2 tetor të vitit 2015.