Ministri i mbrojtjes i ka shpallur sekrete shtetërore dokumentet mbi aktivitetet e brigadës së motorizuar 37 të UJ në Kosovë
Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), në datën 12 qershor të vitit 2015 e ka sjellë deklaratën kundërvajtëse kundër ministrit të mbrojtjes Bratisllav Gashiqit për shkak të shënjimit të paligjshëm të arkivit të brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë (br. mt. 37 e UJ) si shkallën më të lartë të sekretit të të dhënave. FDH konsideron se ministri i mbrojtjes e ka shkelur Ligjin mbi fshehtësinë e të dhënave dhe se veprimi i tij është i orientuar drejt pamundësimit të ndriçimit të të gjitha rrethanave mbi vrasjet e shqiptarëve në Kosovë, trupat e të cilëve janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë.
FDH në muajin janar të vitit 2015 e ka publikuar Dosjen »Rudnica«, në të cilën ofron një pasqyrë mbi katër krimet e kryera në muajin prill dhe maj të vitit 1999 në Kosovë, në zonën e përgjegjësisë së br. mt. 37 të UJ, me të cilën ka komanduar kryeshefi i tashëm i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë Ljubisha Dikoviq, e në të cilën janë vrarë civilët – shqiptarët e Kosovës, trupat e të cilëve janë zhvarrosur nga varreza masive në Rudnicë në vitin 2014, si dhe një pasqyrë mbi veprimet e „spastrimit të fushëbetejës“ në kuadër të të cilave trupat e viktimave janë larguar nga vendi i krimit e të cilat pastaj janë fshehur 15 vite.
FDH gjatë hulumtimit të dosjes së Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Serbisë (MM e RS), në bazë të Ligjit mbi qasjen e lirë ndaj informatave të një rëndësie shoqërore, gjatë mesit të muajit qershor të vitit 2014 ka kërkuar dorëzimin e dokumenteve, të cilat kanë të bëjnë me aktivitetet e br.mt. 37 të UJ-së në kohën e krimeve të përshkruara në Dosjen »Rudnica«. MM e RS në vendimin, me të cilin është refuzuar kërkesa e FDH-së për dorëzimin e dokumenteve mbi aktivitetet e br. mt. 37 të UJ-së, e ka informuar FDH-në se i tërë arkivi i br. mt. 37 të UJ është shpallur fshehtësi për një periudhë prej 30 vitesh, në bazë të vendimit të ministrit të mbrojtjes. FDH, në bazë të Ligjit mbi qasjen e lirë ndaj informatave të një rëndësie publike, nga mesi i muajit maj ka ardhur në posedim të Vendimit mbi mbrojtjen e materialit arkivor të krijuar në punën e Komandës së shpërbërë të brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë përndryshe vendim i diskutueshëm.
Ministri i mbrojtjes në vendimin e tij nuk sjellë as edhe një arsye të vetme për klasifikimin e dokumentacionit të br. mt. 37 të UJ si fshehtësi. Afati i fshehtësisë prej 30 vitesh është paraparë për të dhënat me shenjën »fshehtësi shtetërore« dhe ai në të njëjtën kohë paraqet shkallën më të lartë të mbrojtjes së të dhënave sipas Ligjit mbi fshehtësinë e të dhënave. Sipas atij Ligji, kjo shkallë e fshehtësisë përcaktohet »për shkak të parandalimit të shkaktimit të dëmit të rëndë të pandreqshëm ndaj interesave të Republikës së Serbisë«. Ministri Gashiq në vendimin e tij, në pajtim me Ligjin mbi fshehtësinë e të dhënave (neni 11, paragrafi 4), është dashur të arsyetojë se në cilën mënyrë interesat e shtetit do të mund të ishin të pandreqshëm dhe rëndë të dëmtuara, gjë që ai nuk e ka bërë. Pos kësaj, vendimi nuk cek në mënyrë eksplicite as shenjën e fshehtësisë, me të cilën është përcaktuar, por kjo nxirret si përfundim nga afati i përcaktuar i fshehtësisë.
Vendimi i ministrit të mbrojtjes përbënë keqpërdorim të autorizimeve ndaj Ligjit mbi fshehtësinë e të dhënave si dhe shkelje të këtij Ligji (neni 99), për arsye se nuk ka pasur bazë për shënjimin e dokumentacionit të cekur si të fshehtë si dhe për arsye se vendimi mbi përcaktimin e fshehtësisë së të dhënave është i paarsyetuar.
Pabazueshmëria e shënjimit të arkivit të br.mt. 37 të UJ-së si fshehtësi është posaçërisht evidente nëse kihet parasysh se është fjala mbi të dhënat, të cilat kanë të bëjnë me periudhën para 15 vitesh dhe me ushtrinë, e cila ka qenë ndryshe e rregulluar nga Ushtria e Serbisë dhe e cila nuk ekziston më si edhe se raporte të shumta dhe dokumente të tjera të br. mt. 37 të UJ-së tashmë janë të qasshme nëpërmjet të bazës Gjyqësore të të dhënave të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë (GJNPJ). Përndryshe, me dhjetëra raporte të luftës të brigadës së motorizuar 37 janë të qasshme me anë të bazës së të dhënave të GJNPJ-së, kurse për veprimet e kësaj brigade publikisht kanë dëshmuar ish pjesëtarë dhe pjesëtarë të tashëm të Ushtrisë së Serbisë gjatë gjykimeve para kësaj gjykate dhe, së këndejmi, të dhënat janë të qasshme edhe nëpërmes të transkriptim të gjykimeve.
Në fund, është evidente se vendimi i ministrit të mbrojtjes mbi mbrojtjen e materialit arkivor të brigadës së motorizuar 37 të UJ-së i datës 31 korrik të vitit 2014 ka rezultuar menjëherë pas kërkesave, të cilat FDH ia ka dërguar në muajin qershor të vitit 2014 Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë për qasje ndaj informatave, të cilat kanë të bëjnë me brigadën e motorizuar 37 të UJ-së dhe nga të cilat ka qenë e qartë se FDH është duke i hulumtuar rrethanat e vrasjes dhe të dërgimit të trupave të vrarë të shqiptarëve të Kosovës në varrezën masive në Rudnicë. Momenti, në të cilin ministri e ka sjellë vendimin mbi fshehtësinë, si dhe fakti se si të fshehtë e ka shënjuar vetëm dokumentacionin i cili ka të bëjë me brigadën e motorizuar 37 të UJ-së tregon atë se ministri, me vendimin e tij, ka synuar për ta penguar hulumtimet e krimeve të luftës, përkatësisht se ka vepruar në kundërshtim me nenin 3 të Ligjit mbi fshehtësinë e të dhënave, me anë të të cilit është e paraparë se “e dhënë e fshehtë nuk konsiderohet e dhëna, e cila shënjohet si fshehtësi me qëllim të fshehjes së veprës penale«.