Familjarët e të zhdukurve kanë të drejtë edhe në drejtësi

Familjarët e të zhdukurve kanë të drejtë edhe në drejtësi

fdh_kosovo_logoMe rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë) kërkon nga Qeveria e Kosovës më shumë përkushtim në zbardhjen e fatit të tyre dhe gjithashtu kërkon nga institucionet përkatëse që të bëjnë më shumë në adresimin e përgjegjësisë penale.

Gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti ka pasur progres në gjetjen e trupave të personave të zhdukur, gjegjësisht është hulumtuar, lokalizuar dhe hapur varreza masive në Rashkë, ku janë zhvarrosur trupat e 52 personave që ishin të raportuar si të zhdukur gjatë kohës së luftës në Kosovë. Sidoqoftë numri i personave të zhdukur vazhdon të jetë shumë i lartë dhe duhet të shtohen përpjekjet për gjetjen e personave fati i të cilëve ende nuk dihet.

Për më tepër, FDH Kosovë shpreh shqetësimin që fokusi ka mbetur vetëm në gjetjen e trupave të personave të zhdukur, ndërsa institucionet kanë dështuar të marrin hapa për adresimin e përgjegjësisë penale për të njëjtat raste. Duke pas parasysh numrin e madh të personave të zhdukur gjatë dhe pas luftës në Kosovë, pranë gjykatave vendore është proceduar një numër simbolik i lëndëve për këto krime. Mbi 99% të familjarëve të këtyre viktimave kanë mbetur pa drejtësi.

Edhe pse Qeveria e Kosovës kishte premtuar se  çështja  e personave të zhdukur do të jetë temë e dialogut me Serbinë, dhe duke ditur e kjo ende nuk ka ndodhur, FDH Kosovë kërkon të insistohet që çështja e personave të zhdukur të jetë tema e radhës për diskutim. Gjithashtu në këtë dialog Qeveria e Kosovës duhet të parashtroj kërkesë që të gjendet zgjidhje për bashkëpunimin e gjyqësorit të Kosovës dhe atij të Serbisë, në mënyrë që të bëhet ndjekja penale e personave të përfshirë në këto krime.

Share