FDH Kosovë: Në njëmbëdhjetë vjetorin e ngjarjeve të marsit 2004

FDH Kosovë: Në njëmbëdhjetë vjetorin e ngjarjeve të marsit 2004

fdh_kosovo_logoSot, më 17 mars 2015, shënohet njëmbëdhjetë vjetori i dhunës ndëretnike në Kosovë, e cila kryesisht ka qenë e drejtuar kundër serbëve dhe komuniteteve RAE. Sipas të dhënave të mbledhura nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), gjatë ushtrimit të dhunës së shfrenuar tri ditë me radhë, jetën e kanë humbur 19 persona: 11 shqiptarë dhe 8 serbë. Gjithashtu, të lënduar rëndë kanë qenë 170 serbë, 150 prej të cilëve nga rrahjet në shtëpitë e tyre, ndërsa 20 janë lënduar në rrugë, gjatë largimit nga shtëpitë e tyre. Gjatë trazirave të marsit, të cilat kanë zgjatur nga 17 deri në 19 mars 2004, janë lënduar edhe 65 policë të UNMIK-ut, 58 pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës dhe 61 pjesëtarë të forcave të KFOR-it. Përveç dëmeve në njerëz, rreth 800 shtëpi të serbëve, 90 të komuniteteve RAE dhe dy të shqiptarëve janë dëmtuar pjesërisht apo tërësisht janë rrënuar. Gjithashtu, janë dëmtuar, djegur apo rrënuar 36 kisha ortodokse.

FDH Kosovë, në përgjithësi, nuk është i kënaqur me qasjen as të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare në kuadër të sistemit gjyqësor të Kosovës (UNMIK dhe EULEX) karshi rasteve të dhunës gjatë marsit të 2004. Nuk është bërë mjaft as në sanimin e dëmeve të shkaktuara, qoftë materiale apo jo materiale. Ka munguar edhe një qasje gjithëpërfshirëse institucionale dhe politike në sigurimin e komuniteteve jo-shqiptare që një dhunë e tillë nuk do të përsëritet më. Njëmbëdhjetë vjet pas, ende ekziston nevoja që institucionet e Kosovës të dëshmojnë në praktikë se Kosova është vend i sigurt për të gjithë qytetarët e saj dhe se kurrë më nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë përsëritja e dhunës ndëretnike në shkallë si ajo që ka ndodhur në mars të vitit 2004.

Për më tepër ju lutemi gjejeni të bashkangjitur raportin e detajuar të Fondit për të Drejtën Humanitare të publikuar në korrik 2004.

Share