Natasha

Natasha

koha_net_logoNatasha Kandiq deri më tash ka fituar mbi 20 çmime shumë të rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Shpallja “Qytetare nderi” e Gjakovës nuk e nderon domosdoshmërisht aq shumë znj. Kandiq sa e nderon vetë qytetin e shumëvuajtur të Kosovës. Çmimi Medalja Humanitare “Nëna Tereze” që i është ndarë nga Presidentja Jahjaga nuk e nderon domosdoshmërisht aq shumë znj. Kandiq sa i nderon vetë viktimat e Kosovës. E nderojnë Kosovën dhe i nderojnë shqiptarët

“KAMERIERI MË tha ‘për ty e tradhtarët si ti nuk ka shërbim këtu, baju’. Kam përjetuar gjithçka në jetë, por kjo besoj se ishte më e rënda që më ka ndodhur”. Natasha Kandiq, aktivistja më e njohur e të drejtave të njeriut në këto anë, po më fliste për peripecitë e saj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Më 17 shkurt 2008 ajo ishte serbja e vetme mysafire e ftuar derisa deputetët po zyrtarizonin aktin e themelimit të shtetit të ri dhe pavarësimit nga Serbia. Dhe kjo nuk kishte kaluar pa u vërejtur dhe pa u tjerrë gjerë e gjatë nëpër mediet e kontrolluara nga pushteti i Beogradit.

Për ta ky ishte kulmi i “tradhtisë” të filluar diku 15 vjet më parë nga znj. Kandiq dhe organizata e saj Fondi për të Drejtën Humanitare.

“Më kanë kërcënuar, më kanë sharë, më kanë hyrë në zyrë me dhunë, më kanë ndjekur nëpër gjyqe gjatë gjithë këtyre vjetëve, por tash nuk po më japin as të ha në restorant. Mirëpo, asnjëherë nuk pendohem. Kosova e ka merituar të jetë e pavarur”, tregonte vendosmërinë e dëshmuar tash e shumë herë.
PO E KUJTOJA këtë bisedë dhe shumë të tjera të ngjashme të bëra me znj. Kandiq që nga përfundimi i luftës e këndej. Një jetë në tehun e shpatës.

Sa e sa shkrime e diskutime kam lexuar e parë deri më tash, në të cilat ajo është quajtur me emrat më të ulët. Në një rast madje isha dëshmitar në një tryezë, kur përfaqësues të familjeve të serbëve të zhdukur në Kosovë e rrotulluan tavolinën e znj. Kandiq, duke e quajtur “šiptarsko đubre” dhe duke ndërprerë gjithë tubimin.

Në atë tryezë ne po u thoshim ministrave të qeverisë “demokratike” serbe që erdhi në pushtet pas rrëzimit të Milosheviqit, se nëse donin të tregonin se ishin ndryshe, do të duhej ta dëshmonin këtë me dënimin e kriminelëve dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ndërkohë, familjarët e serbëve të pagjetur kishin ardhur dhe po protestonin me pano të serbëve të pagjetur.

Dhe, siç thashë, këto m’u kthyen në kujtesë teksa po e lexoja një reagim nga Këshilli Koordinues i Asociacionit të Familjarëve të Zhdukur të Kosovës, të cilët e kundërshtonin nismën e kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, për shpalljen “Qytetare Nderi” të znj. Kandiq. Aty, ky gjest cilësohej si ide “me karakter antishqiptar dhe antinjerëzor”, meqë aktivistja e nderuar në tërë botën është “rod i Jablanoviqit”.

Natyrisht, se me gjithë ne që jemi të prekur drejtpërdrejt nga terrori i regjimit të Beogradit, pakrahasueshëm më së rëndi e kanë gjendjen familjarët e të pagjeturve. Ata zgjohen në mëngjes dhe bien në gjumë në mbrëmje, duke shënuar edhe një ditë më tepër në kalendar plot vuajtje e dhimbje për më të dashurit që nuk i kanë, për të vetmen arsye, meqë i kanë takuar një etnie të caktuar. Dhe të njëjtët këta familjarë do të duhej ta dinin se pavarësisht etnisë, nëse do të kërkohej një person i vetëm i cili është angazhuar dhe ka korrur më së shumti rezultate deri më tash në zbulimin dhe denoncimin e krimeve, aty do të na dilte pa mëdyshje emri: Natasha Kandiq.

Është Natasha Kandiq ajo që gjatë luftës në Kosovë ka qenë raportuesja shpesh e vetme e vrasjeve dhe deportimeve të tmerrshme të shqiptarëve që ndodhnin në kohën e fushatës ajrore të NATO-s.

Është Natasha Kandiq ajo që ka deponuar me qindra e qindra dëshmi për krimet e forcave serbe në Kosovë në gjykatat ndërkombëtare dhe lokale, prej të cilave janë dënuar jo pak kriminelë serbë.

Është Natasha Kandiq ajo e cila sot po gjykohet nga shteti serb për shkak se e ka akuzuar shefin e Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq, për krime të luftës në Kosovë.

Dhe është Natasha Kandiq ajo që bashkë me organizatën e saj ka bërë që përfundimisht Kosova të ketë “Librin e kujtimit”, me të dhënat e plota të të gjithë të vrarëve, të rënëve dhe të zhdukurve nga lufta, diçka që nuk është bërë nga asnjë organizatë, institucion ose qeveri kosovare.

Do të ishte shumë e lehtë dhe e natyrshme t’i ndërmerrte këto iniciativa një aktivist shqiptar, duke qenë edhe viktimë.

Do të ishte shumë e lehtë dhe e zakonshme t’i ndërmerrte këto iniciativa një aktivist nga cilido shtet i botës, duke qenë në anën e barazisë.

Por është shumë më e vështirë dhe bukur e jashtëzakonshme që këto t’i ndërmarrë një qytetare serbe kundër shtetit të saj, duke qenë në anën e njerëzisë.

Këtë e ka bërë gjithmonë dhe po vazhdon ta bëjë, pa u ndalur e frikësuar për asnjë çast, Natasha Kandiq. Duke u akuzuar gjithnjë nga ekstremistët serbë për shkak të shqiptarëve dhe, siç po shihet, duke mos u mirëkuptuar nga disa shqiptarë për shkak të serbëve.
SI E TILLË, Natasha Kandiq deri më tash ka fituar mbi 20 çmime, ndër më të rëndësishmet, ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Shpallja “Qytetare Nderi” e Gjakovës nuk e nderon domosdoshmërisht aq shumë znj. Kandiq sa e nderon vetë qytetin e shumëvuajtur të Kosovës. Çmimi Medalja Humanitare “Nëna Tereze” që i është ndarë nga presidentja Jahjaga nuk e nderon domosdoshmërisht aq shumë znj. Kandiq sa i nderon vetë viktimat e Kosovës. E nderojnë Kosovën dhe i nderojnë shqiptarët.

Thjesht, po të kishte bota më shumë si Natasha Kandiq, shumë më pak luftëra, dhimbje e vuajtje do të kishte në botë.

Nëse serbët do të kishin më shumë si Natasha Kandiq, sigurisht se nuk do të ndodhte as lufta, dhimbja e vuajtja në Kosovë.

E nëse Kosova do të kishte një Natasha Kandiq, do t’i kishte punët më mirë sesa i ka sot.

Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

Share