Anatomia e përgjegjësisë së institucioneve serbe për krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë

Anatomia e përgjegjësisë së institucioneve serbe për krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë

Logo FHPDhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavi (GJPNJ) sot e ka sjellë vendimin, me të cilin është konfirmuar aktgjykimi dënues kundër zyrtarëve më të lartë politik, ushtarak dhe policor të ish Republikës Federative  të Jugosllavisë (RFJ) dhe Serbisë – Nikolla  Shainoviqit, Nebojsha Pavkoviqit, Sreten Llukiqit dhe Vlladimir Llazareviqit – për deportim, shpërngulje të dhunshme, vrasje, keqtrajtim seksual, ndjekje mbi bazën politike dhe racore si dhe vepra të tjera ndaj civilëve (shqiptarëve në Kosovë) në periudhën prej muajit mars deri në muajin maj të vitit 1999. Dhoma e Apelit, pos Nebojsha Pavkoviqit, fare pak ua ka ulur dënimet të gjithë të dënuarve.

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) e thekson se përfundimet faktike dhe juridike në mënyrë të bindshme e tregojnë amëzën e  krimit dhe përgjegjësinë e institucioneve për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptar gjatë konfliktit të armatosur në vitin 1998 dhe 1999 në Kosovë, ku janë vrarë ose  janë marrë me forcë mbi 7.000 civilë – shqiptarë të Kosovës.

Në kohën e kryerjes së këtyre krimeve, Nikolla Shainoviqi ka qenë zëvendëskryeministër i Qeverisë së RFJ-së, i deleguari personal për  Kosovë i kryetarit Sllobodan Millosheviqit dhe shef i Komandës së Përbashkët  të Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ) dhe i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Nebojsha Pavkoviqi ka qenë komandant i Armatës së Tretë të UJ, Vlladimir Llazareviqi e ka kryer detyrën e komandantit të Korpusit të Prishtinës të UJ, kurse  Sreten Llukiqi ka qenë shef i Shtabit për Kosovë i MBP-së së Serbisë.

Në bazë të provave të paraqitura, TPNJ jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm ka konstatuar se në periudhën prej muajit mars e deri në fillim të muajit qershor të vitit 1999, në aksione të një shtrirjeje të gjerë dhe sistematike, UJ dhe MPB-ja nga Kosova i kanë shpërngulur së paku  700.000 civilë shqiptarë. Deportimet dhe shpërnguljet e dhunshme të civilëve janë përcjellë me ekzekutime masive të civilëve, në mesin e të cilëve ka pasur mjaft gra, fëmijë dhe pleq. Është vërtetuar edhe se pjesëtarët e UJ-së dhe të MPB-së anë e kënd Kosovës kanë kryer edhe vepra të tjera, siç janë keqtrajtimi seksual, shkatërrimi i pronës, i objekteve fetare etj.

Shainoviqi, Pavkoviqi dhe Llukiqi kanë qenë pjesëmarrës të ndërmarrjes së përbashkët kriminale me qëllim të dëbimit të shqiptarëve nga Kosova, e me qellim të sigurimit të kontrollit afatgjatë serb mbi këtë krahinë. Gjenerali Llazareviq, sipas gjetjeve të TPNJ-së, nuk ka qenë pjesëmarrës i ndërmarrjes kriminale, por i ka ndihmuar realizimit të qëllimeve të tyre.

Ekzistimin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale  gjykata e ka vërtetuar në bazë të ekzistimit të shumë elementeve të provave, të mbështetura,midis të tjerash,edhe me  dokumentet autentike të UJ-së, MPB-së dhe të institucioneve të tjera: me modelin, sipas të cilit janë kryer krimet, fshehjen e gjurmëve të krimit, mosndëshkimin e krimeve, shkatërrimin e dokumenteve personale të shqiptarëve të Kosovës etj.

Me aktgjykimin e parë, Shainoviqi, Pavkoviqi dhe Llukiqi janë dënuar me nga 22 vite burgosje, kurse komandantit të Korpusit të Prishtinës të UJ, Vlladimir Llazareviqit i është shqiptuar dënimi me burgosje në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë vitesh. Me të njëjtin aktgjykim, Dragoljub Ojdaniqi, kryeshef i Shtabit të Përgjithshëm të UJ-së (i cili e ka tërhequr ankesën ndaj dënimit me burgosje në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë vitesh, pas të cilës të njëjtën e ka bërë edhe prokuroria, kurse aktgjykimi i shkallës së parë është bërë i plotfuqishëm) është lëshuar në liri të parakohshme në muajin gusht të vitit 2013. Ish presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviqi,me aktgjykimin e shkallës së parë është liruar nga fajësia sipas të gjitha pikave të aktakuzës.

FDH thekson se përfundimet faktike dhe juridike të aktgjykimit përbëjnë një përshkrim të bindshëm historik të krimeve sistematike, të cilat i kanë kryer institucionet e Republikës së Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999. Ky aktgjykim, edhe në aspektin ligjor e edhe në atë moral i obligon institucionet e tashme që ta pranojnë trashëgiminë e  atyre krimeve, kurse  viktimave dhe familjeve të tyre t’ua ofrojnë satisfaksionin dinjitoz, si në kuptimin material, ashtu edhe në atë simbolik. Një përgjegjësi e veçantë qëndron në Prokurorinë e Krimeve të Luftës dhe në institucionet e tjera përgjegjëse për procedimin e krimeve të luftës që para drejtësisë t’i sjellin të gjithë personat përgjegjës për kryerjen e krimeve, pa marrë parasysh pozitën e tyre në hierarkinë e pushtetit të tashëm  apo të asaj kohe.

Share