Aktgjykimi bazohet në provat e paraqitura, por nuk ka sjellë drejtësi për viktimat

Me rastin e sjelljes së aktgjykimit lirues të Panelit Hetimor të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë (GJNPJ) në gjykimin pjesërisht të përsëritur në lëndën Haradinaj dhe të tjerët, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) gjen se as me gjykimin e parë e as me gjykimin pjesërisht të përsëritur në këtë lëndë nuk është kënaqur drejtësia për viktimat e krimit, të cilat janë cekur në aktakuzë. Krahas kësaj, këtë procedurë posaçërisht e karakterizojnë mangësitë lidhur me mbrojtjen e dëshmitarëve dhe joprofesionaliteti i prokurorëve me rastin e mbledhjes së dëshmive.

 

Me aktakuzën e parë të vitit 2005, Prokuroria e GJNPJ-së i ka ngarkuar pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ramush Haradinajn, Idriz Balajn dhe Lahi Brahimajn për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe të zakoneve të luftës  – për dhjetëra vrasje, tortura dhe sjellje të vrazhda e dhunime – të cilat pjesëtarët e UÇK-së, në periudhën mars- shtator të vitit 1998 i kanë kryer në Kosovën Perëndimore. Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë qenë anëtarë të një ndërmarrjeje të bashkuar kriminale (NBK) me qëllim që UÇK-ja të vendos kontrollin e plotë mbi Kosovën Perëndimore, me fjalë të tjera në zonën operative të Dukagjinit të UÇK-së, e cila ka përfshirë komunat e Pejës, Deçanit, Gjakovës dhe pjesë të komunës së Istogut e të Klinës. Në atë kohë, Haradinaj ka qenë komandant i UÇK-së për zonën operative të Dukagjinit; Balaj – komandant i njësisë speciale të UÇK-së Shqiponjat e zeza; kurse Brahimaj – komandant i kampit të UÇK-së në fshatin Jabllanicë, në komunën e Gjakovës. Të gjithë kanë qenë të akuzuar sipas nenit 7(1) të Statutit të GJNPJ – në bazën e përgjegjësisë personale. Aktakuza asnjërin nga të akuzuarit nuk e ka ngarkuar sipas nenit 7(3) të Statutit të GJNPJ-së – mbi bazën e përgjegjësisë komanduese.

 

Paneli hetimor i GJNPJ-së në vitin 2008 ka sjellë aktgjykimin me të cilin Haradinajn dhe Balajn i ka liruar nga përgjegjësia penale, kurse Brahimajn e ka gjykuar me dënimin me burgosje në kohëzgjatje prej gjashtë vitesh për shkak të sjelljes së vrazhdë dhe torturës së të burgosurve në kampin në fshatin Jabllanicë. Paneli, për 12 vrasje, shtatë vepra të torturës/sjelljes së vrazhdë dhe një dhunimi – ka vërtetuar se i kanë kryer pjesëtarët e UÇK-së, por nuk ka mundur të vërtetojë edhe përgjegjësinë penale të të akuzuarve për ato krime. Përndryshe, paneli është ballafaquar me tri probleme themelore me rastin e paraqitjes së provave, si dhe vërtetimit të përgjegjësisë penale të të akuzuarve:

 

  1. Një numër i madh i pjesëtarëve të dikurshëm të UÇK-së, të ashtuquajturit dëshmitarë -insajderë, kanë refuzuar për të dëshmuar, duke cekur frikën për sigurinë e tyre si arsye të refuzimit të dëshmimit.
  2. Dëshmitarët jokredibël dhe dokumentet jobindëse, duke përfshirë edhe dëshmitarët nga MPB-ja e Serbisë si dhe dokumentet të cilat Republika e Serbisë ia ka dorëzuar Prokurorisë së GJNPJ-së. Paneli ka vërtetuar se disa deklarata të dëshmitarëve mbi krimet e UÇK-së, të cilat në vitin 1998 i ka siguruar MPB-ja –janë të papranueshme, sepse MPB-ja nga dëshmitarët, shqiptarët e Kosovës, i ka siguruar ato me metoda të paligjshme – me shantazhime ose me anë të rrahjes.
  3. Lëshimet e hetuesve të Prokurorisë së GJNPJ-së  për të siguruar hetimin adekuat të krimit, para së gjithash shpërfillja e udhëzimeve lidhur me atë se si bëhet identifikimi i personit me anë të foto-panelit, për çka paneli nuk i ka pranuar disa prova të caktuara të siguruara në këtë mënyrë.

Paneli nuk ka pranuar as edhe pjesë nga akuza në lidhje me ekzistimin e NBK-së me qëllim „që kontrolli i plotë i UÇK-së mbi zonën operative të Dukagjinit të konsolidohet me anë të largimit kundërligjor dhe keqtrajtimit të civilëve serb si dhe keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, romë/egjiptas nga Kosova si dhe të civilëve të tjerë, të cilët kanë bashkëpunuar ose për të cilët është konsideruar se bashkëpunojnë me forcat serbe ose në ndonjë mënyrë tjetër nuk e kanë përkrahur UÇK-në.“ Trupi gjykues ka cekur se prokuroria ka vënë parasysh pak prova të drejtpërdrejta mbi ekzistimin e NBK-së, kurse provat e paraqitura mbi krimet e prezantuara përfaqësojnë prova të tërthorta , të cilat nuk janë të mjaftueshme që të përfundohet se të akuzuarit e kanë pasur qëllimin e përbashkët të NBK-së.

 

Paneli ankimor i GJNPJ-së në vitin 2010 ka sjellë aktgjykimin me të cilin në mënyrë të pjesshme e ka hequr aktgjykimin e Panelit hetimor dhe lëndën e ka kthyer në gjykim të përsëritur. Arsyeja e përsëritjes së pjesshme qëndron pikërisht në problemet të cilat lidhen me frikën e dëshmitarëve potencial për dëshmuar. Me fjalë të tjera, Paneli ankimor ka përfunduar se „Paneli hetimor ka dështuar në ndërmarrjen e hapave të mjaftueshëm me qëllim që të luftohet frikësimi i dëshmitarëve që e ka karakterizuar gjykimin nga fillimi deri në fund“.

 

Në procedurën e përsëritur janë gjykuar Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj për krimet e kryera në kampin e Jabllanicës – për vrasjen e tetë personave si dhe për sjelljen e egër dhe torturën e shtatë personave. Me këtë aktakuzë, Prokuroria nuk i ka ngarkuar të akuzuarit për krime kundër njerëzimit, por ekskluzivisht për shkelje të ligjeve dhe të zakoneve të luftës.

 

Edhe në gjykimin e përsëritur, paneli i ri hetimor është ballafaquar me problemet e njëjta me rastin e prezantimit të provave si edhe paneli i parë hetimor. Kështu, Shefqet Kabashi, i cili në vitin 1998 ka qenë pjesëtar i UÇK-së – ka refuzuar për të dëshmuar, duke pohuar se dëshmitarët e krimit në Jabllanicë “janë të vrarë ose të zhdukur “. Pjesëtarë të tjerë të veçantë të UÇK-së, të cilët kanë dëshmuar, kanë dhënë deklarata kontradiktore mbi krimet e aktakuzës dhe përfshirjen e të akuzuarve në ato krime.

 

Mbi rolin e Ramush Haradinajt, në gjykimin e përsëritur ka dëshmuar edhe Bislim Zyrapi, i cili në vitin 1998 e ka kryer detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ai ka dëshmuar se Haradinaj ka pasur nën kontrollin e tij zonën operative të Dukagjinit si dhe se i akuzuari tjetër Idriz Balaj dhe i akuzuari i tretë Lahi Brahimaj kanë qenë vartës të tij. Kjo dëshmi ndryshon nga dëshmitë e shumicës së pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, të cilët para gjykatës kanë deklaruar se Haradinaj ka gëzuar autoritet në mesin e ushtarëve të UÇK-së, por se nuk ka pasur të drejtë për të dhënë urdhra luftëtarëve të tjerë  në këtë zonë operative dhe se, së këndejmi, të gjitha vendimet e UÇK-së në këtë zonë janë sjellë me marrëveshje.

 

Sipas të dhënave të FDH-së, në periudhën mars – shtator të vitit 1998, në territorin e komunës së Pejës, Deçanit, Gjakovës, Klinës dhe Istogut, që i ka kontrolluar UÇK-ja, janë vrarë, mbytur ose zhdukur 41 civil, derisa 64 pjesëtarë të MPB-së dhe të Ushtrisë së Jugosllavisë janë vrarë në konfliktet me UÇK-në, kurse pesë prej tyre janë vrarë jashtë luftës. Këtyre të dhënave duhet shtuar edhe faktin se në gjykimin e parë të shkallës së parë, Paneli hetimor ka vërtetuar se pjesëtarët e UÇK-së në të njëjtin territor kanë kryer 123 vrasje, si dhe shtatë vepra të torturës/të sjelljes së vrazhdë dhe një dhunim. Nga ana tjetër, gjykatat në Kosovë deri më sot e kanë shqiptuar vetëm një aktgjykim ndëshkues në procedurën kundër pjesëtarëve për krime të kryera në Zonën e Dukagjinit në vitin 1998 dhe atë për vrasje të një personi.

 

Kjo e imponon obligimin e organeve të gjyqësorit në Kosovë që ti procesuojë pjesëtarët e UÇK-së, të cilët kanë kryer krime – në mënyrë që të kënaqeshin viktimat e krimit dhe që në Kosovë të vendoset shteti ligjor, të ndërprehet me kulturën e mosndëshkimit dhe të „heshtjes “ mbi krimet e UÇK-së.

Share