Kompensimi i pesë shqiptarëve të Kosovës, viktima të torturës dhe burgimit të paligjshëm gjatë vitit 1999

Gjykata e apelit në Beograd konfirmoi aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë me të cilën shteti i Serbisë detyrohet që shqiptarëve të Kosovës Tahir Bytyqit, Smajl Gashit, Rrahman Elshanit, Hysni Podrmiçakut dhe Bekim Istogut t’iu paguajë kompensim në shumën prej 1,3 milion dinarë si përgjegjës për torturën që ndaj tyre kanë ushtruar pjesëtarët e MPB-së gjatë burgimit të tyre të paligjshëm në vitin 1999 dhe 2000. Edhe pse ky rast përbën një nga vendimet e rralla të plotfuqishme përmes së cilës viktimave të forcave serbe të sigurisë u njihet e drejta në kompensim, FDH është e mendimit se shuma e kompensimeve në vlerë prej 200.000, respektivisht 300.000 dinarë nuk i kontribuon vendosjes së drejtësisë për veprat e kryera gjatë viteve të nëntëdhjeta.

Gjykata e apelit konfirmoi gjetjet faktike të Gjykatës së shkallës së parë sipas të cilës njësitë e MPB-së kanë arrestuar pa bazë ligjore Tahir Bytyqin, Smajl Gashin, Rrahman Elshanin, Hysni Podrmiçakun dhe Bekim Istogun, asokohe i mitur. Gjatë arrestimit dhe qëndrimit në burg, personat e sipërpërmendur u janë nënshtruar formave të ndryshme të torturës fizike dhe psikike. Gjykata gjithashtu konstatoi se pjesëtarët e MPB-së së Serbisë shkelën të drejtat e personave të privuar nga liria, të dënueshme sipas Ligjit të procedurës penale dhe Ligjit për punë të brendshme. Pjesëtarët e MPB-së kanë shkelur, mes tjerash, dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me përdorimin e forcës ndaj personave të privuar nga liria, detyrimin për të lëshuar vendimin për paraburgim dhe  detyrimin për të lajmëruar familjet mbi arrestimin e tyre.

Faktet:

Në fund të vitit 1998 forcat serbe e dëbuan Tahir Bytyqin dhe familjen e tij, sikurse edhe fshatarët tjerë, nga fshati Gjergjicë/Đurđica (komuna e Gllogocit/Gllogoc). Të dëbuarit u strehuan në fshatin Abri/Obrinje (komuna e Gllogocit/Gllogoc) ku qëndruan për gjashtë muaj. Në maj të vitit 1999, Ushtria e Jugosllavisë e granatoi fshatin Abri/Obrinje për ç’arsye Tahiri me familjen e tij u largua në Çikatovë të re/Novo Čikatovo dhe u vendos në kooperativën bujqësore. Më 27 maj 1999, policia hyri në fshat, i mblodhi meshkujt dhe i dërgoi në stacionin policor të Gllogocit/Gllogoc. Gjatë marrjes në pyetje në stacionin e policisë, Tahiri u godit me thikë nga një polic. Pas kësaj, ai e dërguan në spitalin e Prishtinës/Prištini prej ku pas ndihmës së ofruar u transportua në Lipjan/Lipljane ku qëndroi 10 ditë e më pas në burgun e Pozharevcit/Požaravac ku kaloi dy muaj në vetmi. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit në burg Tahiri ishte shëndetligë dhe pa përkujdes mjekësor. Nga burgu u lëshua pas nëntë muajsh, me datë 23.03.2000. Gjatë kohës së kaluar në burg kundër tij asnjëherë nuk është iniciuar procedurë penale dhe nuk është marrë në pyetje.

Në maj të vitit 1998, për shkak të sulmeve të forcave serbe, Smajl Gashi me familje është larguar nga fshati Llapushnik/Lapušnik në fshatin Çikatovë e Re/Novo Čikatovo [komuna e Gllogocit/Gllogoc]. Ai u arrestua nga policia po në këtë fshat më 24 prill të vitit 1999. Fillimisht u dërgua në burgun e Prishtinës/Priština, e më pas në atë të Lipjanit/Lipljane. Gardianët e burgut e kanë rrahur Smajlin për çdo ditë, duke e detyruar të pranojë se ai e ka ndihmuar UCK-në. Me datë 10 qershor 1999 është transferuar në burgun e Pozharevcit/Požarevac. Smajli u akuzua për terrorizëm. Gjykimi ka zgjatur shtatë muaj. Në korrik të vitit 2000, Gjykata e Qarkut në Nish e liroi nga akuza për terrorizëm dhe e la të lirë pas 14 muajve të kaluar në paraburgim të paligjshëm.

Rrahman Elshani është arrestuar në maj të vitit 1999 në fshatin Shtrbullovë/Štrbulovo, ku jetonte përkohësisht me familjen, pasi ishte detyruar ta lëshojë shtëpinë e tij në fshatin Krajkovë/Krajkove. Ai u dërgua në stacionin e policisë në Gllogoc/Gllogovac. Policët i dhanë të nënshkruaj një letër, por kur Rrahmani u përpoq të lexojë se ç’shkruante në të, ata e rrahën. Dy ditë më pas, Rrahmanin e transportuan në burgun e Lipjanit/Lipljane ku kaloi dhjetë ditë. Në burgun e Pozharevcit/Požarevac u transferua më 10 qershor të vitit 1999. Gjatë gjithë kohës sa qëndroi në burg, Rrahmani asnjëherë nuk u mor në pyetje e as që është zhvilluar ndonjëherë ndonjë procedurë ndaj tij. U lirua më 22 prill të vitit 2000, pas 11 muajsh të kaluar në paraburgim të paligjshëm.

Kah mesi i muajit prill të vitit 1999, Hysni Podrimçaku është detyruar nga forcat serbe të largohet nga vendlindja e tij, Krajkovë/Krajkovo [komuna e Gllogovcit/Gllogoc] dhe është strehuar në Shtrubullovë/Štrbulovo. Në mëngjesin e 28 prillit të vitit 1999 forcat serbe hyjnë në fshat me ç’rast e arrestojnë Hysniun, axhën e tij dhe disa meshkuj tjerë. Ai u dërgua në kinemanë e qytetit të Gllogocit/Gllogovac ku mbaheshin të burgosur më shumë se 100 meshkuj shqiptarë. Zyrtarët e policisë e morën në pyetje për të parë nëse ai është pjesëtar i UÇK-së, duke e rrahur gjatë gjithë kohës. Pas dy ditësh, Hysniu u transferua në burgun e Prishtinës/Priština e më pas edhe në burgun e Lipjanit/Lipljane. Në burg Hysniu është rrahur për çdo ditë nga gardianët, si pasojë e të cilave ka marrë lëndim të rëndë në kokë. Më 10 qershor të vitit 1999 ai u bart në burgun e Mitrovicës së Sremit/Sremska Mitrovica dhe u akuzua për terrorizëm, ndërsa u gjykua në Gjykatën e Qarkut të Nishit. Gjykimi zgjati shtatë muaj. Akuzat ndaj tij u hodhën poshtë më 5 qershor të vitit 2000 dhe u lëshua nga burgu pas 14 muajve të paraburgimit të paligjshëm.

Më 30 prill të vitit 1999, gjashtëmbëdhjetëvjeçari Bekim Istogu bashkë me familjen dhe fshatarët tjerë u strehua në një livadh pranë fshatit Vërbovc/Verbovac [komuna e Gllogocit/Gllogovac] pasi që forcat serbe granatuan fshatin dhe filluan të hyjnë në shtëpitë e banorëve. Pak më vonë aty arritën forcat serbe dhe i ndanë meshkujt nga femrat. Edhe pse ishte i mitur, forcat serbe e morën Bekimin së bashku meshkujt tjerë, mes të cilëve ishte edhe vëllain e tij, Florimin. I dërguan në një arë aty pranë ku i rrahën dhe i kërcënuan gjatë gjithë ditës. Një ushtar që kishte flokët me gjak i kërcënoi se do t’ua këpus kokat. Natën e kaluan në një shkollë. Në mëngjesi i dërguan në Gllogovc/Gllogoc. Me të zbritur nga kamionët, policët filluan t’i rrahin me shuplaka, pendrekë dhe kabllo elektrike. Më pas i dërguan në Shtëpinë e kulturës ku po mbaheshin të burgosur rreth 150 meshkuj shqiptarë. Të nesërmen u transferuan në burgun e Prishtinës/Priština. Edhe këtu, sapo arritën u rrahën nga policia. Për katër ditë nuk i kanë dhënë as ujë e as ushqim. Gjatë kohës sa ka qëndruar në burgun e Prishtinës/Priština policët vazhdimisht e kanë pyetur se a është pjesëtar i UÇK, a ka hapur istikame për ata dhe kështu me radhë. E detyruan të nënshkruaj një deklaratë në gjuhën serbe. Ai nuk e dinte përmbajtjen e saj sepse nuk flet serbisht. Më 10 qershor 1999 u transferua në burgun e Mitrovicës së Sremit/Sremska Mitrovica. Kundër tij asnjëherë nuk janë zhvilluar hetime penale. U lirua në tetor të vitit 2000, pas 18 muajve të kaluara në burgim të paligjshëm.

Torturat e përjetuara me rastin e arrestimit dhe gjatë qëndrimit nëpër burgje kanë lënë pasoja të rënda në shëndetin fizik dhe psikik të Bytyqit, Gashit, Elshanit, Podrimçakut dhe Istogut. Tek të gjithë këta ish të burgosur mjekët konstatuan ÇSPT/PTSD (Çrregullimin e Stresit Post Traumatik/Post Traumatic Stress Disorder).

 

Më 26 prill të vitit 2010, FDH paraqiti kallëzim penal pranë Gjykatës së shkallës së parë në Beograd kundër shtetit të Serbisë, në emër të Bytyqit, Gashit, Elshanit, Podrimçakut dhe Istogut, për shkak të përgjegjësisë së tij për torturat e ushtruara nga policia. Gjatë procedurës janë mbajtur gjithsej gjashtë seanca në të cilat janë dëgjuar Bytyqi, Gashi, Elshani, Podrimçaku dhe Istogu, kurse është kryer edhe ekspertiza mjekësore.

Share