Kompensim për shqiptarët e Kosovës për shkak të torturës së vitit 1999

Gjykata e Apelit në Beograd ka sjellë aktgjykimin me të cilin e obligon Republikën e Serbisë që  Sylejman Bajgorës nga Podujeva t’ia paguajë kompensimin në vlerë prej 200.000 dinarësh për shkak të torturës, të cilën mbi ta e kanë ushtruar pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë (MPB RS) në vitin 1999. Gjykata e Apelit me të njëjtin aktgjykim e ka konfirmuar aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin është refuzuar ankesa e Ekrem Nebihut nga Glogoci.

Fond për të Drejtën Humanitare (FDH), në emër të Sylejman Bajgorës dhe Ekrem Nebihut ka ngritur padi në Gjykatën e Parë komunale në Beograd në datën 25 qershor të vitit 2007. Me anë të padisë ka kërkuar nga shteti i Serbisë kompensimin në bazë të shkeljes së lirive dhe të drejtave të individit për shkak të paraburgimit të paligjshëm dhe mbi bazë të pakësimit të aktivitetit jetësor që ka rezultuar si pasojë e torturës së përjetuar. Procedura së pari është zhvilluar para Gjykatës së Parë Komunale në Beograd, kurse pas heqjes së aktgjykimit të shkallës së parë para Gjykatës Themelore në Beograd.

Gjykata ka vërtetuar se pjesëtarët e MPB-së së RS pa bazë e kanë burgosur Bajgorën dhe Nebihun dhe se të dytë në paraburgim i kanë vuajtur më shumë se katër, përkatësisht pesë muaj dhe se disa herë kanë qenë të keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht. Në bazë të ekspertizës së kryer mjekësore, gjykata ka vërtetuar se për shkak të torturës, Sylejman Bajgora lëngon nga çrregullimi i stresit post-traumatik, gjë që përherë ia ka pakësuar aktivitetin e përgjithshëm jetësor. Ankesën e Ekrem Nebihut e ka refuzuar gjykata, sepse eksperti gjyqësor ka gjetur se tortura nuk ka lënë pasoja të përhershme në shëndetin e tij. Gjykata në këtë procedurë (para Gjykatës së parë komunale) ka sjellë vendimin se kërkesa e Bajgorës dhe e Nebihut për kompensim për shkak të shkeljes së lirive dhe të drejtave të individit është parashkruar.

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) ka vënë në pah se rasti i Sylejman Bajgorës dhe i Ekrem Nebihut është shembull ilustrues i qëndrimit të institucioneve të Serbisë ndaj viktimave të shkeljes së të drejtave të njeriut gjatë viteve nëntëdhjetë, për të cilat përgjegjës janë pjesëtarët e ushtrisë dhe të policisë serbe. Përndryshe, gjykatat lëshojnë aktgjykime për kompensime, të cilat janë joadekuate me peshën e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe shumëfish janë më të ulëta se sa kompensimet për shkeljet e të drejtave të njeriut të cilat nuk janë në lidhje me konfliktet e armatosura në hapësirën e ish Jugosllavisë. Për shembull, kompensimet, të cilat iu janë caktuar me gjyq atyre që kanë qenë në mënyrë të paligjshme të paraburgosur në aksionin Sablja (Shpata), arrijnë shumën e miliona dinarëve. Më tutje, gjykatat në mënyrë jashtëzakonisht rigjide e interpretojnë ligjin për dëmet e viktimave posaçërisht në pikëpamje të parashkrimit të kërkimit të kompensimit të dëmit. Interpretimi i tillë restriktiv i dispozitave mbi parashkrimin zbatohet që nga viti 2004, kur edhe është rritur numri i kërkesave për kompensim kundër shtetit e për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut gjatë viteve nëntëdhjetë.

Obligimi i shtetit të Serbisë që viktimave të shkeljes së të drejtave t’iu sigurojë kompensimin e drejtë është i rregulluar me një numër të madh të konventave dhe me standarde ndërkombëtare nga fusha e të drejtave të njeriut. Shumë organe ndërkombëtare, të cilat e përcjellin respektimin e të drejtave të njeriut në Serbi (Komitet për të Drejtat e Njeriut i KB, Komiteti kundër torturës, Komisionari i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut) kanë vënë në spikamë në raportet e tyre se institucionet e Serbisë nuk i kushtojnë vëmendje obligimeve të veta në pikëpamje të kompensimit të viktimave të shkeljes së të drejtave të njeriut.

Fakte:
Sylejman Bajgora (1957) me familje ka ikur nga fshati Herticë [komuna e Podujevës] në datën 24 mars të vitit 1999. Janë strehuar në qytetin e Podujevës. Në datën 1 qershor të vitit 1999, Sylejmani, në Shtabin e Mbrojtjes Civile të Podujevës e ka marrë lejen për lëvizje dhe ka shkuar në Prishtinë për të siguruar barëra për nën e tij të sëmurë. E ka kaluar natën tek daja i tij dhe në mëngjes është nisur për të blerë barëra. Në vendbanimin Ulpiana e ka takuar një mik të vetin dhe bashkëshorten e tij. Atëherë iu janë afruar dy policë dhe ua kanë kërkuar dokumentet e identifikimit. Sylejmani ua ka dhënë dokumentet personale dhe lejen për qarkullim, por polici ka filluar ta shajë dhe ia ka copëtuar lejen e qarkullimit, kurse letërnjoftimin ia ka mbajtur. Policët, me automjetin e tyre të policisë, Sylejmanin e kanë dërguar në stacionin policor në Zonën e Spitalit. Duke dalë prej tij, kanë filluar ta godasin. Njëri polic ia ka vënë thikën në fyt, kurse tjetri ia ka vënë revolen tek veshi. E kanë kërcënuar se do ta vrasin. Keqtrajtimi ka vazhduar dy orë, kur edhe ia kanë vënë prangat dhe e kanë lidhur me to për radiatori. Pas një ore, e kanë futur në automjet dhe e kanë dërguar në stacionin policor të zonës së Mëhallës së Muhaxhirëve. Atje policët kanë shkruar deklaratë, të cilën Sylejmani është dashur për ta nënshkruar, gjë të cilën ai e ka refuzuar.

Në mëngjes, rreth orës 8:00, e kanë dërguar në burgun e Prishtinës, ku ia kanë marrë të gjitha gjërat personale. Gjatë shtatë ditëve të qëndrimit në burg në Prishtinë, policët e kanë rrahur magjitë faktin se ai ka qenë në një gjendje tejet të rëndë shëndetësore. Në datën 10 qershor, Sylejmani, me 25 meshkuj të tjerë shqiptarë është transferuar në burgun e Mitrovicës së Sremit. Gjatë hyrjes në burg, të burgosurit kanë kaluar nëpër ’’korridorin e policëve’’. Në burg kushtet kanë qenë tejet të këqija, kurse nuk ka pasur as ushqim të mjaftueshëm. Në fillim të muajit gusht, i ka kaluar pesë ditë në qeli. Është liruar në datën 4 tetor të vitit 1999, me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. ME rastin e lëshimit, policia ia ka marrë vërtetimin mbi mbajtjen, të vetmin dokument, të cilin ia kanë dhënë ndonjëherë.

 

Në fillim të vitit 1998, Ekrem Nebihu, aso kohe gjashtëmbëdhjetë vjeçar, kishte ikur na fshati Damanek [komuna e Gllogocit]. Ishte strehuar tek axha i tij në fshatin Shtrbullove, ku ka qenë deri në datën 28 maj të vitit 1999, kur edhe i ka arrestuar policia serbe dhe i ka dërguar deri te qendra e Gllogocit, ku edhe i kanë mbyllur në një objekt. Aty i kanë mbajtur gjatë gjithë natës. Të nesërmen, aty nga pasditja, policët me autobusë i kanë transferuar në burgun e Lipjanit. Aty ka qenë i vendosur në një sallë me rreth 300 të burgosur shqiptarë. Aty, të burgosurit kanë fjetur në dysheme. Ushqimi ka qenë i pamjaftueshëm, kurse në tualet kanë mundur të shkojnë vetëm dy herë në ditë. Në mëngjesin e datës 10 qershor, në sallë kanë hyrë gardianët dhe policët dhe i kanë ndarë të burgosurit në grupe prej 50 njerëzish, ua kanë lidhur duart dhe i kanë dërguar në autobusë, me të cilët i kanë transferuar në Nish. Pasi që në burgun e Nishit nuk ka pasur vend, kanë vazhduar deri në Pozharevc. Në burgun e Pozharevcit, policët dhe gardianët i kanë sistemuar nga pesë të burgosur në secilën qeli. Secilin të burgosur e kanë evidentuar, por nuk iu kanë dhënë kurrfarë dokumentesh. Në burgun e Pozharevcit kushtet kanë qenë të rënda. Gardianët njëherë e kanë rrahur Ekremin, sepse ky nuk e ka ditur se nuk guxon të ulet në krevat gjatë ditës. Kurrë asnjëherë askush nuk e ka marrë në pyetje dhe as që i kanë dhënë ndonjë dokument se është i burgosur. Është liruar në datën 19 nëntor të vitit 1999, kur me një grup të burgosurish është transferuar deri në Merdare.

Share