Shqiptarët e Kosovës, Kabashi dhe Bytyqi lirohen nga akuzat për krime të luftës në Opterushë

Gjykata Themelore në Prizren, me trupin gjykues në përbërje të përzier e me të cilin ka kryesuar gjykatësja ndërkombëtare Mariola Pasnik[1], më datën 1 shkurt të vitit 2013, ka sjellë aktgjykimin me të cilin të akuzuarit Ejup Kabashi dhe Sokol Bytyqi lirohen nga akuzat për vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, neni 142 në lidhje me nenin 22 të LPJ (vepra, po ashtu, është e dënueshme sipas Ligjit Penal të Kosovës të Republikës së Kosovës: neni 152 në lidhje me nenin 31).

Me të njëjtin aktgjykim janë liruar edhe të akuzuarit: Mustafë Hoti, Milaim Hoti, Naser Hoti, Nexhmedin Berisha dhe Jetulah Kabashi, të cilët gjykatësi ndërkombëtar i ka ngarkuar me vepër penale të  ofrimit të ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale nga neni 305 paragrafi 2 i Ligjit Penal të Kosovës (ligji i ri, neni 388 paragrafët 1 dhe 2 të LPRK).  

 

Aktgjykimi i cekur është sjellë në procedurën e përsëritur të shkallës së parë në lidhje me të akuzuarit Ejup Kabashin si dhe të gjithë të akuzuarit për ofrim të ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale. Në lidhje me Sokol Bytyqin, kjo ka qenë procedurë e shkallës së parë.

 

Në arsyetimin e shkurtë pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues ka theksuar se trupi gjykues në bazë të fakteve të paraqitura gjatë procedurës nuk ka mundur të konstatojë nëse të akuzuarit kanë qenë pjesëmarrës të sulmit në fshatarët e kombësisë serbe në fshatin Opterushë, komuna e Rahovecit, midis datës 17 dhe 18 korrik të vitit 1998, edhe pse dëshmitaret, të cilat kanë qenë viktima të sulmit, në deklaratat e tyre disa herë e kanë theksuar se në mëngjesin e së nesërmes pas sulmit i kanë parë të akuzuarit në oborr të shtëpisë ku janë ndodhur të gjithë serbët nga Opterusha.

 

Gjykata, kështu, nuk ka pasur sukses edhe pas procedurës së përsëritur në këtë lëndë të ndriçojë rastin e sulmit në fshatarët serb të Opterushës, i cili ka përfunduar me zhdukjen e tetë serbëve[2] dhe zhvendosjen e fshatarëve të tjerë serb. Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë konsideron se aktgjykimi nga procedura e përsëritur e shkallës së parë në lëndën Prokurori kundër Ejup Kabashit dhe të tjerëve dhe Sokol Bytyqit, nuk mund të konsiderohet si pikë përfundimtaren këtë rast, sepse është fjala për njërin prej krimeve më të rënda të kryera gjatë luftës në zonën e komunës së Rahovecit. Rasti i zhdukjes së tetë serbëve dhe i zhvendosjes së popullatës tjetër serbe duhet të ndriçohet, kurse para organeve gjyqësore qëndron obligimi për të hulumtuar deri në fund dhe për të identifikuar dhe në mënyrë të matur për të dënuar kryerësit. Vetëm ashtu do të mund të realizohet drejtësia dhe që familjet viktimave të ndjehen të kënaqura.

Procedura e parë penale e shkallës së parë  kundër të akuzuarve Ejup Kabashi dhe Haxhi Mazreku, si dhe në lidhje me të akuzuarit për ofrim të ndihmësja ka filluar me ngritjen e aktakuzës kundër tyre në datën 30 mars të vitit 2011. Aktakuza është konfirmuar me vendimin e datës 29 prill të vitit 2011, por vetëm në lidhje me sulmin e armatosur i cili ka  ndodhur në natën midis datës 17 dhe 18 korrik të vitit 1998 si dhe me akuzat kundër të akuzuarve për ofrimin e ndihmës.

 

Me aktakuzë i është vënë në barrë të akuzuarve Kabashi dhe Mazreku se në bashkëkryerje reciprokisht si dhe me pjesëtarë të tjerë tash për tash të paidentifikuar të UÇK-së, i kanë zbatuar masat e frikësimit dhe të terrorit ndaj popullatës serbe të fshatit Opterushë, komuna e Rahovec, duke marrë pjesë në sulmin e armatosur kundër banorëve serb të fshatit, të cilët janë gjendur në shtëpitë e tyre në natën midis 17 dhe 18 korrikut të vitit 1998, si dhe se në bashkëkryerje, në mes vete dhe me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së kanë marrë pjesë në dëbimin nga shtëpitë e tyre dhe në zhvendosjen.

 

Gjykata e Qarkut në Prizren, duke vepruar sipas aktakuzës së cekur, pas mbajtjes së seancës gjyqësore kryesore, e cila ka filluar në datën 28 qershor të vitit 2011 dhe ka zgjatur 7 ditë të gjykimit (gjatë të cilave janë dëgjuar shtat dëshmitarë të prokurorisë), ka përfunduar me aktgjykimin e datës 2 gusht të vitit 2011, me të cilin i akuzuari Ejup Kabashi është shpallur fajtor për kryerje të veprave penale të krimit të luftës kundër popullatës civile. Për këtë vepër i është shqiptuar dënimi me burgosje në kohëzgjatje prej pesë vitesh. Mazreku , me të njëjtin aktgjykim, është liruar nga aktakuza. Me aktgjykimin e datës 2 gusht janë shpallur fajtor edhe të akuzuarit për ofrimin e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale. Të gjithë atyre individualisht iu është shqiptuar dënimi me burgosje në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili nuk do të përmbarohet nëse të akuzuarit në afat prej një viti nuk kryejnë vepër të re penale.

 

Gjykata Supreme e Kosovës, duke vepruar sipas ankesave të të akuzuarve Ejup Kabashi dhe Naser Hoti, pas procedurës së mbajtur ankimore, me vendimin e datës 4 shtator të vitit 2012, rastin e ka kthyer në gjykim të përsëritur në lidhje me të akuzuarin Kabashi dhe të akuzuarit për ofrim të ndihmës.

 

Gjykata Supreme e Kosovës, para vendimit mbi kthimin e procedurës në gjykim të përsëritur, ka vendosur edhe sipas ankesës së prokurorit ndaj aktgjykimeve të datës 2 gusht të vitit 2011, e cila ka pasur të bëjë me pjesën e aktgjykimit me të cilin lirohen të akuzuarit si dhe me vendimin e gjykatës në lidhje me vendimin mbi dënimet e shqiptuara ndaj të akuzuarve të tjerë.  Gjykata e ka hedhur ankesën e cekur si të palejueshme me vendimin e datës 23 gusht të vitit 2012. Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, i cili ka marrë pjesë në shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë të gjykatës të datës 2 gusht, pas shpalljes së aktgjykimit qartazi e ka theksuar se prokuroria nuk do të ankohet ndaj aktgjykimit të shpallur.

 

Një pjesë e procedurës kundër Bytyqit është zhvilluar në mungesë të tij sepse ai në kohën e akuzimit dhe të zhvillimit të procedurës së shkallës së parë kundër Kabashit dhe të tjerëve është gjendur në arrati. Është burgosur në datën 9 dhjetor të vitit 2011 në Shqipëri, me rastin e përpjekjes ilegale të kalimit në Itali, kur edhe i është rekomanduar institucioneve të gjyqësorit në Kosovë. Bytyqi, sipas aktakuzës së datës 24 maj të vitit 2011 ngarkohet se në cilësi të pjesëtarit të UÇK-së, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, ka zbatuar masa të frikësimit dhe të terrorit kundër popullatës civile serbe në Opterushë, duke marrë pjesë në sulmet kundër popullatës serbe të fshatit në datën 17 dhe 18 korrik të vitit 1998. Aktakuza është konfirmuar me vendimin e datës 27 korrik të vitit 2012. Procedura e shkallës së parë sipas kësaj aktakuze ka filluar në datën 2 tetor të vitit 2012. Në bazë të kërkesës së prokurorit mbi bashkimin e procedurave të datës 12 tetor, kjo lëndë, me vendimin e trupit gjykues të përberë prej tre anëtarësh të Gjykatës së Qarkut në Prizren të datës 7 nëntor të vitit 2012, i është bashkuar procedurës në lëndën Prokurori kundër Kabashit dhe të tjerëve, që në atë moment është gjendur në fazën e përgatitjeve për gjykim të përsëritur para gjykatës së shkallës së parë. Bytyqi është ngarkuar për të njëjtën vepër penale, e cila, sipas pohimeve të aktakuzës, është kryer në bashkëkryerje dhe se bazohet në të njëjtat prova kyçe, të njëjta.

 

Procedura e shkallës së parë, sipas vendimit mbi bashkimin e dy lëndëve, ka filluar në datën 30 nëntor të vitit 2012. I ka pasur shtatë (7) ditë të gjykimit gjatë të cilave janë dëgjuar shtatë (7) dëshmitarë të prokurorisë, midis të cilëve edhe dy të dëmtuara, të cilat  e kanë përjetuar sulmin. Gjatë procedurës janë lexuar deklaratat e dëshmitarëve të veçantë, të cilët kanë dëshmuar në procedurën e shkallës së parë. Palët i kanë paraqitur argumentet e tyre përfundimtare për dhe kundër aktakuzës. Prokurori, në fjalën e tij përfundimtare ia ka përshtatur aktakuzën Ligjit Penal të ri të Republikës së Kosovës, sipas të cilit, veprimet, me të cilat ngarkohen të akuzuarit, janë të dënueshme sipas nenit 152 në lidhje me nenin 31.

 

Pas hyrjes në fuqi të Ligjit mbi Procedurën Penale të Kosovës i datës 28 dhjetor të vitit 2012, procedura ka vazhduar sipas ligjit të vjetër, në pajtim me dispozitat përfundimtare të ligjit të cekur.

 

Gjykimi për Kabashin dhe Bytyqin është gjykimi i parë për krime të luftës i cili është zhvilluar para trupit gjykues, i cili në pjesën më të madhe është përbërë nga gjykatës vendor, derisa vetëm kryesuesja e trupit gjykues ka qenë gjykatësja e EULEKS-it.

 

Prokurori ka njoftuar për ankesë ndaj aktgjykimit, i cili i liron të akuzuarit nga akuzat.

Fondi për të drejtën humanitare dhe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë për rastin e ndodhur në Opterushë në korrikut të vitit 1998, bazuar në hulumtimet e kryera, ka vërtetuar se tetë Serb nga ky fshat janë zhdukur dhe se trupat e tyre janë zhvarrosur në prill të vitit 2005. Në Libër Kujtimi i Kosovës është publikuar ky narracion:

 

Sreten (Stanoje)Simić-Srećko (10.12.1931, serb nga Opterusha/Opteruša, komuna e Rahovecit/Orahovac, bujk, pesë fëmijë)

Božidar (Sava) Božanić-Boško (13.07.1939, serb nga Opterusha/Opteruša, komuna e Rahovecit/Orahovac, bujk, katër fëmijë)

Novica (Božidar) Božanić (5.09.1966, serb nga Opterusha/Opteruša, komuna e Rahovecit/Orahovac, punëtor në plantacionin, tre fëmijë)

Mladen (Obrad) Božanić (25.02.1949, serb nga Opterusha/Opteruša, komuna e Rahovecit/Orahovac, arsimtar, tre fëmijë)

Nemanja (Mladen) Božanić (5.05.1982, serb nga Opterusha/Opteruša, komuna e Rahovecit/Orahovac, nxënës)

Spasoje (Milan) Banzić (16.05.1951, serb nga Opterusha/Opteruša, komuna e Rahovecit/Orahovac, bujk, pesë fëmijë)

Spasoje (Živko) Burdžić (25.05.1937, serb nga Opterusha/Opteruša, komuna e Rahovecit/Orahovac, bujk, pesë fëmijë)

Miodrag (Živko) Burdžić (17.08.1938, serb nga Opterusha/Opteruša, komuna e Rahovecit/Orahovac, bujk, tre fëmijë)

 

Në fshatin Opterushë/Opteruša ndodheshin 12 shtëpi serbe dhe mbi 200 shqiptare. Në fillim të muajit korrik të vitit 1998, forcat e UÇK-së i kanë gropuar istikamet vetëm një kilometër larg fshatit. Serbët ishin të armatosur. I kishin disa pushka të mira, ndërkaq armatimi tjetër konsistonte vetëm në pushkët gjuetie. Lidhjet telefonike nuk funksiononin. Për ditë dëgjoheshin të shtëna dhe, rrjedhimisht, shumica e serbëve të rinj dhe fëmijët u larguan nga fshati. Kanë mbetur vetëm shtatëmbëdhjetë persona: Mladen Božanić me bashkëshorten Dragicend dhe të birin Nemanjen; nëna e Mladenit, Dobrila; djali i axhës së Mladenit, Božidari me bashkëshorten Dušanken dhe të birin Novicen. Nga familja Burdžić, në fshat ndenjën vëllezërit Spasoje dhe Miodragu, si dhe bashkëshortja e këtij të dytit, Slavka; Milutini me bashkëshorten Stanojken. Po ashtu, nga shtëpitë e veta nuk deshën të largoheshin Spasoje Banzić me bashkëshorten Slavicen dhe të ëmën Desanken, si dhe Sreten Simić me bashkëshorten Olgen. Nga burrat, vetëm Novica dhe Nemanja Božanić e kishin moshën paksa më të re dhe me shëndet më të qëndrueshëm.

Ditën e premte, më 17.07.1998, nga mesdita, në afërsi të fshatit [Opterushë/Opteruša] u dëgjuan krismat. Të gjithë serbët, përpos Milutinit, Stanojkes, Desankes dhe Olges, u strehuan te familja Božanić, në qendër të fshatit. Gratë u fshehën në bodrumin e shtëpisë së re të Mladenit, ndërkaq burrat e armatosur e mbanin rojën. Nga ora 1:00 të pasmesnatës [18.07.1998], pjesëtarë të UÇK-së hapën zjarr mbi shtëpitë serbe. Nemanja u plagos nga predha e minahedhësit, e cila e qëlloi shtëpinë e Boškos. Burrat e kthenin zjarrin deri në mëngjes, kur vendosën të dorëzoheshin. Në oborrin e familjes Božanić hyrën afro 40 pjesëtarë të UÇK-së, nga të cilët Mladeni dhe serbë të tjerë i njohën pesë veta [emrat janë të njohur për FDH]. Së pari, ushtarët u morën burrave të gjitha armët. Më pas, i kontrolluan. Pastaj i çuan me traktorin e Boškos te vreshtat e familjes Božanić, përmbi fshatin. Pas pak, te vreshtat u sollën edhe Milutini, Stanojka, Desanka dhe Olga, që kishin mbetur në fshat. Nga vreshtat, i bartën me një kamion të mbuluar me ceradë deri te fshati Semetishtë/Semetište [Suharekë/Suva Reka], ku i futën në një shtëpi shqiptare. Gratë i çuan në katin e dytë të shtëpisë, ndërkaq burrat i mbyllën në bodrum. Gratë dëgjonin me orë të tëra rënkimin e burrave që rriheshin nga ushtarët. Ditën e diel, rreth orës 22:00, ushtarët i çuan Dragicen, Dobrilen, Dušanken, Slavkon, Slavicen, Desanken, Olgen, Stanojken dhe moshëthyerin Milutin në Zoqishtë/Zoćište.

 

Ditën e pacaktuar në fund të muajit korrik, burrat nga Opterusha/Opteruša, së bashku me serbët e burgosur nga Retija/Retimlje [të shikohet regjistrimi në faqen … x] dhe të burgosurit e tjerë, u nxorën jashtë burgut të UÇK-së në Malishevë/Mališevo [godina e stacionit policor] dhe u dërguan në drejtim të Prishtinës/Priština. Për një kohë të gjatë, familjarët nuk kishin kurrfarë njohuri për fatin e të burgosurve nga Opterusha/Opteruša. Mbetjet e tyre mortore u zhvarrosën gati tetë vjet më vonë, në muajin prill të vitit 2005, nga varreza masive në Volljakë/Volujak [Klinë/Klina]. Pas identifikimit me analizën e ADN-së, Zyra e UNMIK-ut për Persona të Pagjetur u ka dorëzuar familjarëve mbetjet mortore të Mladenit, Nemanjes, Božidarit, Novices, Sretenit, Spasoje Banzićit dhe Spasoje dhe Miodrag Burdžićit. Dorëzimi është bërë më 13.10.2006 në Merdare. Të gjithë u varrosën një ditë më vonë, më 14.10.2006, në varrezat Orlovaça në Beograd.

 


[1] Anëtarët e trupit gjykues , gjykaytësit vendor: Skënder Qoqaj dhe Teuta Krusha.

[2] Burimi: „Libër Kujtimi i Kosovës“, vëllimi I, FDH dhe FDH Kosovë.

Share