Reagim i FDH Kosovë: Policia e Kosovës të hetojë pretendimet për keqtrajtimin e serbëve

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë) shpreh shqetësimin për pretendimet e disa qytetarëve Serbë që publikisht kanë akuzuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës (PK) për përdorimin e dhunës së panevojshme ndaj tyre. Sipas këtyre pretendimeve, që janë raportuar në mediat serbe, ata janë keqtrajtuar fizikisht pa asnjë arsye, dhe kjo është një akuzë serioze e cila vë në dyshim profesionalizmin e Policisë së Kosovës.

 

Andaj, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë i bënë thirrje Policisë së Kosovës, respektivisht Inspektoratit Policor të Kosovës, që sa më shpejtë të kryej hetimet e duhura mbi këto pretendime dhe të dalë në publik me rezultatet e hetimit, dhe në rast se konfirmohet se pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë përdorur dhunë dhe janë sjellë në mënyrë joprofesionale, ndaj tyre të merren masa disiplinore të parapara me ligj dhe rregullore.

 

Me datë 7.01.2013 Policia e Kosovës kishte arrestuar në Graçanicë nëntë qytetarë të nacionalitetit serb, pas mbarimit të meshës së Krishtlindjeve ortodokse. Policia e Kosovës kishte konfirmuar se personat janë ndaluar gjatë kohës kur Policia e Kosovës ishte duke siguruar shefin e Zyrës së Serbisë për Kosovë, Aleksandar Vulin. Të martën në mbrëmje, me 8.01.2013, të gjithë serbet e arrestuar janë liruar për tu mbrojtur në liri.

Share