Kompensim prej 380.000 dinarësh për shqiptarin nga Kosova për 480 ditë të torturës dhe të sjelljes çnjerëzore

Gjykata e parë themelore në Beograd ka sjellë aktgjykimin, me të cilin ka vërtetuar se Republika e Serbisë bartë përgjegjësinë për keqtrajtimin dhe sjelljen çnjerëzore, të cilat pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë  (MPB e Serbisë) i kanë kryer ndaj Mustafë Kolgecit, shqiptarit nga Suhareka, gjatë paraburgimit në periudhën nga muaji shtator i vitit 1998 e deri në muajin janar të vitit 2000. Gjykata i ka urdhëruar Republikës së Serbisë që, për shkak të kësaj, në emër të kompensim it jomaterial, t’ia paguajë 380.000 dinarë, kurse kërkesën për zhdëmtim për shkak të paraburgimit të paligjshëm në kohëzgjatje prej 16 muajsh e ka shpallur të vjetruar. FDH konsideron se vendim i gjykatës është i padrejtë dhe në shpërputhje me vuajtjet, të cilave Kolgeci në vazhdimësi iu është shtruar gjatë 16 muajve, dhe se kjo është vazhdim i praktikës së gjykatave serbe që drejtësinë për viktimat e shkeljes së të drejtave të njeriut gjatë të nëntëdhjetave, për të cilat janë përgjegjës pjesëtarët e forcave serbe, t’ia nënshtrojë interesave të shtetit dhe buxhetit të tij.

Gjykata ka vërtetuar se pjesëtarët e MPB-së së Serbisë e kanë burgosur Mustafë Kolgecin në datën 28 shtator të vitit 1998 në fshatin e tij Vraniq [komuna e Suharekës]. Është mbajtur në stacionin policor në Suharekë nën gjoja dyshimin se posedon armë të paligjshme, kurse më vonë kundër tij është ngritur aktakuza për vepër penale të terrorizmit. Në muajin janar të vitit 2000, Gjykata e Qarkut më Pozharevc e ka liruar pasi që prokurori ka hequr dorë nga ndjekja penale. Gjykata ka përfunduar se Kolgeci gjatë 16 muajve të paraburgimit përditë i është shtruar keqtrajtimit fizik dhe psikik nga ana e policëve.

 

FDH, në emër të Mustafë Kolgecit, e ka filluar procedurën për kompensimin e dëmit jomaterial në datën 24 janar të vitit 2008. Janë mbajtur gjashtë seanca, në të cilat është dëgjuar Mustafë Kolgeci, kurse pastaj, në datën 7 shtator të vitit 2010, për shkak të ndryshimit të trupit gjykues pas kryerjes së rizgjedhjes të gjyqtarëve, gjykimi ka nisur nga fillimi. Në gjykimin e përsëritur janë mbajtur shtatë seanca, kurse Mustafë Kolgeci sërish është dëgjuar. Gjatë procedurës, është kryer ekspertiza mjekësore. Eksperti gjyqësor ka vërtetuar se tortura dhe sjellja çnjerëzore, të cilën e ka përjetuar  Mustafë Kolgeci gjatë paraburgimit, kanë lënë pasoja të rënda për shëndetin e tij fizik dhe psikik dhe se ato përherë e kanë zvogëluar aktivitetin e tij të përgjithshëm jetësor.

 

Gjykata, duke e arsyetuar lartësinë e kompensimit, ka cekur se shuma prej 380.000 dinarësh është „adekuate“ me shkallën e pasojave psikike nga tortura e përjetuar (të cilat gjykata i ka vlerësuar „ndryshime të përhershme të personalitetit, të cilat reflektohen në zvogëlimin e funksionit social dhe të atij të përgjithshëm “) dhe se një shumë më e madhe „do të tejkalonte suazën e institucionit të kompensimit të drejtë“. FDH e thekson se gjykatat në Serbi kanë një interpretim të palejueshëm restriktiv të institucionit të kompensimit të drejtë për viktimat e shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut, të cilat i ka kryer ushtria serbe dhe policia gjatë viteve nëntëdhjetë në raport me të gjitha rastet e tjera të kërkimit të kompensimit nga shteti. Sa për shembull, në rastet e kompensimit për paraburgimin e paligjshëm gjatë operacionit  „Shpata“, gjykatat kanë përcaktuar shuma parash edhe më shumë se dhjetëfish: ish shefit të Drejtorisë së Sigurisë, Aca Tomiqit për 100 ditë të paraburgimit të paligjshëm i është dhënë kompensimi prej gjashtë milion dinarësh, ish gjykatësit të Gjykatës së Qarkut në Beograd, Zhivota Xhoiçeviqit për 74 ditë të paraburgimit të paligjshëm katër milion dinarë, avokatit Miodrag Gligorijeviqit për 62 të paraburgimit 620.000 dinarë, etj.

 

FDH do të deponojë ankesë në Gjykatën e Apelit në Beograd kundër këtij vendimi, dhe atë në pikëpamje të lartësisë së kompensimit dhe vendimit mbi vjetrimin e kërkesës për kompensim për shkak të paraburgimit të pabazuar.

 

 

 

Faktet:

Mustafë Kolgeci, i lindur në vitin 1944, gjatë viteve shtatëdhjetë ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale dhe Kryetar i Komunës së Suharekë.

 

Në datën 28 shtator të vitit 1998, Kolgeci është burgosur para shtëpisë së tij në fshatin Vraniq [komuna e Suharekës]. Policia e ka ndaluar në objektin e Lidhjes së Zjarrfikësve në Prizren, ku kanë qenë të burgosur edhe 40 meshkuj shqiptarë. Në mbrëmje, policia të gjithë i ka dërguar në burgun e Prizren. Atje i kanë urdhëruar të qëndrojnë pas murit dhe ua kanë dhënë vendimin mbi paraburgimin. Policia e ka vendosur Mustafën në një vend pa krevat, dyshek, jorgan ose çfarëdo mbuloje së bashku me 40 persona të tjerë. Në këtë vend kanë ardhur çdo ditë policët dhe me me shkopi gome  e kanë rrahur Mustafën dhe edhe të burgosurit e tjerë. `

 

Pas shtatë muajsh, policia e ka transferuar Mustafën në QPP të Dubravës [komuna e Istogut]. Gjatë qëndrimit të tij në Dubravë, aviacioni i NATO-s e ka bombarduar burgun dy herë, në datën 19 dhe  21 maj të vitit 1999. Gardianët e burgut kanë ikur nga burgu, kurse Mustafën dhe të burgosurit e tjerë  i kanë lënë të mbyllur në pavijone. 23 të burgosur janë vrarë nga pasojat e drejtpërdrejta të bombardimit ose për arsye se nuk iu është ofruar ndihma mjekësore. Në datën 22 maj, policia i ka grumbulluar të gjithë të burgosurit në oborr. Derisa të burgosurit kanë qenë duke qëndruar në rresht, policët kanë hapur zjarr mbi ta nga mitralezët, të cilët kanë qenë të vendosur në kullat e gardianëve dhe kanë filluar të hedhin bombat nga ana tjetër e murit të burgut. Atë ditë, si edhe ditën në vijim, policët në rrethin e burgut i kanë vrarë 87 të burgosur shqiptarë. Mustafa ka mbijetuar duke u fshehur me të burgosurit e tjerë nëpër objektet e burgut.

 

Dy ditë më vonë, policia, të burgosurit e mbetur, duke përfshirë edhe Mustafë Kolgecin, i ka transferuar në Lipjan. Në burgun e Lipjanit kushtet kanë qenë jashtëzakonisht të këqija, të burgosurit nuk kanë pasur krevate, ushqimi ka qenë i pakët, nga tre të burgosur e kanë ndarë një racion, dhe ua kanë dhënë vetëm një litër ujë për një person për disa ditë. Në këtë burg kanë mbetur deri në datën 10 qershor të vitit 1999, kur me autobusët e „Nish ekspresit” janë transportuar në Nish. Në burgun e Nishit kushtet kanë qenë paksa më të mira krahasuar me burgjet e deriatëhershme, por gardianët çdo ditë i kanë keqtrajtuar dhe i kanë fyer të burgosurit shqiptarë. Në datën 19 korrik të vitit 1999, burgun e Nishit e kanë vizituar përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të cilët i kanë regjistruar të burgosurit dhe një ditë më vonë ua kanë sjellë letrat e familjeve të tyre. Për Mustafën ky ka qenë kontakti i parë me bashkëshorten pas katër muajsh.

 

Kundër Mustafë Kolgecit, Prokurori i Qarkut në Pozharevc e ka ngritur aktakuzën për veprën e cila është kryer 19 orë pas burgosjes së tij. Gjykimi para Gjykatës së Qarkut në Pozharevc ka filluar në datën 7 dhjetor të vitit 1999. Në datën 11 janar të vitit 2000, prokurori publik ka hequr dorë nga ndjekja penale dhe Mustafë Kolgeci një kohë të shkurtë pas kësaj është liruar pas 16 muajsh të paraburgimit të pabazuar. Gjatë qëndrimit në burg, Mustafë Kolgeci ka rënë në peshë për 60 kilogram. Pas daljes në liri, nuk ka qenë në gjendje për të ecur dhe pas një kohe të shkurtë nuk i kanë funksionuar veshkat.

 

Share